Slogani mitik i viteve ’90, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishte sa politik, aq edhe ekonomik. Shqiptarët kishin 45 vite që shihnin me ëndje dhe kureshtje jetën matanë detit, sa për liritë shoqërore e politike që ajo ofronte, aq edhe për mirëqenien ekonomike që shtetet e Europës Perëndimore siguronin për banorët e tyre.
Dëshira për të jetuar si “perëndimorë”, jo vetëm në sjellje, por edhe në çka konsumonin, u kthye në qëllimin kryesor të shqiptarëve në vitet e para të tranzicionit.
E, në fakt, natyrshëm individualisht shqiptarët u drejtuan nga ekonomitë perëndimore. E, po natyrshëm, tregu shqiptar u mendua se do të ishte me interes për investuesit me origjinë nga Perëndimi, në radhë të parë dy shtetet e BE-së, fqinje me Shqipërinë. U duk se ëndrra po kthehej në realitet.
Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri u rritën në mënyrë konstante deri në vitin 2009, duke kaluar nivelin e 11% të PBB-së. Italia dhe Greqia ishin vendet kryesore të origjinës, por edhe Austria, Franca, apo Spanja shfaqeshin si partnerë të rëndësishëm në disa sektorë strategjikë të vendit. Kapitali perëndimor ndikoi në rritjen ekonomike në disa drejtime.
Më i dukshmi ishte investimi në makineri dhe kompani të reja, të cilat punësuan njerëz dhe rritën prodhimin vendas në disa sektorë. Por mbase ndikimi më i rëndësishëm ishte në kapitalin njerëzor. Kompanitë perëndimore nuk sollën vetëm kapital dhe makineri. Mbi të gjitha, ato sollën njohuri, përvojë dhe një rrjet ndërkombëtar partnerësh e klientësh.
Shtresat e reja profesioniste të vendit, nga bankierët tek inxhinierët, u formuan shpesh, duke punuar me kompanitë e mëdha ndërkombëtare dhe duke përfituar nga njohuritë që ato sillnin me vete. Më shumë se kushdo, ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa po e luanin pikërisht këto të fundit.
Kriza Globale Financiare, që nisi në vitin 2008, u duk se në vijim frenoi hyrjet e reja të kapitalit perëndimor në Shqipëri. Strategjitë e mjaft kompanive perëndimore të pranishme në Lindje ndryshuan, duke frenuar zgjerimin në tregje si Shqipëria, që konsideroheshin si më pak të qëndrueshme e të rregulluara.
Por me kalimin e viteve, e veçanërisht pas vitit 2013, u shfaq edhe fenomeni i ikjes, kryesisht për shkaqe të brendshme. Problematikat në klimën e biznesit, veçanërisht ato që lidhen me konkurrencën, aspektin fiskal, sjelljen e institucioneve qeveritare e rregullatore, gjyqësorin, korrupsionin e një sërë të tjerash të ngjashme me to, zbehën interesin për të qenë të pranishëm në tregun shqiptar.
Investimet e Huaja Direkte po ndjekin një tendencë të vazhdueshme rënëse dhe sot janë thuajse 7% e PBB-së. Një e nga një, kompanitë e mëdha perëndimore po largohen nga vendi. Akoma më tej, origjina e këtyre investimeve ka ndryshuar dukshëm kah.
Është tërhequr Greqia, janë zhdukur francezët, ka shumë pak investime të reja italiane, apo austriake. Vendin e tyre e kanë zënë investimet kineze, turke, dhe … hungareze. Kuptohet që çdo kapital i thithur është më mirë se asgjë, e çdo investitor është i mirëpritur, por nuk ka se si të mos bjerë në sy ky ndryshim kaq i dukshëm i burimit të investimit.
Do të ishte e padrejtë të paragjykonim këdo, por krahasimi i emrave dhe historikut të kompanive përkatëse të huaja nuk lë vend për shumë debat, apo për shumë optimizëm. Tashmë zyrtarisht Shqipëria është shndërruar në një ekonomi pak tërheqëse dhe të vlefshme për investues të huaj seriozë, apo më me emër se ata që arriti të tërheqë në vitet e hershme të tranzicionit.
Mbase jo rastësisht, ekonomia shqiptare ka ulur ndjeshëm ritmet e rritjes në dekadën e fundit. Aty ku dikur konkurronin kompani me profil botëror, të afta për të konkurruar me produktet dhe njohuritë më të fundit në fushat e tyre, sot janë të pranishëm vetëm disa aktorë lokalë dhe kompani të huaja me ndikim të kufizuar përtej vendeve të tyre të origjinës.
Por nuk është vetëm ndikimi ekonomik, shqetësimi i vetëm i kësaj tendence. Profili më i ulët ndërkombëtar do të ishte shqetësimi më i vogël nëse vendet e origjinës do të ishin ato të viteve ‘90 apo 2000. Por edhe gjeografia e vendeve të origjinës është e ndryshme.
Vendet e investitorëve të rinj shfaqen më shpesh në lajmet ndërkombëtare për probleme me demokracitë e brendshme, përfshirje të tepruar të shtetit në tregje dhe me kompani private dhe skandale korruptive, sesa për arritje të theksuara ekonomike, teknologjike apo shkencore.
Këto të fundit janë pikërisht problemet kronike që po shoqërojnë Shqipërinë në vitet e fundit. Aq kronike janë bërë problemet institucionale e politike të vendit, sa dhe raportet e fundit ndërkombëtare mbyllen rregullisht jo më me rekomandime të karakterit makroekonomik, por gjithmonë e më shumë me këshilla për rregullimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve të brendshme.
Nëse paraja sjell me vete dhe vlera, është e qartë që paratë që po hyjnë në Shqipëri rishtazi, nuk ndajnë detyrimisht vlerat e sloganit “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Shqipëria nuk ka luksin t’i mbyllë dyert asnjë investitori. Ajo duhet të jetë e hapur për këdo, duke i ofruar sigurinë dhe mbrojtjen që meritojnë. Por është po aq e qartë që gjithmonë e më pak investitorë perëndimorë i gjejnë këto kushte në vend. Gjithmonë e më shumë, vendin e tyre po e gjejnë pikërisht ata të cilët tregjet vendase i kanë mësuar të përballen me problemet e Shqipërisë.
Nuk janë të rralla edhe sinjalet në media, mbi dritëhijet që shoqërojnë origjinën e vërtetë të kapitalit të vendeve të Lindjes që papritmas kanë marrë një vrull zgjerimi, duke ngritur edhe shqetësime të natyrës gjeopolitike. Për pozicionin e saj dhe interesat strategjike të vendit, institucionet qeveritare nuk duhet t’i anashkalojnë lehtë këto shqetësime.
Sidomos në një periudhë ballafaqimesh Perëndim-Lindje, për institucionet shqiptare “paraja duhet të ketë atdhe”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.