Flet Ardiana Sokoli, zëvendëspresidente e Grupit BALFIN për Pasuritë e Paluajtshme
Grupi BALFIN po zhvillon në Jug të vendit projektin për ndërtimin e të parit “MGallery hotel”, një markë luksoze, pjesë e portofolit të grupit ndërkombëtar “Accor”.
Ardiana Sokoli, zëvendëspresidente e Grupit BALFIN për Pasuritë e Paluajtshme, shprehet se punimet pritet të përfundojnë në vitin 2024, duke hapur kështu dyert për të pritur vizitorët që kërkojnë standarde dhe cilësi sipërore në shërbim.
Znj. Sokoli nënvizon se hyrja e markave hoteliere ndërkombëtare pritet ta afirmojë më tepër Shqipërinë në hartën e turizmit global, si dhe të ndikojë te zgjatja e sezonit turistik veror.
Grupi BALFIN kërkon të vendosë një standard të ri edhe në industrinë e turizmit, për t’ju përgjigjur sfidës ndërkombëtare.
Për këtë arsye, në mars të vitit të shkuar (2021), BALFIN Group lidhi një marrëveshje bashkëpunimi me grupin francez “Accor”, një ndër grupet më të rëndësishëm të turizmit, i cili është i pranishëm në Europë, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi.
“Accor” ka një portofol të gjerë, duke numëruar 2650 hotele, me një kontratë menaxhimi të drejtpërdrejtë dhe 2490 hotele, me një bashkëpunim si franchise. Jo vetëm një shtrirje globale, por “Accor” sjell për industrinë e hotelerisë markat më luksoze dhe premium, të njohura në nivel ndërkombëtar.
Mes mundësive të shumta është zgjedhur pikërisht marka “MGallery”, sepse përputhet me vizionin tonë për të sjellë në tregun shqiptar atë çfarë i mungonte fushës së hotelerisë, si dhe për të qenë të parët në këtë drejtim, duke ofruar një shërbim premium dhe cilësor.
“MGallery” do të përfaqësojë një hotel modern, me shërbimet e standardit më të lartë dhe ndërthurjes me peizazhin dhe historinë e zonës. Kjo e fundit ka qenë një kërkesë specifike e Grupit BALFIN dhe për konceptimin e hotelit është përzgjedhur një studio arkitekturore shumë prestigjioze belge. Hoteli do të ofrojë 118 dhoma dhe suita luksoze, të cilat kombinojnë traditën me estetikën bashkëkohore.
Baret, restoranti, SPA-të, pishina dhe plazhi privat do të krijojnë një destinacion premium ekskluziv, me karakterin e një butiku, cilësi kjo identifikuese e markës “MGallery”.
Në çfarë faze është ndërtimi i hotelit në Jug të vendit dhe kur parashikoni që të hapë ai dyert për vizitorët?
Kalendari i punimeve për ndërtimin e hotelit po i përshtatet edhe stinës së pushimeve. Gjatë stinës së verës, punimet do të vijojnë me ritme më të qeta, për të mos krijuar pakënaqësi te pushuesit. Ndërkohë, përfundimi i punimeve planifikohet të jetë në vitin 2024.
Cili do të jetë vizitori target që do të ketë ky hotel?
“MGallery” në Shqipëri nuk do të ndryshojë shumë nga simotrat e tjera kudo në botë. Duke qenë një hotel me shërbime premium, ai do të tërheqë turistë të huaj dhe vendas që e kërkojnë cilësinë.
Pushuesit që do të zgjedhin “MGallery” janë kërkues të një standardi shërbimi sipëror dhe njëkohësisht vlerësues të natyrës. Këtë gërshetim, “MGallery” e garanton dhe e ofron.
Nga studimet paraprake të tregut që ne kemi bërë, por edhe nga konsultimet me grupin “Accor”, na rezulton që ky do të jetë një hotel unik në ofertën e tij në Shqipëri. Kjo do t’i shtojë edhe vendit një pikë tjetër të fortë në industrinë e turizmit.
Si parashikohet të jetë operimi i tij, a do të jetë një partneritet në menaxhim, apo do të jetë i pavarur, duke u operuar nga pala shqiptare sipas standardeve të markës?
“MGallery” do të jetë një franchise. “Accor” do të vendosë standardet që duhet të ndiqen dhe menaxhimi i hotelit do të kryhet nga “Green Coast”. Paralelisht me ndërtimin fizik të hotelit, ka nisur edhe puna për të ndërtuar kapacitetet njerëzore që do të përkujdesen për ofrimin e shërbimit.
Ka një rritje të dukshme të markave ndërkombëtare të hoteleve në vend, kryesisht në Tiranë, dhe më pak në bregdet, çfarë mendoni se do të sjellë rritja e numrit të këtyre markave edhe në bregdet (në aspektin e standardeve dhe cilësisë së shërbimit)?
Për momentin, prania e emrave ndërkombëtarë të hotelerisë në bregdetin e Shqipërisë nuk është e lartë, por kjo nuk do të thotë që nuk ka interesim. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me disa prej tyre që kanë ide dhe projekte mjaft ambicioze.
Grupet ndërkombëtare të hotelerisë, përveç një partneri vendas që të ndajë standarde dhe vizion të njëjtë, kanë pritshmëri të caktuara për infrastrukturën urbane. Mendoj që “MGallery” do të jetë emri i parë i madh për Shqipërinë, që do t’i japë “kurajë” edhe markave të tjera.
Prania e emrave të rëndësishëm ndërkombëtarë pritet ta afirmojë më tepër Shqipërinë në hartën e turizmit global. Përveç rritjes së standardeve të cilësisë së shërbimit të ofruar dhe këtu, pa diskutim, vihet theksi në trajnimin e burimeve njerëzore. Prania e markave ndërkombëtare parashikohet që të sjellë edhe zgjatjen e sezonit turistik të verës, një sfidë e vërtetë për Shqipërinë.
Cilat janë sfidat që mendoni se mund të ketë sektori i akomodimit? Aktualisht një pjesë e mirë e këtij sektori cilëson vështirësinë e gjetjes së stafit të kualifikuar, si një prej tyre. Si e keni menduar gjetjen e stafit, trajnimin e tij?
Ne operojmë në një treg global, ku komunikimi i ideve dhe teknologjisë është shumë i shpejtë. Tashmë, edhe lëvizja e njerëzve po bëhet gjithnjë e më e thjeshtë. Vendet konkurrojnë jo më vetëm me burimet natyrore, apo me aftësitë teknologjike, por edhe me burime njerëzore të kualifikuara.
Në Grupin BALFIN, ne e kemi analizuar prej vitesh këtë prirje dhe nuk na ka gjetur të papërgatitur. Për ne, burimet njerëzore kanë rëndësi të madhe dhe Grupi po investon prej vitesh në thithjen e më të mirëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
Ashtu si edhe e përmenda më lart, pavarësisht se na ndajnë disa vite nga hapja e hotelit, ne kemi nisur përgatitjet që t’i përgjigjemi sfidës së burimeve njerëzore. Kemi bërë një vlerësim të institucioneve vendase për trajnimin e stafeve, por edhe do të marrim programet më të mira nga “Accor” për të ngritur burimet njerëzore në nivelin që kërkohet për “MGallery”.
LEXONI EDHE:
Dyndja e markave të hoteleve pas lehtësimit nga taksat, a ka vend për të gjitha?!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.