Gjenerata e tretë ngre siparin e kursit të ri stilisik të Mercedesit. Në rrugë favorizon komfortin maksimal, që shoqërohet me performanca të shkëlqyera të motorit të ri, trelitërsh turbodiesel
Nuk ka si bëhet ndryshe. Edhe në botën e makinave, është njëra që i kalon gjithë të tjerat. Dhe, në rastin e modelit coupé me katër dyer, vendi i parë i përket Mercedes Benz-it, që këtë segment të veçantë e ka shpikur në vitin 2004, pikërisht me modelin CLS. Tani, pas 14 vjetësh dhe 357 mijë makinave të shitura, vetura e Shtutgartit është e gatshme të shkruajë kapitullin e tretë të historisë së saj, që ka shijen e një revolucioni të vogël.
Para së gjithash, sepse inaguron një kurs të ri stilistik të kompanisë, të zhvilluar nga shefi i mirënjohur projektues, Gorden Wagener, i cili me këtë model shprehet bindshëm, duke përdorur sipërfaqe të mëdha dhe linja të tendosura, në gjurmët e një dizajni veçanërisht “të pastër”. Rezultati: një CLS shumë N, më atletike se ajo e shkuar. Është e pangatërrueshme pjesa ballore, e cila sjell paksa në mendje fizionominë e një peshkaqeni.
NUK NGJAN SI NJË DIESEL
Por surpriza e vërtetë zbulohet sapo vihet në punë, motori i ri gjashtëcilindërsh në linjë, diesel, i vendosur tek modeli 400 d 4Matic, të cilin pata rastin të provoj. Bëhet fjalë për një motor që nuk e pret, për arkitekturën e re – pas viteve me V6, kompania është kthyer tek formula “gjashtë në linjë” – por edhe për performancën. Për më tepër, 340 kf-të dhe 700 Nm e momentit përdredhës, përbëjnë vlera që, edhe sot, krijojnë një lloj habie, në fushën e motorëve turbodiesel, dhe që anullojnë, të paktën pjesërisht, kufijtë e këtij modeli coupé, në aspektin e peshës (jemi afër dy tonëve) dhe përmasave (gati pesë metra gjatësi).
Përshpejtimi është i fuqishëm dhe i palodhur, siç dëshmohet edhe nga të dhënat teknike: mjaftojnë 5 sekonda për të xhiruar nga 0 në 100 km/h. Madje edhe shpejtësia maksimale, e kufizuar në 250 km/h. Të tilla performanca, bëhen të mundura nga kambio 9G-Tronic, automatike, me konvertim të momentit përdredhës të gatshëm e intrigues (edhe pse dorezat tek timoni, në të vërtetë, mund të ishin punuar edhe më mirë), si dhe nga traksioni i pashmangshëm integral 4Matic, i cili transferon tërheqje tek aksi i parë, vetëm kur është e nevojshme.
Përveçse është i shpejtë dhe jashtëzakonisht i qetë, aq sa ndonjëherë nuk e beson se je duke drejtuar një makinë me naftë, modeli CLS 400 d i mbetet besnik impostimeve klasike të makinave më të shquara Mercedes, ndaj favorizon gjithmonë komfortin maksimal, madje edhe kur përzgjidhet mënyra sportive e drejtimit.
Kjo tregohet edhe nga fakti se në mes të kthesave, variacionet e ngarkesës shfaqen mjaft qartë. Kemi të bëjmë me një zgjedhje të mirë përcaktuar, të konfirmuar edhe nga sistemi i drejtimit: i saktë dhe me ngarkesën e duhur, por sigurisht jo fort i shpejtë. Me pak fjalë, në fund të fundit, modeli CLS është veçanërisht ideal për ata që kërkojnë një variant më eksentrik të modelit E-Class, por që duhet ndërkohë të jenë të gatshëm të sakrifikojnë pak hapësirë prapa (sidomos për kokën), ku, megjithatë, mund të ulen edhe tre pasagjerë.
AMG CLS 53 4MATIC +
GJASHTЁ CILINDRA NЁ LINJЁ ME SISTEM NDIHMЁS
Specialistët e Affalterbach-ut nuk kanë mundur t’i rezistojnë tundimit për t’u marrë me modelin e ri CLS. Kështu, që nga momenti i debutimit, mund të zgjidhet variantin intrigues AMG 53 4Matic+. Motori, në këtë rast, është i ri, 3.0, me benzinë dhe gjashtë cilindra në linjë, me 435 kf, i aftë të shkarkojë në tokë, falë traksionit integral, plot 520 Nm të momentit përdredhës.
Sikur kjo të mos mjaftonte, kemi edhe sistemin ndihmës EQ Boost. Bëhet fjalë për një sistem mild-hibrid, i cili përmes një alternator-gjeneratori, është në gjendje të rikuperojë energjinë gjatë frenimeve apo ngadalësimeve të shpejtësisë dhe ta rikthejë atë, kur është e nevojshme, në formën e një shtytje të përkohshme prej 22 kf dhe 250 Nm.
Tek kabina pasqyrohet konfigurimi i modeleve E-Class dhe S-Class, me dy ekrane të mëdhenj, 12.3 inç. Aksesi në vendet e pasme është pjesërisht i kufizuar nga shtrirja e tavanit të stilit coupé. Ndryshe nga e kaluara, pjesa prapa ofron hapësirë për tre pasagjerë
Të dhëna teknike
Motori
•L6 turbodiesel
•Cilindrata 2.925 cm3
•Fuqia maksimale 250 Kw (340 kf) në 4.400 xhiro/min
•Momenti përdredhës maksimal 700 Nm nga 1.200 në 3.200 xhiro/min
Transmisioni
•Traksion integral
•Kambio automatike me 9 marshe
Performanca
•Shpejtësia maksimale 250 km/h
•0-100 km/h 5,0 s
•Konsumi mesatar 17,8 km/l
Përmasat dhe pesha
•Hapi 293 cm
•Gjatësia 498 cm
•Gjerësia 189 cm
•Lartësia 143 cm
•Pesha 1.935 kg
Çmimi
•duke filluar nga 86.350 €
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.