Si pajisjet dixhitale po sfidojnë natyrën e pronësisë dhe po kërcënojnë të drejtat e pronësisë në epokën dixhitale
Pronësia ka qenë një çështje shumë e thjeshtë, aspak e ndërlikuar dhe pothuajse e njëvlershme me plotësimin e një çeku. Nëse ju blini diçka, ju e keni në pronësi. Nëse ajo prishet, ju e rregulloni atë. Nëse ju nuk e doni më, mund ta shisni. Disa firma menduan se zbuluan disa prej hileve të tregut duke përdorur garancitë, dyqanet e riparimit të autorizuar dhe strategji të tilla si shitja e printerëve të lirë me bojë të shtrenjtë. Por këto mënyra për të gjeneruar sa fitime më të mëdha nuk sfiduan natyrën e asaj që do të thotë të jesh pronar. Pronësia në epokën dixhitale është bërë më e paparashikueshme.
Ju mund të pyesni p.sh. shoferët e Tesla, të cilët kanë mësuar se Elon Musk i ndalon ata të përdorin makinat e tyre elektrike për të punuar për firmat e udhëtimit, si Uber. Që nga ardhja e smartfone-ve, konsumatorët janë detyruar të pranojnë se nuk e kontrollojnë softuerin në pajisjet e tyre, sepse personat që e kontrollojnë atë janë të licencuar. Por, epoka dixhitale po përfshin brenda rrethit të saj edhe më shumë pajisje të tjera si makinat apo pajisjet elektroshtëpiake, të cilët zotërojnë dhe kontrollojnë se cilët objekte po shndërrohen në një problem. Blerësit duhet të jenë të vetëdijshëm se disa nga të drejtat themelore të tyre të pronësisë po kërcënohen.
Pronësi e humbur
Trendi i ri nuk është gjithmonë keqdashës. Prodhuesit që kërkojnë të kufizojnë atë që bëjnë pronarët me anë të përdorimit të një teknologjie komplekse kanë disa arsye për të mbrojtur të drejtën e tyre të autorit, në mënyrë që të sigurohen se makinat e tyre të mos keqfunksionojnë, të respektojnë standardet mjedisore dhe të parandalojnë sulmet e mundshme. Shpeshherë kompanitë përdorin kontrollin e tyre mbi softuerin e një produkti në dobi të përfitimeve të pronarëve.
Kur uragani Irma goditi Floridën, kompania Tesla e prodhimit të makinave, bëri të mundur që në distancë të përmirësonte programin që kontrollon bateritë e disa modeleve për t’i dhënë pronarëve të makinave më tepër mundësi për t’i shpëtuar stuhisë. Por sa më shumë elemente dixhitale t’i shtohen produkteve të ndryshme, aq më tepër bilanci i kontrollit do të anojë nga prodhuesit, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga pronarët. Dhe kjo është sigurisht e papërshtatshme.
Një gjë për të cilin pronarët nuk bien dakord me prodhuesit është edhe programimi për “jetëgjatësinë” e një pajisjeje të caktuar. Duke filluar që nga smartfone-t e deri tek lavatriçja, ne shumë mirë e dimë që nëse secila prej tyre nuk funksionon mirë dhe i duhet ndërruar ndonjë pjesë është më mirë që ta sheshim dhe të blejmë një të re sesa ta riparojmë, sepse ato janë ndërtuar në një mënyrë të tillë ku riparimi është i vështirë për t’u bërë. Privatësia është gjithashtu në rrezik. Përdoruesit u habitën kur doli se iRobot, një prej fshesave me vakum sipas teknologjisë më të fundit, jo vetëm që pastronte dyshemenë, por krijonte edhe një hartë dixhitale të ambienteve të brendshme të shtëpisë, e cila lehtësisht mund të aksesohej dhe të përdorej nga prodhuesi, edhe pse këta të fundit thonë se nuk kanë ndër mend ta bëjnë këtë gjë. Fermerët janë një kategori tjetër që po preken nga pushtimi dixhital.
Ata ankohen se nëse kriza i godet në kohë të gabuar, vendimi i John Deere, një prej kompanive më të mëdha prodhuese të pajisjeve dhe makinerive që përdoren në bujqësi apo në ndërtim, për të përdorur vetëm softuerë të autorizuar, mund të rezultojë në një vendim shkatërrues. Por të shumtë janë ata që nuk po i binden këtij “urdhri” dhe po marrin softuerë të hakuar nga Europa Lindore. Shembuj të tillë duhet t’u kujtojnë njerëzve se me sa fanatizëm ata duhet t’i mbrojnë të drejtat e tyre pronësore.
Ata duhet të luftojnë që të kenë të drejta të plota mbi pronësinë e tyre, dhe nëse duan edhe ta ndryshojnë, ta modifikojnë atë dhe mbi të gjitha të jenë ata që të kontrollojnë të dhënat që ajo mbart. Në Amerikë kjo ide është pasqyruar në lëvizjen e madhe të njerëzve nën sloganin “e drejta për të riparuar” dhe të shumta janë ato shtete të cilat po e konsiderojnë për ta miratuar si ligj, të drejtën për të riparuar pajise të ndryshme.
Parlamenti Europian dëshiron që prodhuesit të prodhojnë mallra, të tilla si lavatriçet, por që të jenë lehtësisht të riparueshme. Në Francë prodhuesit e pajisjeve elektroshtëpiake duhet t’u tregojnë blerësve se sa është jetëgjatësia e pajisjeve të tyre. Rregullatorët duhet të nxisin konkurrencën, për shembull, duke këmbëngulur që dyqanet e pavarura të riparimit të kenë të njëjtin akses në informacionin e produktit dhe pjesëve rezervë me informacionin që kanë edhe prodhuesit, rregulla këto që tashmë janë standarde në industrinë e makinave.
Pronësia nuk mund të zhduket, por çka është e vërtetë është se kuptimi i saj po ndryshon. Dhe kjo kërkon një shqyrtim më të kujdesshëm. Në përgjithësi, pajisjet e ndryshme shiten duke u dhënë njerëzve që i blejnë ato liri të plotë për të bërë çfarë të duan. Por për aq kohë sa ato kontrollohen nga dikush tjetër, kjo liri cenohet.