Me burnout në nivelet më të larta historike, bizneset po përpiqen të gjejnë mënyra praktike për të mbajtur stafin e tyre.
Ndërsa burnout vazhdon të prekë bizneset, problemi është se strategjitë më të mira, shpesh duken të prapambetura.
Për shembull, strategjia më e çuditshme e ‘Dorëheqjes së Madhe’ (Great Resignation strategy), e cila është gjithashtu më e efektshmja, ose truku jashtëzakonisht i thjeshtë i Google për të rritur produktivitetin, që gjithashtu ul nivelet e burnout.
Ajo që shohim është se kur bëhet fjalë për mbajtjen e stafit, shpesh metodat më të dukshme rezultojnë kundërproduktive. Ndërkohë, metodat në dukje kundërintuitive, mund të bëjnë mrekulli.
Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme është thelbësore.
Jo vetëm për bizneset që kërkojnë të shmangin efektet e burnout, si ulja e produktivitetit, rritja e qarkullimit të punonjësve dhe dëmtimi i moralit të përgjithshëm në punë.
Por edhe për ata që e ndiejnë ndikimin e burnout personalisht, me simptoma si lodhje kronike, mjegullimi i trurit, mungesa e përqendrimit dhe madje edhe probleme me gjumin.
Zgjidhja standarde është diçka që të gjithë mund përdorim: pushimet.
Ndërsa shpresohet se marrja e pushimeve do të “karikojë bateritë”, e vërteta është se shpesh kthehemi me edhe më pak durim në punë.
Në vend që të kthehemi të shlodhur, të freskët, kthehemi të rraskapitur, të shkëputur dhe akoma më të painteresuar.
Pas një jave duke bërë çfarë të duam, vijnë javë dhe muaj në punë ku duhet të kryejmë detyrat tona. Brenda këtij kontrasti të ashpër, ndjenjat e pakënaqësisë mund të rriten.
Sipas studimit të publikuar së fundmi nga Harvard Business Review, të marrim disa kohë pushim nuk është mënyra më efektive për të reduktuar burnout. Por, kjo nuk do të thotë se më pak pushime është zgjidhja.
Në fakt, mënyra më efektive është më shumë kohë pushimi.
Ajo që studiuesit e Harvardit zbuluan është se punonjësit kanë nevojë për një periudhë të gjatë pushimi, në mënyrë që të rifitojnë energjitë dhe të kthehen në punë me një perspektivë të re dhe motivim të shtuar.
Me fjalë të tjera, zgjidhja e burnout është pushimi. Por, pushimet tradicionale nuk janë zgjidhja e vetme për një vend pune modern.
Mungesa e shton mallin
Nuk është kuptimi i zakonshëm i kësaj shprehje, por megjithatë mund të përshtatet edhe për punën.
Sidomos në rastin e një pushimi. Sepse sado i mrekullueshëm tingëllon një pushim i gjatë, realiteti është se pas njëfarë kohe, nuk është më interesant.
Për shembull, nëse dëgjoni këngën tuaj të preferuar në mënyrë të përsëritur, pas njëfarë kohe do të doni të dëgjoni diçka tjetër.
Të ngrënit në të njëjtin restorant, sado i mirë të jetë ai, me kalimin e kohës nuk është më diçka e pëlqyeshme. Do të duam të hamë diçka tjetër.
Pas njëfarë kohe, mund të fillojë t’ju mungojë puna, ndjenja e të qenit produktiv, kolegët, klientët dhe në rastin e një pushimi të papaguar, paratë.
Përmirësimi i burnout nuk duhet të “djegë” biznesin
Koha e pushimeve mund të jetë një barrë e mjaftueshme për bizneset, që luftojnë për të vazhduar punën me staf të reduktuar.
Pra, ideja e një pushimi të zgjatur thjesht mund të duket e pamundur.
Megjithatë, siç sugjerojnë studiuesit e Harvardit, pushimi mund të vijë në shumë forma. Dhe sigurisht që nuk duhet të dëmtojë biznesin, për hir të së mirës së punonjësve.
Për shembull, ndërsa ka pushime me pagesë dhe pa pagesë, ka edhe pushime ku punonjësit kanë mundësinë të punojnë në distancë, nga kudo në botë, qoftë dhoma e tyre e ndenjes apo një vend i largët.
Dallimi me marrjen e pushimeve është se ndërsa puna në distancë është bërë gjithnjë e më e zakonshme, kjo nuk do të thotë gjithmonë se stafi ka lirinë të punojë nga vende të tjera jashtë ambjenteve të kompanisë, apo të punojë sipas një orari që u përshtatet.
Duke u dhënë punonjësve kohë dhe hapësirë për të jetuar më lirshëm dhe për të shijuar jetën e tyre, ata jo vetëm që janë më të kënaqur me rolin e tyre, por edhe më mirënjohës.
Marrja e pushimeve sjell më shumë sesa thjesht çlodhje
Gjatë pushimeve, fillojmë të rifitojmë, ose thjesht të fitojmë, një vlerësim për punën që kemi, njerëzit me të cilët punojmë dhe atë që roli ynë na ofron, mendërisht ose financiarisht.
Me fjalë të tjera, ajo që na ofron një pushim është aftësia për të vlerësuar atë që kemi dhe atë që pozicionet tona na ofrojnë në jetë.
Punëdhënësit kanë një tendencë të frikësohen se punonjësit nuk do të kthehen pas dhënies së pushimeve. Por, kur punonjësve u jepet mundësia për të marrë një pushim të zgjatur, studimet tregojnë se punonjësit priren të qëndrojnë.
Sepse shumica do të donin të qëndronin me një punëdhënës që u jep atyre lirinë për të ikur dhe për t’u kthyer. / INC