Më 12 tetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi përmbledhjen e gjetjeve pas misionit të radhës në Shqipëri. Ky dokument vjen pas disa zhvillimesh të rëndësishme ekonomike e politike në vend. Goditjet e pësuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe masat kundër pandemisë në vitin 2020 do të vazhdojnë të kenë ndikimet e tyre, sidomos mbi financat publike. Nga ana tjetër, fillimi i punës së një qeverie të re është momenti për të rikujtuar problemet afatgjata me të cilat përballet ekonomia shqiptare.
Tri janë fushat mbi të cilat përqendrohen rekomandimet.
Së pari, në lidhje me treguesit fiskalë dhe financat publike, FMN përsërit sërish mesazhet e raporteve të mëparshme të saj të hershme, duke treguar se shumë nga problemet afatgjata të sektorit vazhdojnë. Rritja e borxhit dhe deficitit në dy vitet e fundit ishte e pritshme dhe e këshillueshme. Por administrimi i financave publike para goditjeve tregon se ulja e borxhit publik në të ardhmen do të jetë e vështirë.
Megjithëse u zotua në vitin 2013 për të ulur nivelin e borxhit publik nën 60% të PBB-së, qeveria dështoi me këtë objektiv deri në vitin 2019. Objektivi i FMN-së, për një borxh nën 65%, kësisoj duket jo thjesht i vështirë për t’u realizuar, por mund të krijojë dhe probleme nëse kufizon investimet e nevojshme publike.
Për ta arritur këtë objektiv, FMN kërkon ndryshimin e disa politikave që kanë karakterizuar qeverisjen e dy mandatave të fundit. Një sërë stimujsh fiskalë – ulje ose eliminim i taksave dhe detyrimeve për biznese të ndryshme, me shpresën se do zhvillonin më tej sektorët përkatës – nuk kanë sjellë efektet e pritura. Fondi duket i rezervuar në gjuhën e përdorur, por stimujt fiskalë kanë krijuar një kod tatimor të komplikuar dhe të padrejtë, ku dukshëm avantazhohen biznese specifike, pa krijuar asnjë nxitje të zhvillimit ekonomik.
Raporti përmend sërish rreziqet të cilat lindin nga një sërë detyrimesh që qeveria ka marrë në formën e Partneriteteve Publike-Private dhe kontratash të tjera, shpesh edhe në mënyrë jotransparente. Siç e kemi përmendur edhe në numrat e mëparshëm, megjithëse ato nuk paraqiten zyrtarisht si pjesë e borxhit, praktikisht duhen llogaritur në të njëjtën mënyrë. Por duket se alarmet e vazhdueshme për këtë problem po bien në vesh të shurdhër, pasi deri më sot, qeveria duket e vendosur të vijojë në këtë rrugë.
Së dyti, në treguesit monetarë dhe financiarë, FMN mendon se rreziqet e një krize afatgjatë inflacioniste janë të pakta dhe se presionet aktuale do të jenë kalimtare. Ky është një lajm i mirë, sidomos për shtresat në nevojë, të cilat janë më të rrezikuarat nga rritja e shpejtë e çmimeve. Nga ana tjetër, Fondi ngre shqetësime në lidhje me tregun e brendshëm bankar, të cilat duket se kanë qenë larg fokusit të diskutimeve publike deri më sot. FMN vë në dukje largimin e një sërë bankash me selitë qendrore në shtetet e BE-së.
Së treti, dhe më e rëndësishmja, problemet afatgjata ekonomike të Shqipërisë mbeten ato të natyrës institucionale dhe politike. Raporti i përmend në fund, por dukshëm këto janë problemet kryesore të cilat duket se kanë bllokuar konkurrencën dhe zhvillimin e vendit.
Korrupsioni dhe konkurrenca e padrejtë mbeten faktorët kryesorë që pengojnë zgjerimin e kompanive të brendshme dhe thithjen e investitorëve të huaj seriozë – mesazh i cili po përsëritet vazhdimisht edhe nga të gjithë ambasadorët perëndimorë në vend. Edhe shqetësimet e përmendura në lidhje me financat publike dhe sektorin bankar, po ashtu duket se ngrihen pasi konsiderohen produkt i problemeve të korrupsionit.
Gropat e financave publike janë krijuar nga mbështetja e bizneseve specifike, apo projekteve publike që nuk kanë stimuluar rritjen ekonomike. Në një sistem ekonomik të tillë, ku nuk janë idetë ato që përcaktojnë suksesin, por lidhjet e dyshimta, bizneset, e posaçërisht bankat, apo e thënë në përgjithësi, kapitali që kërkon të operojë në tregje me standarde, ka pak interes apo has shumë vështirësi për të vepruar e për t’u konsoliduar.
Në përfundim, duket se problemet afatgjata me të cilat përballet ekonomia shqiptare në vitin 2021 janë po ato me të cilat vendi përballej edhe në vitin 2019. Përmirësimi i shtetit ligjor, mundësia dhe barazia për të konkurruar në treg, përdorimi i burimeve publike për të financuar ekonominë e jo biznese specifike, janë sot po aq problem i pazgjidhur sa ishin edhe para dy vitesh.
Treguesit fiskalë dhe sektori bankar janë po aq të ndikuar prej tyre sa çdo sektor tjetër i ekonomisë. Moslidhja e dy problemeve të mësipërme me problemet afatgjata të vendit në raportin e FMN-së duket një mundësi e humbur. Raportet e ardhshme të Fondit do t’i shërbenin më tepër interesit publik, nëse e vinin fokusin e tyre gjithmonë e më shumë në këto probleme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.