Kancelarja gjermane Angela Merkel ka hedhur dyshime mbi një nga përfitimet më të mëdha të unionit bankar të eurozonës, vetëm pak orë pasi liderët e bllokut ranë dakord për një afat kohor më të qartë për krijimin e një mbikëqyrësi të vetëm bankar.
Duke folur për gazetarët në Bruksel të premten pasdite, zj. Merkel tha se aktivet e këqija që mbahen nga bankat spanjolle dhe irlandeze nuk do të pastrohen nga fondi i ri i shpëtimit të eurozonës prej 500 miliardë eurosh, duke shtuar se ai do të përdoret vetëm për të mbështetur institucionet financiare me probleme në të ardhmen.
Të ashtuquajturat rikapitalizime direkte nga eurozona janë të rëndësishme për Madridin për shkak se përndryshe duhet të marrë hua ose të vetë financojë rreth 60 miliardë euro për të rregulluar huadhënësit vendas me probleme, duke rritur në këtë mënyrë barrën e borxhit kombëtar.
Çështja se kush duhet të shpëtojë bankat me probleme në periferinë e eurozonës pritej që të shqyrtohej më vonë gjatë këtij muaji nga ministrat e financave.
Por, pas një samiti dy ditor, zj. Merkel e ndryshoi pozicionin që kishte pasur para negociatave, duke thënë se borxhi i krijuar në të kaluarën duhet të jetë përgjegjësi e qeverive kombëtare.
“Nuk do të ketë një rikapitalizim direkt nga fondi i shpëtimit,” tha zj.Merkel në një konferencë për shtyp pas samitit. “Në rast se rikapitalizimi direkt është i mundur, ai do të ndodhë në të ardhmen.”