Mesdheu nuk është vetëm një rajon natyror apo një hapësirë gjeografike, është më shumë se kaq. Mesdheu është një hapësirë gjeopolitike e krijuar dhe zhvilluar në shekuj nga historia dhe qytetërimet e popujve që kanë jetuar dhe janë përballur midis tyre. Qytetërimet e lashta, në vazhdim perandoritë e kohës, më pas shtetet e ndryshme kombëtare europiane formuan këtë mjedis unik, që ka mbijetuar për shekuj, si një hapësirë e madhe ku kryqëzohen interesa politike, ekonomike, kulturore, fetare, etj. Zhvillimi i pabarabartë ekonomik, si dhe gabimet gjatë epokave, periudhave të ndryshme historike, përbëjnë faktorët e krijimit dhe nxitjes së konflikteve, siç janë ato në Siri, Libi dhe së fundmi në Ukrainë, e cila zhvillohet në dy fronte, në terren nga trupat ushtarake dhe civile dhe në diplomaci, në kancelaritë europiane dhe botërore.
Msc. Roland TASHI*
Ekspert i çështjeve të sigurisë
Mesdheu shtrihet midis Europës, Afrikës së Veriut dhe Azisë Lindore, është det i Oqeanit Atlantik me të cilin takohet në Perëndim nëpërmjet Ngushticës së Gjibraltarit.
Ngushtica e Bosforit e lidh në verilindje me Detin e Zi, ndërsa Kanali i Suezit e lidh në juglindje me Detin e Kuq dhe nëpërmjet tij me Oqeanin Indian.
Mesdheun, romakët e quanin “Mare nostrum” (Deti ynë), koncept i cili nënkuptonte se tokat që lageshin prej tij duhet t’i përkisnin perandorisë.
Procesi i globalizimit të Euro Mesdheut nuk përfshin vetëm një hapësirë më të madhe gjeopolitike, por edhe një përshpejtim vendimtar të proceseve të risistemimit të ekuilibrave që ekzistojnë në zona të ndryshme të Mesdheut.
Sipas një logjike natyrore, status quo-ja është shpesh një vlerë për ato shtete dhe për ata aktorë që janë pjesë integrale e një rajoni gjeopolitik në të cilin ndajnë mundësitë dhe problemet e fqinjësisë. Mesdheu ka qenë dhe mbetet në qendër të lojërave kryesore strategjike globale.
Mesdheu – gjeografikisht, është vendi ku takohen tre kontinente – ushtarakisht, përfaqëson frontin jugor të Aleancës Atlantike – politikisht, është zona ku Europa ndërlidhet me Detin e Zi, Lindjen e Mesme, Gjirin Persik, Gjirin e Guinesë, Oqeanin Indian dhe Afrikën.
Hapësira ujore, detare, ndan botë që vazhdojnë të përballen me njëra-tjetrën për çështje politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe demografike, të cilat në disa raste afrohen dhe në raste të tjera largohen nga vlerat e përgjithshme mbi të cilat bazohet bashkëjetesa.
Në këtë vështrim gjithëpërfshirës, kjo hapësirë e madhe gjeopolitike e njohur edhe si “Mesdheu i zgjeruar”, përbëhet nga kultura të ndryshme, nga interesa ekonomike konkurruese, nga vizione të ndryshme politike, duke u përfshirë edhe në zhvillime dhe situata komplekse.
Në mënyrë të pashmangshme, aktorët e jashtëm, vëzhguesit aktivë dhe ata pasivë të gjeopolitikës, priren zakonisht të kenë qasje mbi një mozaik të madh interesash, duke u dhënë përparësi atyre ekonomikë e politikë, të cilat gradualisht ndikojnë në krijimin e efekteve të padëshiruara destabilizuese në terma afatmesëm dhe afatgjatë.
Zhvillimi i pabarabartë ekonomik, si dhe gabimet gjatë periudhave të ndryshme historike, përbëjnë disa nga faktorët e krijimit dhe nxitjes së konflikteve siç janë ato në Siri, Libi dhe së fundmi në Ukrainë. Për më tepër, burime të pafundme energjetike janë ende të fshehura nën shtratin e detit, për shfrytëzimin e të cilave krijohen aleanca të reja, duke dobësuar, por jo harruar, aleancat e vjetra të vendeve që lagen nga ky pellg ujor.
Një rajon gjeopolitik i ngjan një kompleksi, i cili përbëhet nga një nënshtresë gjeografike mbi të cilën fillon dhe aplikohet një vizion strategjik, i konceptuar për t’u qëndruar ndryshimeve dhe transformimeve me kalimin e kohës.
