Një biznes i ri agroturizmi në Shijak, me një investim prej 40 milionë lekësh pritet t’i japë hov turizmit të brendshëm dhe të huaj dhe të nxisë zhvillimin dhe punësimin e gjithë zonës
Mastershefi Fundim Gjepali e ndan pasionin e tij mes Romës, ku është aksioner në një lokal të njohur, Tiranës ku menaxhon restorantin “Padam” dhe Shijakut, ku po ndërton një fermë për agroturizëm.
Ai thotë se me restorantin“Padam”, një ndër më të njohurit në Tiranë, ka realizuar ëndrrën që të shohë turistët e huaj në lokalin e tij.“Vij nga një familje tregtarësh e kohës së Zogut, por që e filloi tregtinë sërish menjëherë pas viteve ‘90, dhe i ndiqja të familjes kur isha i vogël dhe tashmë kam realizuar një ëndërr, që të huajt që dikur i shihja të kalonin te Hotel Dajti, tani i shoh që vijnë në ‘Padam’”, thotë ai.
Fundimi u ka dhënë rëndësi produkteve shqiptare. “Shumë produkte të zonës sime i kam transformuar”, pohon ai. Ka qenë ndër të parët në Tiranë që ka futur verërat shqiptare, përkundrejt skepticizmit që kishte hasur nga të tjerët. Në darka biznesi, ai çon gjithnjë oferta me produkte shqiptare. “Pse të pinë ‘Amaro’ italiane dhe jo raki shqiptare”, pohon ai, duke shtuar se këtu në Shqipëri po prek disa produkte, që në Itali e Francë janë një luks, por në Shqipëri i gjen lehtë.
Ky është një moment historik i transformimit të Shqipërisë, pohon ai, falë njerëzve që besojnë e rrezikojnë dhe harxhojnë kursimet e marrin kredi në banka. Pikërisht pasioni dhe dashuria për vendin, e shtynë atë të bënte diçka në Shqipëri, ndonëse ishte mirë në Romë, ku është aksioner në një nga restorantet më të njohur të kryeqytetit italian.
Prej disa vitesh, Fundimi ka hedhur hapa të qëndrueshëm në krijimin e fermës në Shijak, zonë ku familja e tij kishte tokat e veta. Ai nuk hoqi dorë nga rritja e shpendëve dhe blegtoria, me synim prodhimin e produkteve organike. Fundimi ka menduar për gjithçka që nga A-ja, pasi prej 7-8 vitesh ka mbjellë misër e grurë dhe në atë kohë njerëzit e merrnin për të çmendur. Sot ai po përfundon fermën e tij të përshtatur për agroturizëm.
Ai po investon në trojet e familjes dhe po përpiqet që të kthejë kuzhinën që e ka pasur traditë nga gjyshja, teksa pohon se vjen nga një familje e madhe e zonës. Mbështetja nuk ka munguar as nga Bashkia e Shijakut dhe as nga Ministria e Bujqësisë.
Fundimi e ka gati biznes-planin për ngritjen e biznesit të agroturizmit. Investimi është rreth 40 milionë lekë dhe planifikohen të punësohen rreth 20 banorë të zonës në fusha të ndryshme. Kthimi nga investimi pritet i shpejtë për rreth 2 vjet, pasi siç thotë ai, këto biznese kanë kthim të shpejtë.
Pjesa e rëndësishme e agroturizmit, thotë ai, është që të konsumohen produktet e prodhuara vetë ose të zonës. Një model i mirë se si agroturizmi nxit zhvillimin e gjithë zonës është edhe ai i Mrizit të Zanave në Fishtë të Lezhës.Edhe investimi në zonën e Shijakut do të jetë stimulues për banorët e zonës për të rritur prodhimet e tyre.
Mishin e shpendëve do ta prodhojë nga ferma e tij, qumështin po ashtu, fruta-perimet do t’i prodhojë vetë, por do të marrë edhe nga banorët e zonës.
Një risi është edhe vëmendja për produktet vegjetariane. Fundimi thotë se në botë, kjo tendencë është mjaft e njohur në botë, por edhe në Shqipëri është shtuar kujdesi për ushqimin, duke ulur konsumin e mishrave të kuq. Interes tëmadh ka edhe për produktet e fshatit.
Rreziku i mbiinvestimeve
Ashtu si në çdo fushë, ku biznesi më i lehtë është të kopjosh tjetrin, sapo shikon që atij po i ecën mirë, edhe agroturizmi rrezikohet nga mbiinvestimet.
“Po bëhen shumë njerëz që po tentojnë të bëjnë restorante në fshatra”, thotë Fundimi, duke shtuar se pjesa e agroturizmit është kulturore dhe me traditë dhe nuk mund ta bëjë kushdo.
“Do të kenë punë ata që do të bëjnë diferencën”, paralajmëron ai.
Potencial për agroturizëm
Në vitin 2017, Shqipërinë e vizituan një numër rekord të huajsh prej 5.1 milionë personash, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e mëparshëm. Gati gjysma e tyre erdhën për qëllime turistike. Edhe këtë vit, tendenca pritet të jetë në rritje. Hotelet në zonën e Golemit raportojnë që janë tashmë të rezervuar dhe sezoni është zgjatur nga maji në tetor.
Këtë vit ka një rritje të prenotimeve nga nordikët, të cilët kanë rezervuar kryesisht vetëm fjetjen dhe mëngjesin, dhe pritet të “eksperimentojnë” me restorantet në zonën e Durrësit e Tiranës.
Fundimi thotë se agroturizmi në shumicën e rasteve ka klientelën vendase, ndërsa përqindja e të huajve është e ulët. Megjithatë, ai pranon se turizmi është potencial dhe ndihmë për të orientuar turistët drejt agroturizimitdo të jenë turet gastronomike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.