Për të qenë ai që është, pra një nga makinat më të avancuara në botë në aspektin teknologjik, kjo nuk shkakton ndonjë impresion të madh. Në trafik nuk dallon më shumë se të tjerët, ndoshta vetëm për faktin se ka dimensione disi presidenciale (5.29 metra në versionin e gjatë dhe 5.11 në versionin e shkurtër). Por, gjithnjë është në stilin e Classe S dhe konstruktorët nuk kanë synuar të bjerë shumë në sy në pamje të jashtme. Por, në brendësi ka një fantazi vezulluese që transmeton një status të sigurt me një finiturë dhe arredim të jashtëzakonshëm. I është bërë një lidhje efekteve speciale si ndriçimi me 250 Led që e rrethon dhe ndryshon ngjyrat sipas kërkesës apo në varësi të situatave. Për shembull, sinjalizon për rrezik në rastin se gjatë parakalimit ka një pengesë të padukshme.
W223 është kodi i gjeneratës së shtatë të Sonderklasse që do të thotë “seri speciale”. Pra, është më e mira e më të mirave të Mercedes-it. Në fakt, që nga 1972 konstruktorët gjermanë kanë paraqitur një vitrinë vezulluese makinash ku janë koncentruar risitë më të rafinuara. Këtë herë është arritur deri tek drejtimi autonom i makinës.
KOMODITETI MBI TË GJITHA
Duke qenë se nuk ka një përkufizim global për komfortin ku përmblidhen shumë elemente, më besoni mua: modeli Classe S është jashtëzakonisht komod. Nuk ka shumë diferencë nëse zgjidhni një S 500 EQ Boost mild hibrid apo një S 400 d (në fund të fundit makinat me naftë ekzistojnë ende dhe siç duket do të vazhdojnë gjatë). Praktikisht, as zhurmat dhe as vibracionet nuk ndihen. Është ruajtur aerodinamika e jashtëzakonshme (Cx 0,22), amortizimi me sistem ajri dhe sedilje që duket se mbështeten në boshllëk. Ka një detaj që flet shumë. A ju bezdis në qafë kontakti me mbështetësen e kokës disi të fortë? Jo, këtu ka jastëk të butë, si përpara edhe mbrapa. Nuk duhet harruar se poltronë e pasmë (nuk po përdor fjalën sedilje) shpesh janë vende nderi tek këto modele dhe kanë një treg të zgjedhur në Kinë, Kore të Jugut, por edhe në SHBA. Sipas traditës, versionet e gjata përbëjnë rreth 90% të shitjeve dhe ofrojnë një komoditet të veçantë për personat që qëndrojnë mbrapa dhe që zakonisht janë njerëz të rëndësishëm. Këtu ka dhe pajisje për ventilim dhe masazh, infotainment dhe kondicionim të personalizuar. Gjithashtu, ekziston mundësia për të dërguar komanda vokale tek MBux-i i një gjenerate të re, gjë që e bën akoma edhe më të këndshëm qëndrimin në ato pozicione.
NAFTË? PO FALEMNDERIT
Njoftimet për një pakësim të mundshëm të motorëve me naftë, ashtu siç thashë më parë, nuk kanë gjetur konfirmim në linjën e Classe S. Në fakt jam duke drejtuar një S 400 version i gjatë me gjashtë cilindra i linjës biturbo. Sipas prodhuesve të kompanisë, për momentin nuk ka alternativë për ata që duan më shumë autonomi, shoqëruar me çmimet e karburantit. Kjo nuk e ka ngadalësuar prodhimin e gamës së automjeteve elektrike: tashmë janë dy versione mild hibrid dhe në 2021 do të ketë një plug-in me 100 km autonomi dhe një EQS, version me bateri. Por, versioni me naftë vazhdon: ka 330 kuaj fuqi që nuk duket të jetë shumë për një automjet shumë të gjatë me moment përdredhës maksimal 700 Nm dhe kambio 9G-Tronik, me pezullim aktiv dhe me katër goma aktive që i japin Classe S një zhdërvjelltësi të madhe. Pak inerci, një reagim i shpejtë dhe jo i rrëmbyer i kambios janë elemente që i japin makinës një pamje mjeshtërore në ecje të qetë dhe dinamizmin e duhur në kthesa.
