Merr fund rruga 10-vjeçare: Telekomi shkëput kontratën me Z- Mobile

30/07/2019 12:28 PM 0 komente

Telekomi i Kosovës e ka përmbyllur zyrtarisht kapitullin që i kushtoi humbje milionëshe me kompaninë Z-Mobile të udhëhequr nga Blerim Devolli. Për 10 vite të plota, sa zgjati kontrata e bashkëpunimit, kompania publike për pak sa nuk u përball me falimentim. Vendimi për shkëputje të kontratës është marrë gjatë ditës së djeshme nga Bordi i Telekomit. 

 

Kontrata 10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile ka përfunduar. Shkëputjen e kontratës e ka bërë  Bordi i Drejtorëve të Telekomit, derisa vendimi hynë në fuqi nga dita e sotme. 

Raportohet se vendimi për shkëputjen e kësaj kontrate është marr dje në takimin që është mbajtur e që ka zgjatur për disa orë. 

Kurse, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi do të shpall publikisht përfundimin e negociatave e të çdo raporti kontraktues në mes të dy kompanive me 31 korrik 2019. 

 Aktualisht punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë hyrë në grevë të përgjithshme me qëllim të parandalimit të lidhjes së kontratës së re me “Z-mobile”, teksa ata po paralajmërojnë edhe padi ndaj kësaj kompanie

Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, ka thënë se për punëtorët e kësaj ndërmarrje, kontrata me Z-Mobilen tashmë ka marrë fund.

 “Kjo kontratë duhet të përfundohet më 30 korrik. Për ne gjithçka është e papranueshme. Çdo gjë që ndodh pas kësaj date është e papranueshme. Nesër është data e fundit dhe besoj fuqishëm që duhet të merret një vendim pozitiv për Telekomin sepse çdo vendim tjetër shkatërron edhe një herë Telekomin. Jemi për të mos vazhduar kontrata. U kemi bë apel të gjithëve edhe nga kjo studio edhe me shkresa zyrtare. Besoj se edhe bordi edhe menaxhmenti duhet me dalë me një vendim pozitiv për Telekomin e jo në disfavor. Nuk duhet të vazhdohet”. 

Ai ka theksuar se punëtorët e Telekomit në asnjë mënyrë do të pranojnë lidhje e një kontrate të re me Z-Mobile.

Telekomi dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën kompania e Devollëve bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vjet pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Shkëputjen e kontratës mes Telekomit dhe Z-Mobile e kanë kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe  deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar që Kontrata e Telekomit me Z-Mobile të mos vazhdohet.

https://www.monitor.al/telekomi-ne-kaos-punetoret-ne-greve-neser-vendoset-per-kontraten-me-z-mobile/

Ata po thonë se me 30 korrik kjo kontratë duhet të marrë fund. 

Ditë më parë, para Telekomit të Kosovës protestuan dhjetëra punëtorë që kërkuan që kontrata 10 vjeçare me Dardafonin të ndërpritet. Kurse Z-Mobile ka dërguar te përmbaruesit lëndën për kthimin e borxhit që PTK’ja ka në raport me Devollët.

Kujtojmë se Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare  ku po rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë do të mbesin pa punë.

Borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Kompania Z-Mobile ekzekutimin prej rreth 26 milionë euro po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

/Monitor.al/.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of