Festimet në kohë pandemie janë përkufizuar nga dëshira për të qëndruar larg zonave me shumë popullim. Rezervimi i vilave me qira apo agroturizmet ishin tendenca që u shfaqën në fund të 2020 dhe fillim të 2021. Nga ana tjetër, hotelet kanë përjetuar vitin më të keq në rezervime për paketat e fundvitit, duke vuajtur kufizimet mes vendeve të rajonit dhe paqartësisë për respektimin e orarit. Nga destinacionet, vetëm Korça i ka mbijetuar situatës me rezervime të larta. Lokalet e natës dhe baret nuk arritën të marrin “oksigjenin” që prisnin, duke ulur qepenat në 20:30, ndërkohë që kantinat e verës e kanë cilësuar këtë periudhë si më të dobëtën ndër vite
Nertila Maho
Të gjeje një vilë të disponueshme në një nga komplekset në bregdet për fundvitin, ngjante me një mision relativisht të vështirë. Në disa raste, kishte të lira, por çmimet ishin disi të kripura e në të tjera, nuk kishte vila të lira. Dëshira për të festuar, pavarësisht kufizimeve, duket se zgjoi pikërisht këtë tendencë për të dalë jashtë mureve të shtëpisë, në një tjetër ambient, afër detit me familjen.
Qiraja e një nate për një vilë, sipas kërkimit të bërë për disa komplekse në zonën e Gjirit të Lalëzit, varion mesatarisht 70-120 euro nata, por nuk përjashtohen alternativa disi më ekonomike apo edhe më të shtrenjta sesa kjo mesatare. Kufizimet e reja nga qeveria, në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, detyrojnë mbylljen nga 20:30, ndaj varianti i një vile në bregdet është parë si mundësi për kohë më cilësore me njerëzit e dashur, larg rutinës së përditshme.
Eraldo Sheko, zëvendësdrejtor i “Resort Operation & Hospitality Department” në “Green Coast Resort and Residences”, pohon se interesi mbetet i lartë. “Është e vërtetë që dëshira e njerëzve për më shumë privatësi, distancim dhe komoditet ka shtuar interesin për të investuar apo për të qëndruar në ‘Green Coast’ dhe kërkesat janë në rritje të vazhdueshme.
Kemi vënë re që sezoni turistik është zgjatur dhe kompleksi frekuentohet edhe përtej shtatorit. Edhe tani gjatë periudhës së festave të fundvitit ka pasur shumë kërkesa për apartamente apo vila me qira. Për shkak të disa tipologjive vilash si: Individuale, Twin dhe Familjare, cilido që ka investuar më herët, po i merr sot frytet e investimit. Shërbimet në resort nuk mungojnë gjatë gjithë vitit dhe si banorët ashtu dhe vizitorët e gjejnë veten fare mirë në shumëllojshmërinë e përvojave të plazhit, malit, agroturizmit dhe trashëgimisë kulturore” – thotë Sheko.
Në zonën e Gjirit të Lalëzit, dhënia me qira e vilave apo apartamenteve është menaxhuar kryesisht nga vetë zotëruesit e tyre ose nëpërmjet të njohurve. Ilir Konomi nga agjencia “Albanian Property Group”, tha se interes ka pasur, por kur ai kufizohet në vetëm një natë, nuk ka shumë peshë në totalin e zhvillimit të tregut dhe zotëruesit e tyre refuzojnë ta kalojnë për shfrytëzim.
“Me interes është kur vilat apo apartamentet jepen 3-7 ditë ndërsa tendenca vetëm për një natë me shoqërinë është shmangur, edhe pse ka pasur kërkesë” – tha Konomi. Gjithsesi, një gjë është e sigurt, komplekset e bregdetit janë më të gjallëruara se vitet e tjera pasi edhe në rastet kur apartamentet apo vilat nuk janë lënë me qira janë shfrytëzuar nga vetë të zotët për të bërë diçka ndryshe.
Për komplekse me vila më luksoze në pjesën e Jugut, qiradhënia me ditë nuk parapëlqehet. Klajdi Memajdini, nga “Devinf”, thotë se ata që marrin me qira vila luksoze të kësaj natyre nënshkruajnë kontrata më afatgjata me periudha njëvjeçare. “Grupi i individëve që zotërojnë këto lloj vilash duan të njohin qiramarrësin e tyre dhe të kenë një marrëdhënie më afatgjatë sesa disa ditë festash, ndaj në fundvit kjo kategori vilash më luksoze nuk ka frekuentim nga të tretë sikurse mund të ndodhë në disa komplekse të tjerë” tregon ai.
