Secila nga palët , të djathtë dhe të majtë, morën nga vizita e zonjës Klinton atë pjesë që u interesonte, paçka se agjenda dhe fjala e saj në kuvend nuk linte vend për shumë mëdyshje. Të djathtët elaboruan mesazhet për një demokraci, që funksionon madje më ngjyrat e “një modeli për t’u marrë shembull” ndërsa të majtët në opozitë panë pjesën kritike të saj, e veçanërisht aty ku flitej për zgjedhjet, të cilat do të jenë afër. Deri diku, kjo lloj sjelljeje e politikës është e kuptueshme madje edhe e pranueshme, pa ekstremet e saj, siç u demonstrua në disa raste këtë javë të fundit. E aq më shumë oratoria diplomatike ndërkombëtare, veçanërisht ajo amerikane e specializuar, që me një fjalë “të jep shuplakë dhe të përkëdhel” njëherësh, lë vend për interpretime. Por historia 20 vjeçare e demokracisë shqiptare e ka bërë politikën shqiptare më paranojake dhe shpesh më dritë shkurtër, që përpiqet të shohë të mirën vetëm tek vetja dhe të keqen vetëm tek kundërshtari. Kjo sjell edhe ndasi jo vetëm në të kuptuarit e gjerave, por edhe si duhen bërë gjërat në të ardhmen.
Pikërisht, e ardhmja e shqiptarëve është çelësi i të kuptuarit të kësaj vizite. Ajo duhet parë ashtu siç nisi. Vizita e zonjës Klinton në Tiranë është një përgjigje e drejtpërdrejtë e ftesës që kryeministri shqiptar Sali Berisha i bëri pak kohë më parë në Uashington, për të marrë pjesë në festimet për 100 vjetorin e pavarësisë. E zgjedhur me zgjuarsi, edhe dita e mbërritjes së sekretares së shtetit është simbolikisht, por edhe zyrtarisht për Tiranën , prerja e shiritit të festimeve. Ajo i paraprin një ceremoniali të gjatë një mujor, që do të ndiqet nga të tjera vizita dhe aktivitete, që do të kulmojnë në 28 nëntor, si shprehje e njohjes dhe vlerësimit të përpjekjeve të shqiptarëve në këto 100 vjet, që janë rreshtuar në krahun e duhur. Jo më kot zonja Klinton nuk e la pa përmendur këtë fakt edhe para shqiptarëve, se ky është përvjetori më i rëndësishëm i shtetit të tyre.
Por 100 vjet histori e shtetit shqiptar, e brenda tyre dy dekadave demokraci, kaluan dhe nuk zhbëhen më, me gjithë të mirat e të këqijat e saj. Çështja është se ne do të dimë të shkruajmë më dinjitet dhe me më shumë vlera 100 vitet e ardhshme. Shqipëria ka këtë vit shansin që së bashku me 100 vjetorin të festojë edhe për një nga ngjarjet më të shënjuara të saj, atë të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, që pa diskutim do të përcaktojnë agjendën e shumë e shumë viteve të ardhshme . Këtë zonja Klinton e tha, kur pohoi: “Jemi bashkë edhe për 100 vite të tjera” duke dhënë mesazhin e ndihmës dhe mbështetjes drejt procesit të pakthyeshëm, një zëri të pranuar nga të gjithë, të integrimit europian. Ky mesazh nuk ka mëdyshje dhe nuk ka si të interpretohet ndryshe, sepse është mesazh gjithë përfshirës pa marrë qasje nga asnjëra palë. Sepse, e ardhmja e shqiptarëve është një dhe ajo s’ka se si të jetë e ndryshme sa herë ka një rotacion mëse të zakonshëm politik. Gjithçka do të varet nga politika, ndaj edhe thirrja për bashkëpunim ishte pjesë e lajtmotivit të mesazheve, që përcolli në Tiranë zonja Klinton. Në të shkuarën tonë të largët apo atë fare të afërt, shqiptarët kanë provuar se mungesa e bashkëpunimit, tolerancës, qetësisë për të marrë vendime të përbashkëta, mungesa e vullnetit kanë devijuar dhe ngadalësuar proceset e përparimit. Ndaj, ky 100 vjetor, për të cilën foli edhe zonja Klinton duhet të jetë stimuli ynë i madh që të gjithë bashkë të përfshijmë atdheun dhe kombin tonë drejt përpjekjeve të mëdha europiane të zhvillimit, duke e parashikuar, që fati ynë, pse jo, edhe për 100 vitet e ardhshme të mos kalojë, sikundër thotë shkrimtari Kadare, nëpër dyert e tragjedive të mëdha. Ndaj le ta shohim vizitën e zonjës Klinton si nisjen zyrtare të gjërave për të cilën ne shqiptarët kemi arsye për të festuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.