Messi po përgatitet të arrijë kufirin 1 miliard dollarë në të ardhura. “Forbes” shkruan se fenomeni argjentinas do të bëhet sportisti i katërt që do të prekë këtë majë, me të ardhurat e sezonit 2020/2021, duke iu bashkuar rivalit të tij të përjetshëm Cristiano Ronaldo, Tiger Woods dhe Floyd Mayweather.
I pari, i cili e ka kapur këtë objektiv është golfisti Tiger Woods, në vitin 2009, pas 13 vitesh karrierë në nivel profesionist, kur fitoi 10,5 milionë dollarë para në çmime dhe më shumë se 100 milionë dollarë nga kontrata komerciale, kryesisht nëpërmjet një marrëveshje sponsorizimi me Nike.
Në vitin 2017, kufirin prej 1 miliard dollarësh e arriti edhe boksieri Floyd Mayweather, i cili fitoi 275 milionë dollarë nga sfida me Conor McGregor. Futbollisti portugez, Cristiano Ronaldo është i fundit në rend kronologjik. Ronaldo e arriti kufirin 1 miliard me të ardhurat në sezonin 2019/20, ose rreth 90/100 milionë. Në 10 vitet e fundit, vetëm Mayëeather ka fituar më shumë se Ronaldo: 915 milionë dollarë kundrejt 800 milionë dollarë të sulmuesit të Juventus. Messi ndërkohë ka fituar 750 milionë dollarë.
“Forbes” shkruan se Messi fiton rreth 33 milionë dollarë në vit, nëpërmjet marrëveshjeve të sponsorizimit me Adidas, Lays, Mastercard dhe markës së orëve Jacob & Co, shoqërinë e telekomunikacionit me seli në Ooredoo dhe markën e tij të re lifestyle, e lançuar vitin e kaluar në bashkëpunim me Ginny Hilfiger në “The Messi Store”.
Sipas Hookit, nga janari në korrik të këtij viti, Messi ka publikuar 117 postime në rrjetet sociale, të cilat kanë marrë 235 milionë pëlqime, komente dhe shpërndarje, duke krijuar një vlerë në nivel marketingu prej 22 milionë dollarësh, për markat që promovoi.
Barcelona parashikon të paguajë 92 milionë dollarë në pagë për yllin e saj këtë vit, nga të cilat rreth një e treta vjen nga performanca e tij në fushë. Emergjenca e koronavirusit detyroi Messi të pranojë një shkurtim të pagës prej 70% gjatë tre muajve kur nuk u luajt futboll. Humbjet llogariten rreth 11 milionë dollarë.
Messi pritet të arrijë nivelin 1 miliardësh në sezonin e ardhshëm. Ajo që nuk është e qartë është nëse këtë do ta arrijë me klubin katalan apo diku tjetër. Gjashtë herë fituesi i “Topit të Artit” i ka bërë të qartë Barcelonës synimin se dëshiron të ndryshojë skuadër.
“Nuk e shoh të ardhmen time tek Barcelona” – ka thënë futbollisti argjentinasi, vullneti i të cilit duket i qartë – të largohet nga klubi, në të cilin ka luajtur 731 ndeshje dhe ka shënuar 634 gola.