Mesdheut i nevojitet një vizion strategjik që duhet të shtrihet jashtë kufijve administrativë të një shteti, për të kapërcyer interesat e “ditës”, duke menduar strategji dhe taktika të reja bashkëpunimi ndërmjet fqinjëve të lashtë.
Një rajon gjeopolitik është rezultat i ndërveprimit politik të një grupi vendesh apo vendi të vetëm, por në çdo rast duhet të karakterizohet nga një vullnet i përbashkët që të krijojë një hapësirë, pra më shumë se një rajon gjeopolitik, duke bashkuar elementet kryesore përbërëse: gjeografinë, historinë, ekonominë.
Mesdheu nuk duhet konsideruar vetëm si hapësirë e trashëgimisë historike apo shumatore e zonave, rentave dhe pozicioneve ekonomike të mbijetuara në shekuj.
Gjatë dy dekadave të fundit ka pasur situata të vështira, deri në konflikte të armatosura në zonën e Mesdheut, lufta në Gjeorgji, zhvillimet e Pranverës Arabe, lufta në Libi, konflikti sirian, dalja në skenë e shtetit islamik, aneksimi i Krimesë, grushti i dështuar në Turqi, krizat e emigracionit, ngjarjet në Ukrainë, etj.
Nga këto ngjarje duket se Europa e ka humbur pjesërisht marrëdhënien e privilegjuar me detin e saj, i cili duke kaluar nga kriza në krizë po bëhet gjithnjë e më shumë një det global interesash, duke humbur tiparet e dallueshme të një hapësire të integruar.
Euro Mesdheu po shkon drejt një globi mesdhetar në të cilin sovraniteti i shumë shteteve bregdetare rrezikon të copëtohet midis aktorëve të vegjël përfaqësues të lojtarëve të mëdhenj rivalë globalë.
Mesdheu, në këtë teatër kaq të ndryshuar, duket se mbetet kufiri i lëngshëm që ndan dhe bashkon konfliktet dhe paqëndrueshmëritë e shumta që shpërthejnë edhe mijëra kilometra larg, nga Afrika Sub-Sahariane, në Afrikën e Veriut, në Lindjen e Mesme dhe Euroazi.
Me këto ndryshime të konceptit të sigurisë drejt të cilit po shkon bota, mbushur me konflikte asimetrike, luftë të parregullt, luftë kibernetike, emigracion të pakontrolluar, etj., Mesdheu duket si një nga vatrat e nxehta, vullkanet e fjetura.
Mes mundësive e pengesave
Cilët janë disa prej faktorëve kryesorë që e paraqesin Mesdheun një zonë me mundësi të mëdha ekonomike, por njëherësh e “pengojnë” të jetë një det me stabilitet dhe paqe të qëndrueshme.
Humbja e rolit, ndikimit kryesor të Europës, shpërthimi i kontradiktave të brendshme në shumë nga vendet e bregut Jugor, rikthimi i konkurrencës globale ndërmjet shteteve dhe ndërhyrja e aktorëve të jashtëm në ekuilibrat e Mesdheut, duket se janë faktorët, shtytësit kryesorë të procesit të problematikave që krijohen.
Brenda tyre ka devijime, zhvillime të shumta që kanë ndodhur vitet e fundit, të cilat do të vazhdojnë të karakterizojnë dinamikat kryesore politike dhe të sigurisë së Mesdheut. Duket se në sistemin mesdhetar, nënrajonet, zonat ekonomike prioritare, do të kenë rol më të rëndësishëm se i gjithë makrorajoni.
Sigurisht, nënrajoni me rëndësinë më të madhe strategjike në të gjithë zonën, mbetet ai i hidrokarbureve, zbulimi i vendburimeve të gazit në det, i cili po ridizenjon ekuilibrin politik dhe strategjik të zonës. Për këto arsye, Mesdheu Lindor mbetet për Rusinë dhe Kinën qendra e vërtetë e gravitetit të interesave në të gjithë hapësirën mesdhetare.
Kina mbetet në Mesdhe një gjigant ekonomik, që përfaqëson partnerin e dytë më të madh tregtar pas Bashkimit Europian, referuar faktit se vendet e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme janë vende logjistike përgjatë rrugës detare më të ngarkuar në botë, asaj që bashkon Kinën me Europën.
Aspektit tregtar i shtohen natyrshëm aspektet energjetike dhe infrastrukturore. Nevoja për investime në infrastrukturën kineze jashtë vendit për të mbështetur ekonominë e saj të udhëhequr nga eksporti, favorizohet nga vonesat e zhvillimit ekonomik në disa vende të rajonit.
