Fatmirësisht, këto ndryshime kanë të njësuara kontributin dhe interesin e përbashkët të të gjithë aktorëve, që nga qeveria (Ministria e Drejtësisë), Bankën e Shqipërisë, Shoqatën e Bankave etj. Madje këto ndryshime javën e kaluar kanë marrë edhe miratimin e qeverisë.
Por, ndryshime të tilla kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament, çka do të thotë se ato mund të rrëzohen, nëse krahët politikë, maxhorancë-opozitë nuk arrijnë një dakordësi politike, se këto ndërhyrje ligjorë shtyjnë ekonominë përpara. Bankat i druhen kësaj, kur shprehen se kjo çështje duhet trajtuar si ekonomike dhe jo si debat politik.
Ky mesazh që vjen këtë herë nga bankat është me i veçantë sepse nuk është thjesht një apel dogmatik, por ai është i shoqëruar me propozime konkrete dhe së dyti vjen në kontekstin e një krize ndërkombëtare, e cila ka infektuar edhe ekonominë dhe duket një shans i mirë për të dhënë stimujt e munguar dhe hequr barrierat e vjetra.
Por përvoja politike në Shqipëri ka treguar se çështje të tjera, edhe më parë thellësisht ekonomike, janë keqpërdor politikisht, janë hedhur prapa krahëve, duke sjellë dëme të dukshme. Në Shqipëri, shpesh politika ka treguar se ka qasje të gabuara ndaj asaj çka është interes i përbashkët, duke tentuar ta kthejë çdo propozim në përfitim të ngushtë politik; apo për ta përdorur si argument akuzash. Kjo mënyrë e mban larg konsensusin, ndaj dhe biznesi edhe në këtë rast ka frikën e do të përsëritet e njëjta situatë siç po ndodh me gjykatën administrative.
Këto ndryshime mund të ishin miratuar edhe disa vite më parë, por konteksti i sotshëm i ka bërë ato më të domosdoshme dhe ndërhyrjen më të shpejtë. Borxhi i keq në sistemin bankar ka arritur në gati 23% të totalit të huave, duke iu afruar nivelit të vitit 2000, kur sistemi bankar, atëherë shtetëror, po vuante pasojat e keqadministrimit; ekzekutimi i kolateralit zvarritet me vite, bankat të ngarkuara me provigjone kanë ulur fitimet dhe janë vënë në vështirësi për të kredituar qoftë edhe qeverinë për shkak të disa rregullave të rrepta nga banka qendrore. Edhe procedurat fiskale, thotë shoqata e bankave, e ngarkojnë artificialisht sistemin bankar me taksa më të mëdha në raport me fitimet e tyre. Kriza ndërkombëtare, nga ana tjetër ka rrudhur burimet e tjera të likuiditetit, duke e bërë situatën më të paqartë dhe të ndërlikuar. “Bankat në Shqipëri nuk e kanë shkaktuar ngadalësimin e Ekonomisë, thjesht e pasqyrojnë atë “, thotë Shoqata e Bankave (lexo në brendësi).
Kjo ndërhyrje ligjore në kodin civil, që vijnë si propozim i menduar mirë dhe gjerësisht i pranuar, janë një alternativë, e cila ka shanset që të shtyjë ekonominë përpara, por tani pritet gjesti i fundit, ai i politikës në Kuvend, për të arritur konsensusin përmes votës së cilësuar, në mënyrë që t’i jepet mesazhi i duhur publikut, edhe pse jemi në prag zgjedhjesh elektorale, se politika nuk bëhet thjesht për të bërë politikë, por për t’i shërbyer mirëqenies së vendit. Asnjë argument kundër nuk pranohet. “It’s all about economy, stupid” është shprehja slogan e ish president amerikan Bill Klinton teksa ndodhej në debat me konkurrentin e tij në zgjedhjet presidenciale…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.