Seanca për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, e iniciuar nga LDK-ja, do të mbahet nesër në orën 11:00. Seanca do të mbahet në sallën e Kuvendit. Vendimi është marrë sot në Kryesinë e Kuvendit. Mocioni i mosbesimit i iniciuar nga LDK-ja ka nënshkrimet e 44 deputetëve, ndërsa pro tij tashmë janë deklaruar zyrtarisht edhe partitë opozitare, PDK, AAK dhe Nisma.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim për mbajtjen e seancës për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Seanca është caktuar për të mërkuren ora 11:00.
Prej gjashtë anëtarëve të kryesisë, katër anëtarë kanë votuar për mbajtjen e seancës nesër, kurse Vjosa Osmani dhe Arbërie Nagavci kanë votuar kundër.
“Në mbledhjen e mbajtur të Kryesisë së Kuvendit, me 4 vota pro dhe 2 kundër u vendos që seanca për Mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, të ngritur nga LDK me nënshkrimin e 44 deputetëve, të mbahet nesër në ora 11:00 në Sallën e Parlamentit të Republikës së Kosovës”, ka treguar deputeti Haxhi Shala.
Kurse, Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka zgjatur më shumë se që është dashur.
Ai thotë se GP i LDK-së ka këmbëngulur që seanca për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti të mbahet nesër.
“GP i LDK-së është këmbëngulës që nesër të mbahet seanca për mocionin ndaj qeverisë. Kundërshtarët e qeverisë Kurti kanë lidhur alenacë mes vete kur ne po vazhdojmë të përballemi me koronavirusin. Grupet parlamentare, të prira nga LDK-ja, kërkojnë me insistim që pavarësisht që nuk ka kushte, seanca të mbahet nesër”, ka thënë Selimi.
Ai tha se në sallën plenare nuk ka kushte që të mbahet mbledhja për cilindo aktivitet e poashtu nuk ka kushte që të zbatohen rekomandimet as të OBSH-së e as të IKSHP-së.
Gjatë ditës së sotme kryesia e Kuvendit ka pranuar vlerësimin nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik lidhur me kushtet për mbajtjen e seancës, e në të cilën pritet të hidhet në votim mocioni i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për rrëzimin e qeverisë.
IKSHP-ja i ka rekomanduar Kuvendit që në çfarëdo situate të ndërmerren masat e domosdoshme në përputhje me kushtet e punës.
Kujtojmë se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë është iniziuar nga partneri i koalicionit Lidhj demokratike e Kosovës, pasi që Albin Kurti shkarkoi Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.