Politika e avancimit të interesave në këtë rajon, nëpërmjet investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik, duke qëndruar si e “painteresuar” në lidhje me politikën, konfliktet dhe mënyrat e qeverisjeve, ka forcuar imazhin e Kinës si një aktor më i rëndësishëm se vetë Perëndimi.
Ky qëndrim është padyshim edhe pasojë e sistemit politik në Kinë, i cili kombinon autoritarizmin dhe globalizmin, duke e parë botën përmes një teleskopi ekonomik.
Rusia tenton me shumë forma ta shtojë rolin dhe praninë në Mesdhe, veçanërisht pas konflikteve të Ukrainës dhe Sirisë, si dhe tërheqjes amerikane nga Lindja e Mesme.
Këto situata kanë çuar në një tendencë afrimi më të madh të pellgut të Detit të Zi me atë të Mesdheut Lindor, forcimin e interesave dhe pranisë ruse në një hapësirë më të madhe detare.
Me gjithë dëshirën për të pasur një rajon në paqe, duket se shfaqja e dhimbshme e luftës në Ukrainë do të jetë e pranishme edhe gjatë këtij viti, fakt që i ka kushtuar hapësirës mesdhetare vëmendjen e të gjitha organizmave ndërkombëtare.
Pavarësisht kësaj, Rusia nuk ka një vizion të qartë politik, një dizajn multidimensional të Mesdheut të ngjashëm me atë që ka Europa, as një linjë apo rrugë të qëndrueshme tregtare siç është rasti i Kinës.
Duket se Kremlini punon për të mbrojtur interesat si prodhuesi kryesor i energjisë, për të ruajtur statusin politik, duke kundërshtuar përpjekjet për ndryshimin e regjimit të inkurajuar nga Perëndimi. Megjithatë, Rusia ka parë një rritje në qëndrimin dhe forcën e saj në Mesdhe gjatë dekadës së fundit, veçanërisht për shkak të aftësisë taktike për të shfrytëzuar mirë dhe në kohë disa dritare gjysmë të hapura gjeopolitike.
Faktet historike tregojnë se rrugët detare janë thelbësore për ekonominë dhe jo vetëm. Duke filluar nga shekulli i 19-të, ato mbeten të domosdoshme për mbështetjen e kapaciteteve industriale të çdo vendi.
Pavarësisht këtij fakti, rrugët detare mbeten të ndjeshme ndaj veprimeve agresive, terroriste, ndaj faktorëve, elementeve dhe rrymave të veçanta politike, të cilat tentojnë të përfitojnë duke çekuilibruar tregtinë normale ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, flotat ushtarake dhe tregtare kanë rëndësi jetike për sigurinë dhe prosperitetin e shteteve, veçanërisht kur për shkak të mungesës së burimeve të brendshme të një vendi, kapaciteti prodhues ka varësi prej importeve nga deti. Për të kuptuar rëndësinë e trafikut tregtar global detar, mjafton të përmendet se 90% e mallrave qarkullojnë me anije që lundrojnë në të gjitha detet, oqeanet e botës.
Bëhet fjalë për rreth 12 miliardë tonë produkte që kontribuojnë në lidhjen ekonomike të vendeve me vijë bregdetare, efektet e të cilave shtrihen deri thellë në brendësi të kontinenteve. Në këtë kontekst, Deti Mesdhe zë një vend të spikatur si një basen tregtar import-eksporti, kryesisht përmes porteve italiane, porteve greke, franceze dhe spanjolle, dhe si një autostradë ujore për kalimin e mallrave, në tranzit në portet e mëdha të Europës Veriore.
Për të nënvizuar rëndësinë ekonomike të tranzitit nga Mesdheu nëpërmjet Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit, mjafton të kujtojmë se anijet tregtare që vijnë nga Gjiri Persik, ose nga Lindja e Largët, dhe drejtohen drejt Europës Veriore, në rast se nuk përshkojnë kalimin e detyrueshëm nëpërmjet Kanalit të Suezit, duhet të zgjasin rrugën me 3500 milje detare, duke lundruar në jug të Kepit të Shpresës së Mirë e duke u ngjitur në Gjirin e Guinesë.
Kjo zgjat 7 deri në 10 ditë lundrimi më shumë, me të gjitha kostot, vonesat dhe rreziqet që e shoqërojnë. Një përvojë që nuk duhet harruar, veçanërisht nga ata që kanë përgjegjësinë politike dhe ushtarake për të siguruar mjetet e duhura për të vlerësuar dhe për të mbrojtur politikisht dhe po qe nevoja, ushtarakisht, hapësirën mesdhetare.
