Mici: Industria e këpucës para një cikli të ri, ja vështirësitë

16/04/2019 3:24 PM 0 komente

Industria fason në vendin tonë dhe specifikisht, ajo e prodhimit të këpucës, është para një cikli të ri. Ndërkohë që kërkesa në tregun ndërkombëtar po tkurret, kostot e prodhimit në Shqipëri janë rritur prej pagave më të larta. Donika Mici, një nga sipërmarrëset me më përvojë të sektorit, e para e cila ka krijuar ciklin e mbyllur të prodhimit, është shumë e qartë se si do të orientohet me ndryshimet. Mici thotë shprehet se sektorit fason i duhet të shkurtojë kostot e prodhimit nëpërmjet miradministrimit të fuqisë punëtore që të mbijetojë.

Nga ana tjetër, duhet të prodhojë për kërkesën në fashën e mesme dhe të lartë, që i dedikohet konsumatorëve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Procesi kërkon një ndryshim të së gjithë teknologjisë, por rinovimi i saj kushton dhe për të realizuar këtë kërkon mbështetje me lehtësi nga qeveria. Mici thotë se Shqipëria po humb konkurrueshmërinë, për shkak të rritjes së kostos së prodhimit, duke u shprehur se zhvillimet në kursin e këmbimit qenë një goditje e fortë për industrinë.

Zonja Mici, ju operoni prej shumë vitesh me biznesin tuaj në sektorin e prodhimit e veshjeve e të këmbës dhe jeni e para që keni krijuar ciklin e mbyllur. Cilat janë trendet e fundit në prodhimin dhe tregtimin e këpucës?

Ky vit, për biznesin e prodhimit të këpucëve, po vjen disi ndryshe për dy faktorë kryesorë. Së pari, Shqipëria është më pak konkurruese edhe në rajon, çka do të thotë se ofron kosto më të larta, si rrjedhojë e rritjes së pagave. Së dyti, kërkesa në tregun europian është disi më e dobët. Kombinimi i këtyre dy faktorëve si dhe vështirësitë që ka sjellë kursi i këmbimit kanë krijuar një mjedis më të vështirë për prodhuesit vendas. Kjo klimë duhet të na shqetësojë të gjithëve, pasi bizneset tona punësojnë atë pjesë të shoqërisë me nevojat më të mëdha.

Me gjithë sfidat, biznesi që unë zotëroj ka njohur rritje gjatë viteve. Por ky vit po sjell më shumë pasiguri, që burojnë edhe nga kërkesa e jashtme dhe nga ndryshimi strukturës së saj. Tregtia online dhe plakja e popullsisë po sjell tendenca të reja në prodhimin dhe tregtimin e këpucës dhe ne na duhet të bëjmë shumë investime, në mënyrë që të përshtatemi. Duhet të prodhojmë këpucë të dedikuara për segmentin e mesëm dhe të ulët të shoqërisë.

Si duhet ta ridimensiononi biznesin tuaj në raport me këto ndryshime? Sa e vështirë është?

Pikë së pari, duhet thënë se Shqipëria ka si pikë të fortë të saj afërsinë me Europën, ndaj dhe pozita gjeografike na bën konkurrues krahasuar me vende të largëta si Kina e Bangladeshi. Duke qenë se kërkesa po ndryshon me shpejtësi dhe shitësit nuk janë më të predispozuar të mbajnë stoqe, nuk kanë leverdi të presin për shumë kohë transportin nga vendet e largëta. Në këtë aspekt, një këpucë, edhe pse pak e shtrenjtë dhe me të njëjtën cilësi si Kina do të ishte me më interes të merrej nga Shqipëria. Po ndërkohë, ne prodhuesit shqiptarë duhet të jemi të përgatitur të ofrojnë një produkt më specifik.

Për të realizuar këtë duhet një ndryshim në mënyrën e administrimit të punës në fabrikë dhe në teknologji. Gjithashtu, për një biznes me cikël të mbyllur si ky që unë drejtoj, që i gjen vetë tregjet, duhet të jesh gjithnjë fleksibël dhe të ndjekësh njëkohësisht trendet të cilat po ndryshojnë me shpejtësi, edhe për shkak të revolucionit që po sjell tregtia online.

