Një grup pune i ngritur dhe i autorizuar nga zv/kryeminstri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) z. Edmond Haxhinasto i përbërë nga përfaqësues të METE, AKBN, Agjencia Rajonale e Mjedisit Elbasan dhe Instituti i Shëndetit Publik, (ISHP) po punojnë për monitorimin dhe verifikimin e nivelit të ndotjes së ajrit në ish Kombinatin Metalurgjik, nga industritë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në këtë territor.
Në bashkëpunim edhe me degën e ISHP Elbasan dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit u diskutua dhe u rakordua mbi përgatitjen e teknikës profesionale dhe aparaturave përkatëse për realizimin e matjeve të nivelit të ndotjes së ajrit në ambientet e Uzinës së Çelikut dhe Petëzimit (administruar nga “Kurum International” shpk) dhe në ambientet e Uzinës së Ferro-Kromit (administruar nga shoqëria “Albanian Chrome”).
Kushtet atmosferike të këtyre dy ditëve si rezultat i shirave të vazhdueshëm nuk kanë lejuar bërjen e matjeve realiste. Sipas grupit të punës duhet një periudhë prej 48 orësh për daljen e rezultateve të para të monitorimit.
Ndërkohë ISHP do të vërë në dispozicion rezultatet e monitorimit të nivelit të ndotjes së ajrit në territorin e uzinave si dhe në qytetin e Elbasanit për vitin 2012, të dhëna që do të publikohen shumë shpejt duke na dhënë mundësi që të shikojmë edhe ecurinë progresive të nivelit të ndotjes.
Ndërkohë gjatë javës së ardhshme do të bëhen të ditura konkluzionet përfundimtare të materialit të grupit të punës mbi nivelin e ndotjes së ajrit në qytetin e Elbasanit, sikurse edhe masat ligjore që derivojnë për rrjedhojë.
Siç dihet qyteti i Elbasanit ka patur vazhdimisht problem me nivelin e lartë të ndotjes së ajrit si rezultat i industrive që operojnë atje, ndërkohë që ky është grupi i parë i punës që ndërmerr këtë monitorim për nivelin e ndotjes duke verifikuar në detaje përqindjen e sasisë që mbart kjo ndotje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.