Industria e një vendi, si dhe proceset e modernizimit dhe zhvillimeve teknologjike, nuk mund të kuptohen pa furnizimin me energji të vazhdueshme nga hidrokarburet, gazi dhe ajo e rinovueshme, ekologjike.
Gazi do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm, pasi do të mbetet burimi mbështetës për sistemin e energjisë elektrike, edhe pasi të ketë rritje të furnizimit nëpërmjet burimeve të rinovueshme. Kjo nevojë ndikon deri në politikat e varësisë kombëtare, të cilat fillojnë të ndikohen nga parametrat e pamjaftueshëm energjetikë të siguruara dhe garantuara nëpërmjet eksporteve.
Garantimi i burimeve energjetike dhe siguria e linjave të furnizimit mbeten ndër objektivat strategjike të vendeve të fuqishme europiane me ndikim në ekonominë e rajonit. Thellësitë e Mesdheut janë traseja e tubacioneve të gazit dhe degëzimit të tyre, të cilat transportojnë nga vendet furnizuese karburantin e çmuar për Europën.
Përveç kësaj infrastrukture funksionale, kërkimet tregojnë se në nëntokën detare ka depozita të mëdha gazi natyror, të cilat thjesht presin të shfrytëzohen, me gjithë problematikat që kanë vendet pretendente për përkatësinë e tyre. Në periudhën aktuale që kalon rajoni, energjia përfaqëson faktorin më strategjik të rritjes industriale, ekonomike, sociale dhe rrjedhimisht të mirëqenies kombëtare.
Kësaj nevoje i shtohet edhe fakti se linjat e gjata të furnizimit u nënshtrohen kërcënimeve të ndryshme asimetrike, duke filluar me ata që kërkojnë të bllokojnë furnizimet, duke vazhduar me të tjerë që tentojnë të hyjnë në biznesin e tranzitit të gazit nëpërmjet përdorimit të fuqisë ushtarake, siç tregojnë ngjarjet në Mesdheun Lindor apo veprimet sabotuese ndaj gazsjellësit të Detit të Veriut gjatë shtatorit 2022.
Kjo situatë e vendos mbrojtjen detare jo vetëm në një nevojë themelore ekonomike dhe tregtare, por duke qenë se prej hapësirave dhe pasurive detare varet, në një masë shumë të madhe zhvillimi dhe mbijetesa e një vendi, po e kthen në një çështje që mund të kërkojë zgjidhje politike dhe ndërhyrje ushtarake.
Rrjeti i kabllove nënujore përbën shtyllën kurrizore të teknologjisë kibernetike. Rreth 90% e volumit të informacionit që shfrytëzohet, shkarkohet, përpunohet dhe transmetohet nëpërmjet përdorimit të internetit, udhëton përgjatë autostradave me fibra optike të shtrira në shtratin e detit, të cilat ndjekin përgjithësisht linjat tregtare detare.
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, ku nuk mund të kuptohet asnjë segment i jetës sociale dhe ekonomike në rast se nuk ka për kryefjalë termin “informatika”, është e kuptueshme se pa këto autostrada dixhitale të nënujshme, shoqëria njerëzore do ta ketë të vështirë të rivendoset në ekuilibër.
Në këtë kontekst, ngushticat e Mesdheut, Gjibraltari dhe Suezi, përfaqësojnë jo vetëm një kalim të detyrueshëm të linjave tregtare dhe ushtarake, por edhe rrugët nënujore të kabllove të komunikimit, duke mbetur target i agresioneve asimetrike dhe luftës kibernetike. Ky fakt e bën jetike dhe të padiskutueshme mbrojtjen e tyre.
Vitet 1990 e në vazhdim, u shoqëruan nga veprime politike të organizatave ndërkombëtare, kryesisht europiane, të cilat kishin qëllim qetësimin dhe afrimin e dy brigjeve të Mesdheut, ku dallohen, “Procesi i Barcelonës” i Bashkimit Europian, “Partneriteti për Mesdheun” i OSBE-së, nisma e quajtur “5+5” në formatin e mbrojtjes për zbatimin e ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare në Mesdhe, etj.
Strategjitë
Në këtë kuadër, në vitin 2014, Këshilli i Europës miratoi dokumentin për “Strategjinë për Sigurinë Detare Europiane”. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme për mënyrën e trajtimit dhe vlerësimit në nivel strategjik të kësaj zone ekonomike, dokumenti ka krijuar mundësinë që Bashkimi Europian të jetë i pranishëm në teatrin e krizave të krijuara.