Korça, Dardha, Voskopoja destinacionet më popullore
Thuajse çdo vit, shqiptarët ndaheshin mes disa destinacioneve për pushimet dimërore dhe kjo nuk përfshinte vetëm ato brenda vendit por edhe disa prej resorteve më popullorë në rajon, si në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut apo Kosovë. Agjencitë kanë reklamuar aktivisht oferta sidomos me Maqedoninë e Veriut, por blerja e tyre ka qenë në nivele modeste, ndërkohë që nga Kosova, vendosja e kushtit të testit për COVID-19 stepi edhe atë grup që kishin në plan të orientoheshin drejt këtij vendi.
Pasiguria dhe zhvillimet me pandeminë i kanë bërë shqiptarët të kërkojnë mundësi të sigurta brenda vendit, ashtu sikurse ka ndodhur kudo në botë. Këtë më së miri e tregon platforma “Booking”, ku menjëherë sapo klikon për të përzgjedhur një destinacion, njoftohesh se më popullorët në vendin tënd janë Korça, Tirana, Voskopoja, Dardha dhe Pogradeci. Rritja e kapaciteteve akomoduese në qytetin juglindor, si efekt i rritjes së kërkesës së vazhdueshme vit pas viti, ka bërë që edhe në ditët e fundit të kishte dhoma të lira, por çmimet nuk ishin aq ekonomike.
Në zona si Dardha e Voskopoja, ku kapacitetet janë më të kufizuara, mundësitë për të gjetur dhoma të lira ishte thuajse afër zeros, kurse brenda në qytet, nga data 30 dhjetor 2020 deri më 3 janar 2021, shumica e hoteleve ishin tërësisht të rezervuara. Pothuajse të gjitha opsionet që ofroheshin varionin në një mesatare prej 50-12 mijë lekësh për një dhomë standarde dyshe, përfshirë mëngjesin.
Pjesa më e madhe në shtëpi për fundvit, s’ka club-e e bare
Mungesa e bareve, restoranteve dhe klubeve të natës pas orës 20:30 kthen shtëpitë si oazet e vetme të festimit në një vit atipik me pandeminë. Situata jo e favorshme për subjektet që bëjnë pjesë në një nga kategoritë si bare, restorante apo club-e nate ka bërë që pjesa më e madhe e tyre ta shohin dhjetorin e 2020 si muajin më të dobët që nga nisja e pandemisë. Janari mbetet ende i pasigurt për rrjedhën që do të ketë situata. Enri Jahaj, nga Shoqata e Bareve dhe Klubeve të Natës, tha për “Monitor” se ecuria është tejet negative.
“Festimi tradicional i fundvitit me shoqërinë apo njerëzit dashur në lokale e club-e të natës këtë vit po zëvendësohet nga festimet brenda shtëpisë. Ajo shprehja deri në 00:00 me të shtëpisë dhe më pas me shoqërinë, do të kthehet deri në 20:30 me shoqërinë e më pas me të shtëpisë. Situata e bareve dhe club-eve është shumë e rëndë dhe një pjesë e tyre janë në prag falimenti.
Dhjetori që ka qenë një ndër muajt më të mirë, është një nga më të dobëtit që kemi parë.. Ndryshimi i orarit të kufizimeve nga ora 22:00 në 20:30 thuajse bën joekzistent turnin e dytë. Cilido që del nga puna nuk vjen direkt në lokal por shkon një herë në shtëpi. Me këtë orar nuk ka më kohë fizike për të ndjekur rutinën e zakonshme. Do të shkojë në shtëpi dhe nuk do dalë më. Nga 1200 bare, pjesë e shoqatës, të paktën 30% e tyre deklarojnë se janë në rrezik mbylljeje.
Nga hapja e ekonomisë pas karantinës, muaji dhjetor ka qenë më i keqi. Shtatori ishte disi më mirë kurse muajt tetor e nëntor kanë qenë në rënie graduale” – shprehet Jahaj. Sipas tij, duhet të ketë një vëmendje më të madhe për sektorin që ka një numër të konsiderueshëm të punësuarish dhe që po kalon vështirësi të jashtëzakonshme për shkak të kufizimeve pavarësisht përpjekjes dhe kostove për të respektuar protokollet e vendosura nga qeveria.
