Janë të shumtë piktorët shqiptarë si brenda dhe jashtë vendit që mbas viteve 90′ të diktuar nga ekonomia e tregut janë vënë mes dilemës së krijimit të artit të vërtetë dhe fitimit të çastit. Sigurisht një pjesë prej tyre, falë talentit, fatit dhe përshtatjes së kërkesave të reja moderne të biznesit ndërkombëtar të pikturave kanë arritur sukses, nëpërmjet hapjes së ekspozitave vetjake si në Europë deri në SHBA, por këta janë fare të paktë, në krahasim me dhjetra breza artistësh të talentuar të përgatitur nga mjeshtra në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Eksodi i piktorëve, ashtu si dhe i shumë artistëve të tjerë të fushave të artit, njohu vrullin më të madh menjëherë mbas hapjes së Shqipërisë me Botën, që padyshim ishte dhe vazhdon të jetë ndër më të dhimbshmit. Piktorët jashtë vendit, fitimet më të mëdha në restaurim ikonash, portrete klientësh dhe kafshëshQindra piktorë dhe skulptorë të rinj të talentuar, por dhe pedagogë të tyre që ishin përgatitur në ILA në Tiranë, përfunduan mbas këtij eksodi në shumicën e rasteve në dyert e kishave në Greqi dhe Itali, duke restauruar ikona dhe duke u shfrytëzuar barbarisht dhe paguar minimalisht. Në një “eksod” të tillë isha i pranishëm papritur edhe vetë së bashku me disa piktorë mes të cilëve Arjan Morina dhe Ermir Grezda, menjëherë mbas eksodit të madh të vitit 1990 drejt Italisë. Artistët e talentuar përfunduan direkt në restaurime kalash të vjetra në Jug të Italisë. Por janë me qindra ata piktorë dhe skulptorë shqiptarë, që talentin e tyre e kanë shkrirë tashmë, duke u bërë pre e fitimeve të momentit të biznesit të artit dhe fatkeqësisht, pavarësisht reklamave të herëpashershme për ” suksese të piktorëve shqiptarë”, jashtë vendit, pjesa dërrmuese e tyre punon art për të mbijetuar. Piktori Besnik Trungu, i diplomuar në ILA, përpara viteve 90, autor i disa ekspozitave të shkëlqyera në Tiranë së bashku me shumë kolegë të tij tashmë punon në emigracion në Gjermani. “Shfrytëzoj çdo panair, jo vetëm brenda territorit gjerman, por kudo në Europë, për të pikturuar kafshë shtëpiake që më ofrohen nga klientët”,-thotë piktori Trungu, i cili ka edhe faqen e tij në Internet, ku paraqet punimet e tij. “Për një pikturë mace ose qeni paguhem 50-70 euro, ndërsa për kafshë të tjera më të rralla si gjarpërinj, minj, skifterë apo deri tek tigra paguhem më tepër, deri në 100 euro”,- thotë Trungu. Sipas tij, shfrytëzohet çdo rast, që i jepet, duke pikturuar edhe vetë klientët ose baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit, duke u bazuar në fotografitë e tyre dhe gjithmonë në një konkurrencë të lartë. Por piktorit të talentuar i vjen keq, që për momentin ka hequr dorë nga arti i vërtetë. “Është mjaft e vështirë dhe duhen mijëra euro të hapësh një ekspozitë të vërtetë pikture, pa futur këtu shpenzimet e mëdha për reklama, por ëndrra është e fortë”, – shprehet piktori. Blerësit më të mëdhenj të pikturave në vend, entet e fuqishme shtetërore dhe organizatat e huajaEdhe brenda vendit mbijetesa e artistëve, duke përfshirë edhe piktorët, është bërë mjaft e vështirë dhe diktohet jo vetëm nga numri i lartë i një brezi tjetër të talentuar, por dhe nga shijet që kanë filluar të bastardohen, ku jo vetëm institucione shtetërore, por dhe organizata të huaja që veprojnë në vend, blejnë punime të dobëta për hesap të vet, që në shumë raste janë të lidhura me “pazare” personale. Janë të rrallë ata klientë, kryesisht biznesmenë që njohin edhe artin, të cilët arrijnë të vendosin në ambientet e tyre, vepra arti në pikturë apo skulpturë me vlera të veçanta artistike. Shitja e punimeve artistike, kryesisht pikturës, është kthyer tashmë në një biznes pak fitimprurës në tregun shqiptar. Sipas një vëzhgimi, në kryeqytet ekzistojnë rreth 10 galeri arti të mirëfillta, ku më të njohurat janë, galeria “T&G”, “Gjikondi”, “Erebara”, “Prizreni”, “Petrela” etj. Ndërkohë në zona të ndryshme syri të zë mjaft dyqane ku gjen të ekspozuar piktura me tematikë dhe çmime të ndryshme. Tefik Dedej pronari i të parës Galeri arti në Tiranë shprehet se, “Pas një përvoje të gjatë në ekspozimin e artit figurativ shqiptar në vende të ndryshme të Botës, më lindi ideja të çelja një galeri artesh në Tiranë.” Kjo ide, sipas artistit, lindi jo vetëm për të ekspozuar punët e tij, por edhe për të sjellë një frymë të re në artin figurativ. Tefik Dedej, drejtor i galerisë “T & G”, ku janë të ekspozuara punime të piktorëve të njohur dhe të rinj të talentuar, kryesisht peizazhe, por nuk mungojnë edhe punime me tematikë patriotike dhe portretet, shprehet se mund të kishte fitime shumë më të mëdha në rast se do të merrej me çdo lloj aktiviteti tjetër tregtar, por pasioni për artin e ka shtyrë deri tani të punojë në këtë fushë. Sa janë çmimet e pikturave në TiranëNë fakt, duke vizituar galeritë e Tiranës, shqetësimi i pronarëve, që kryesisht janë artistë të njohur, është i njëjtë, rënia e blerjeve, taksat dhe qiratë e larta të ambienteve. Qamil Prizreni, një piktor i njohur, thotë se u detyrua të mbyllte galerinë e vogël të tij, poshtë Pallatit të Shallvareve, megjithëse aty përsëri kalon mbrëmjen, për faktin se nuk ka asnjë mbështetje për këtë art. Piktorët bëjnë një pakt me pronarët e galerive për shitjen e punimeve të tyre, duke vendosur vetë çmimin, por dhe përqindjen që do të marrë Galeria. Nga ana tjetër, pronarët e Galerive pranojnë punime, që i cilësojnë edhe vetë të arrira nga niveli artistik, me përjashtime të rasteve të veçanta kur piktori këmbëngul për paraqitjen e tyre dhe për çmimin që do të paguajë duke vendosur veprën e tij në muret e Galerisë. Pikturat kanë çmime të ndryshme që variojnë nga 3 mijë lekë deri në 50 mijë lekë. Pronarët e këtyre galerive shprehen se, klientët mund të ndahen në disa kategori, siç janë institucionet dhe entet shtetërore, ambasadat, koleksionistët dhe në fund klientët e thjeshtë, të cilët i blejnë këto vepra arti për mobilimin e shtëpive. Sipas tyre, shitjet më të shumta regjistrohen gjatë muajve të verës, stinë e cila përkon me kthimin e emigrantëve në atdhe për pushime, të cilët blejnë mjaft punime artistike, që përmbajnë në vetvete elemente të traditës shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.