Përmenden këtu: – Operacioni SOPHIA, nga viti 2015 kundër kontrabandës së emigrantëve i zëvendësuar në vitin 2020 nga IRINI, kundër kontrabandës së armëve në Libi, – Operacioni ATALANTA, i cili nga viti 2008 kryen detyra kundër piraterisë në Detin e Kuq dhe në Oqeanin Indian – Operacioni shumëkombësh europian EMASOH-AGENOR, i cili që nga viti 2021 punon për të garantuar lirinë e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, një afrim i qëndrueshëm drejt modelit demokratik europian duket se ende nuk ka ndodhur, kryesisht si pasojë e problemeve, “ndryshkjeve” të vjetra, por edhe atyre të reja, të cilat kanë ngadalësuar afrimin e distancave mes brigjeve. Duhet kuptuar se vonesat në veprime, si dhe lënia e zonave të lira, u krijon mundësinë aktorëve inteligjentë dhe të fortë që të rikuperojnë pozicionet, të luajnë dhe fitojnë terren në hapësirën gjeopolitike të Mesdheut.
Faktet dhe gjykimet e shprehura tregojnë se Mesdheu është një nyje lidhëse për importet dhe eksportet e vendeve të kontinentit tonë, si dhe një hapësirë detare tepër e rëndësishme për tregtinë botërore. Në këtë vështrim, për të siguruar dhe për të garantuar qëndrueshmëri dhe rritje të planifikuar të ekonomive, bota politike duhet të vlerësojë rolin strategjik të detit dhe ndikimin e tij në gjeopolitikë.
– Flotat ushtarake, si instrumente të rëndësishme të politikës në mbrojtje të interesave dhe respektim të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, duhet të kenë kapacitetet e nevojshme për të ndërhyrë dhe për të vepruar në kohë në çdo krizë, duke garantuar ekonominë dhe sigurinë e vendit.
– Dëmtimi i linjave nënujore të komunikimit dhe transmetimit, mungesa e furnizimit me hidrokarbure nëpërmjet tubacioneve nënujore do të vendosë në krizë jo vetëm ekonominë e një vendi, por në sistem zinxhir edhe ekonomi të vendeve të tjera. Lufta në Ukrainë tregon se ky është një rrezik permanent për Europën.
– Mesdheu përfaqëson një pasuri reale ekonomike me vlerë të paçmueshme pasi të gjitha arteriet kryesore të ekonomisë, energjia, komunikimi, siguria kalojnë përmes detit. Rrjedhimisht, është e qartë se sa thelbësore është të “mbrohen” tre dimensionet kryesore që karakterizojnë detin në vizionin gjeopolitik, hapësirat ujore, hapësirat ajrore mbi det dhe sipërfaqet nënujore, thënë shkurt duhet të mbrohet deti, mbi deti dhe nën deti.
*Opinionet janë personale të autorit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Një analizë shteruese gjithëpërfshirëse. Autori është njohës i thellë i çështjeve të sigurisë. E kjo i mundëson atij, të ngërthejë gjithë faktorët dhe aktorët. Mesdheu ka qenë dhe mbetet një pikë e përplasjes së interesave të fuqive të mëdha. Qindra breza rusësh janë lindur dhe kanë vdekur me ëndrrën e pa realizuar dot, një dalje në Ngushtica. Stambolli, qyteti me pesë emra në mijëvjeçarë, është strumbullari i kësaj loje. Franca vitet e fundit ka hyrë thellë në rajon përmes aleancave ushtarake, të cilat kanë për interes shitjen e armëve dhe të mjeteve luftarake. Mbetet të shohim lëvizjet e Kinës. Përgëzime… Read more »
Një analizë shteruese gjithëpërfshirëse. Autori është njohës i thellë i çështjeve të sigurisë. E kjo i mundëson atij, të ngërthejë gjithë faktorët dhe aktorët. Mesdheu ka qenë dhe mbetet një pikë e përplasjes së interesave të fuqive të mëdha. Qindra breza rusësh janë lindur dhe kanë vdekur me ëndrrën e pa realizuar dot, një dalje në Ngushtica. Stambolli, qyteti me pesë emra në mijëvjeçarë, është strumbullari i kësaj loje. Franca vitet e fundit ka hyrë thellë në rajon përmes aleancave ushtarake, të cilat kanë për interes shitjen e armëve dhe të mjeteve luftarake. Mbetet të shohim lëvizjet e Kinës. Përgëzime… Read more »