Hotelet të paqartë mbi masat, paketat e fundvitit mbetën pezull
Në fillim të dhjetorit, hotelet në vend nisën që të reklamonin paketat e tyre të festimit të fundvitit me shpresën se gjërat do të ishin disi më ndryshe dhe do të kishte pak qarkullim. Por vendosja e kufizimeve të reja në orar dhe të paqarta për mënyrën sesi do të funksionojnë strukturat hoteliere, e kanë zbehur pritshmërinë pozitive. Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”, thotë se duke parë ecurinë e dhjetorit, muaji janar do të jetë shumë i vështirë.
“Ne si hotel kishim folur me disa agjenci që do të sillnin turistë në hotelin tonë. Flasim për agjenci të tregut të Kosovës. Vendimi i fundit i qeverisë sonë për uljen e orarit të kufizimit dhe ai i Kosovës për testin dha një goditje në kërkesë dhe shumica zgjodhën të mos rrezikojnë dhe kanë anuluar. Ka një problem sa u takon hoteleve pasi nuk është i qartë pozicioni i tyre lidhur me kufizimet.
Kjo do të thotë se pas orës 23:30 nuk lejohet qarkullimi i lirë por brenda në strukturë mund të vijojë aktiviteti normal apo do të jetë mbyllur gjithçka. Pjesa e fundvitit është e varfër. Dhomat e zëna në këtë periudhë janë sa gishtat e duarve dhe nga vendas. Ishte planifikuar që të vinin bullgarë me agjenci por nuk erdhën. Ishin të paktën 200 persona, por u anuluan. Rezervimet nga Kosova nuk e dimë si do të shkojnë tani. Nuk ka mbetur optimizëm” – shprehet Çerenishti.
Sipas tij, gjatë kësaj kohe ishte investuar në marketing dhe u mendua që do të kishte fluks në fund të 2020 dhe fillim të 2021 nga vendet e rajonit.
“Tashmë me mungesën e theksuar të qarkullimit dhe një lloj stimuli financiar që menduam se do të kishim, nga kjo periudhë, janari do të jetë një muaj negativ. Ne mbajtëm stafin në punë dhe me sigurim të plotë rreth 95 persona, pikërisht për shkak të festave, por tani do të jemi të detyruar t’i largojmë, pasi nuk i përballojmë dot kostot. Janari do të ketë largime masive të punonjësve sidomos në sektorin e turizmit, pasi edhe shkurti e marsi janë muaj të errët për turizmin tradicionalisht” – tregon administratori i “FAFA Group”.
Gjithsesi disa hotele në bregdetin shqiptar ia kanë dalë të kenë grupe të organizuara nga rajoni. Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm në hotelet “Royal G” shprehet se me kufizimet e reja, festimet janë kufizuar brenda shtëpisë dhe nuk ka rëndësi sa paketa joshëse mund të hartojë një strukturë.
“Ne kemi bërë gati paketa dhe kemi disa rezervime nga Bullgaria dhe do t’ua plotësojmë dëshirën duke organizuar edhe festën simbolike në hotel. Nuk besoj se do të kemi kufizime, pasi hoteli duhet të konsiderohet njëlloj si shtëpia që brenda tij nuk ka rëndësi në cilin ambient je duke qëndruar, mjaft të respektosh kufizimet që aplikohen jashtë dhe protokollet për brenda. Para kufizimeve ka pasur një interes të jashtëzakonshëm për hotelet në Durrës sidomos nga jashtë Shqipërisë.
Këtë vit, edhe pse ka një prani të bullgarëve që ne e kemi pasur çdo vit numrat janë më të paktë. Janë ata që kanë ardhur me organizim individual kurse ata me agjenci nga vendet si Rumania dhe Bullgaria u anuluan. Aktualisht, zënia e dhomave sipas shifrave të rezervimeve që kishim aktive është 50% nga këta shqiptarë janë vetëm 5% e rezervimeve. Paketat që kemi hartuar kanë qenë të menduara gjatë dhe ekonomike për të tërhequr pushues por situata nuk na favorizon shumë” – thotë Norja.
Sipas tij, janari pritet të jetë një muaj problematik pasi përfshirja edhe e testit nga ana e Kosovës për shtetasit që hyjnë në kufirin e saj do të dekurajojë ardhjen drejt Shqipërisë. Sipas operatorëve, janari pritej që të ishte një muaj i dobët por nivelet reale që po shihen qartë tani janë shumë larg pritshmërisë. Me mbylljen e fundit, turistët nga Kosova, ndoshta do të zënë 2-3% të ardhjeve në Durrës gjatë këtyre ditëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.