Jeni përballë një problemi të ri dhe të vështirë në punë? Mos keni marrë një promovim kohët e fundit dhe po përpiqeni të kuptoni rolin tuaj dhe të sillni një perspektivë të re?
Apo sapo keni filluar punë dhe po kërkoni mënyra për të kontribuar në një mënyrë kuptimplote përkrah kolegëve tuaj me më shumë përvojë?
Nëse po, të menduarit kritik – aftësia për të analizuar dhe zbërthyer në mënyrë efektive një çështje në mënyrë që të merren vendime ose të gjehet një zgjidhje – është një element thelbësor për suksesin tuaj. Dhe, në qendër të të menduarit kritik është aftësia për të formuluar pyetje të thella, të ndryshme dhe efektive.
Clayton M. Christensen ishte ndoshta mendimtari më i madh i menaxhimit në 30 vitet e fundit. Artikulli i tij “Si do ta matësh jetën tënde” është një bestseller i Harvard Business Review, ndërsa teoritë e tij mbi inovacionin ndryshuan botën e biznesit. Christensen ka folur për qasjen e tij në kohën kur ishte student në MBA, disa dekada më parë.
Ai thotë se HBS ishte vendi ku mësoi të bënte pyetje të rëndësishme. I impresionuar nga shokët e klasës, ai mbante një fletore ku shkruante pyetjet më të thella që bënin studentët e tjerë. Më pas, ai do të shkonte në shtëpi dhe do të reflektonte mbi mënyrën dhe arsyet pse studentët i kishin formuluar këto pyetje. Gjithnjë kureshtar, Christensen hodhi themelet e njohurive të tij të ardhshme duke studiuar fillimisht procesin me të cilin njerëzit formulonin pyetjet e tyre më të mira.
Ju mund t’i qaseni kuriozitetit në një mënyrë po kaq rigoroze – dhe ta përdorni këtë proces për të pasur një këndvështrim më të mirë të një situate të re ose për të zgjidhur disa nga problemet tuaja më të vështira. Këtu janë disa mënyra për të rritur aftësinë tuaj në bërjen e pyetjeve edhe për temat më të vështira.
Jini të hapur për hipotezat tuaja.
“Të menduarit e orientuar nga hipoteza” është një metodë shkencore që përdoret nga ekipet e McKinsey & Company për të zgjidhur problemet shpejt dhe me efikasitet. Ai përfshin formulimin e një përgjigjeje të hershme për një problem dhe më pas studimin e të dhënave në kërkim të përmirësimit dhe rafinimit të përgjigjes fillestare.
Thelbi i kësaj qasjeje, megjithatë, është të qenurit i hapur për hipotezat tuaja. Nëse jeni shumë të lidhur me përgjigjen tuaj fillestare, atëherë mund të refuzoni që ta hidhni poshtë atë, pavarësisht se çfarë ju tregojnë të dhënat.
Por, nëse e trajtoni përgjigjen tuaj si diҫka që mund të jetë edhe e gabuar, duke qenë kështu të hapur për supozimet tuaja, do të jeni të gatshëm ta braktisni plotësisht atë nëse kërkohet nga rrethanat.
Në ushtrimet e të menduarit kritik, ne shpesh lidhemi me shpejtësi pas një “përgjigjeje” ose hipoteze intuitive dhe të përbashkët – veçanërisht në grupe – dhe priremi të bëjmë pyetje për të provuar më tepër sesa për të hedhur poshtë mendimet tona.
Megjithatë, pyetjet kritike mund të na detyrojnë të rishqyrtojmë rrënjësisht mendimet tona fillestare dhe ne duhet të jemi të gatshëm për ta bërë këtë, pa ndjerë nevojën për t’u mbrojtur.
Dëgjoni më tepër sesa flisni.
Kjo tingëllon e thjeshtë, por çelësi i pyetjeve të mira është të dëgjuarit në mënyrë aktive. Dëgjimi aktiv është procesi i të kuptuarit të asaj që po thotë një person tjetër – si në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe të nënkuptuar – duke dëshmuar kështu se jeni i angazhuar dhe i interesuar. Dëgjimi aktiv ju mundëson të kuptoni plotësisht një argument, duke e bërë më të lehtë të vini në dyshim logjikën e tij.
Dëgjimi aktiv ju ndihmon gjithashtu për të anashkaluar “motorin e parashikimit” të trurit tuaj për të bërë pyetje më të mira. Truri ynë është i ndërtuar për të gjeneruar përgjigje efikase, intuitive, por kjo mund të kufizojë këndvështrimin tuaj.
Dëgjimi është një mënyrë për të tejkaluar këtë funksion dhe për ta hapur veten ndaj një game më të gjerë përgjigjesh. Kjo gjithashtu ju lejon t’i tregoni personit tjetër se jeni të interesuar për atë që ata po thonë dhe se po e konsideroni seriozisht perspektivën e tyre, gjë që e bën bashkëbiseduesin të jetë më i angazhuar dhe më i hapur ndaj këndvështrimit tuaj.
Pyetjet tuaja duhet të jenë të hapura.
Kur filloni të bëni pyetje, përpiquni të shmangni pyetjet që kanë përgjigje me “po” ose “jo”. Në vend të këtyre, mund të bëni pyetje që e detyrojnë personin tjetër që të hapet dhe të shprehë mendimin e tij më me detaje.
Në vend që të pyesni, “A është i qëndrueshëm ky biznes?” pyesni: “Nëse ky biznes do të ishte i paqëndrueshëm, cila do të mund të ishte arsyeja për këtë?” Në vend që të pyesni dikë: “A jeni i lumtur në punën tuaj?” pyesni: “Çfarë ju pëlqen në punën tuaj dhe çfarë mund të ishte më mirë?” Më pas, ndiqni dialogun që nis, duke bërë më shumë pyetje.
Pyetjet e hapura inkurajojnë të menduarit kritik, i ofrojnë mundësinë një individi që të zgjerojë këndvështrimet e tij dhe u lënë njerëzve hapësirën për të zgjidhur në mënyrë aktive problemet.
Bëni pyetjet kundërintuitive.
Kur jemi duke u përpjekur që të zgjidhim problemet, ne shpesh kalojmë në atë që quhet “të menduarit në grup”. Grupi konvergon në një drejtim të caktuar shumë shpejt dhe, në vend që të sigurohet në mënyrë periodike se po shkon në drejtimin e duhur, ai vazhdon gjithnjë e më tej – edhe nëse është drejtuar në rrugën e gabuar.
Bëhuni personi që shtron pyetjet kundërintuitive, ai që sfidon të menduarit konvencional të grupit dhe që rishqyrton parimet e pranuara.
Ekziston mundësia që pyetja të jetë e pavend dhe që grupi të jetë në rrugën e duhur. Dhe, po, ekziston mundësia që kolegët tuaj që janë të interesuar të ecin përpara sa më shpejt, do të mërziten.
Por, çdo grup ka detyrimin të marrë në konsideratë pyetjet kundërintuitive dhe ka nevojë për dikë që nuk ka frikë ta paraqesë këtë këndvështrim, në rast se duhet ndryshuar drejtimi i lëvizjes. / Harvard Business Review