PËRTEJ NIVELIT 2
Kabina ka një përshtatje perfekte dhe këtu dallojnë disa risi që lidhen me drejtimin dhe sigurinë. Për shembull, kuadri i instrumentave që përdor teknikën tridimensionale të pamjes së indikatorëve, të njoftimeve dhe të hartave është bazuar në atë që quhet stereoskopi. Kujt i kujtohet view-master? Parimi është përgjithësisht i tillë: duke bërë të mundur të shihet me secilin sy një imazh që është shumë pak i ndryshëm nga një tjetër, krijohet një 3D spektakolare. Nuk po merrem më me efektet speciale, por do të vlerësoja shumë impiantin audio. Burmester (6500 euro), i cili ka 31 shpërndarës dhe një bass shaker.
Tani të kalojmë tek problemet e sigurisë aktive dhe asistencës në drejtim. Përveç një airbeg tubolar për sediljet e pasme në versionin e gjatë, sistemi i sensorëve të jashtëm monitoron edhe përplasjet e mundshme anësore. Në rast të një goditjeje të befasishme, makina ngrihet rreth tetë centimetër nga ana e goditjes duke ofruar si mbrojtje ndaj forcës së goditjes një shirit të fortë në vend të derës.
Pastaj është edhe eksperimenti i drejtimit autonom. Këtu, sistemet aktive të asistencës shkojnë më lart se niveli 2 falë sistemit Drive pilot që kombinon informacionet e marra nga kamerat, nga sistemi lidari dhe nga radari me një kartografi të lartë duke mundësuar drejtimin e makinës pa ndërhyrjen e shoferit (gjithsesi ai duhet ti mbajë duart mbi timon), edhe në situata komplekse si në semaforë apo rreth-rrotullime. Gjatë një testimi në rreth 30 km mu desh të shtyp lehtë frenat vetëm tre herë, sepse S 400 jo vetëm i njeh mirë limitet e shpejtësisë, por edhe në kthesa futet saktë. Në këto kushte, me ecje të butë, konsumi sipas kompjuterit të bordit është 13 km/litër.
S 400 D 4MATIC PASSO LUNGO
Të dhëna teknike
Motori
- Montuar përpara vertikal
- L6 turbodiesel
- Cilindrata 2.925 cm³
- Fuqia maksimale 243 kW (330 kf) në 3.600 xhiro/min
- Momenti përdredhës maksimal 700 Nm nga 1.200 në 3.200 xhiro/min
Transmisioni
- Traksion integral i vazhdueshëm
- Kambio automatike me 9 marshe
Performanca
- Shpejtësia maksimale 250 km/h
- 0-100 km/h 5,4 s
- Përshkueshmëria mesatare 15,4 km/l
Përmasat dhe pesha
- Hapi 322 cm
- Gjatësia 529 cm
Gjerësia 192 cm
Lartësia 150 cm
- Pesha 2.200 kg
Çmimi
- Nga 124.133 €
PARKIMI AUTONOM
SHOFERI IKËN, MAKINA PARKOHET VET
Ky është një funksion ideal për personin që do të udhëtojë me avion dhe makinën e drejton vet. Kur mbërrin në parkimin e aeroportit (për momentin vetëm në aeroportin e Shtutgardit), e lë makinën në zonën “valet” dhe aktivizon një aplikacion. Pastaj, vazhdon me procedurat e udhëtimit pa kthyer kokën mbrapa për të parë makinën. Mercedesi Classe S merr urdhrin dhe vihet në lëvizje në autonomi perfekte në kërkim të një vendi të lirë në parkingun shumëkatësh. I merr kthesat me saktësinë e një kirurgu, ndalon kur has në pengesë, shuhet dhe riniset vet. Janë të gjitha efekte të një sistemi drejtimi autonom të nivelit 4 dhe që nuk kërkon infrastrukturë të veçantë në parking, përveç kamerave të thjeshta. Në kthim, i njëjti sinjalizim e sjell makinën në zonën “valet” të drejtuar nga dalja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.