Thatë se prodhimi i këpucës duhet të kalojë në një stad tjetër. Çfarë do të thotë kjo dhe si do të arrihet?

Shqipëria tashmë ka një fuqi punëtore të specializuar, e cila është e gatshme të prodhojë një produkt më cilësor. Për një proces që më parë angazhoheshin 7 persona, tani mund ta kryejë vetëm një punonjës. Me rritjen e kostove, për shkak të rritjes së pagave, duhet të shikojmë mënyra për të përfituar nga miradministrimi dhe të segmentojme kërkesën për segmentin e mesëm dhe të lartë. Mirëpo ky proces kërkon së pari investime në teknologji, të cilat, për mua personalisht kushtojnë rreth 3 milionë euro. Ndryshimi i teknologjisë nevojitet për të gjithë industrinë, por kjo kërkon investime, në një kohë që sistemi financiar në vend nuk është shumë miqësor me bizneset dhe nuk është aq fleksibël dhe i shpejtë për plotësimin e nevojave për likuiditet që kanë bizneset e sektorit fason.

Ndryshimi i teknologjisë kërkon lehtësi nga politikat fiskale të qeverisë. Tani më shumë se kurrë duhen politika probiznes, sidomos për sektorin e prodhimit fason, i cili ka kontribut të fortë dhe të qëndrueshëm si në eksporte ashtu edhe në punësim.

Për të kaluar në stadin që folëm, po punojmë fort në drejtim të miradministrimit të procesit të prodhimit në fabrikë. Duke organizuar mirë punën dhe duke shfrytëzuar aftësitë tashmë të larta të punonjësve për të ulur kostot e brendshme dhe për të prodhuar një produkt më cilësor që i përshtatet kërkesës së Europës sot, e cila po ndryshon me ritme të shpejtë. Më parë, porositë kishin një cikël gjashtëmujor të përshtatur me sezone, por tani jo më.

Kërkesa në Europë është e dobët dhe tregtarët nuk janë të prirë të mbajnë stoqe, në mënyrë që të shmangin humbjet. Nga ana tjetër, moda ndryshon shpejt dhe tregtia online ka rritur kërkesën për shpejtësi në prodhim. Cikli i prodhimit ka kaluar në dy muaj dhe nuk ka më sezone. Fabrikat me cikël të mbyllur duhet të përshtaten me gjithë këto zhvillime të vrullshme dhe të jenë fleksibël.

Zonja Mici, ju pak më herët dhe gjithashtu kolegët tuaj kanë shprehur shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore. Ka gjithnjë e më pak të rinj që duhen të punësohen në fabrikat tuaja. Sa shqetësues është ky fenomen?

Po, është e vërtetë. Vite më parë, çdo ditë para derës së fabrikës gjendeshin të rinj e të reja që kërkon punë. Sot, jo më. Kjo sigurisht krijon shqetësim, por nga ana tjetër ne e kemi një fuqi punëtore tashmë të kualifikuar që sigurojnë prodhime më cilësore dhe më pak kosto. Ne si prodhues duhet të menaxhojmë me kujdes pikërisht këtë kategori. Vitin e kaluar, kam rritur tri herë pagat, teksa po profilizoj gjithnjë e më shumë punën në bazë të aftësive të punonjësve. Më duhet të them se faktori fason 70% të kostove i ka paga për punonjësit dhe qira.

Cilat janë shqetësimet kryesore të biznesit fason në lidhje me zhvillimet e brendshme?

Së pari, mendoj se rënia e euros në pikiatë që, për këtë vit parashikohet të kapë 120 lekë nga 144 lekë që ishte disa vite më parë, është shqetësimi kryesor. Vitin e kaluar, fitimet tona u ulën nga 10-20% vetëm si rrjedhojë e kursit të këmbimit. Shpenzimet tona janë rreth 70% në lekë ndaj zhvlerësimi i euros ndaj lekut ishte e gjitha humbje për sektorin fason. Shumë biznese të vogla fasonerie nuk kanë mundur të mbijetojnë në këtë situatë.

Së dyti, mungesa e paketave stimuluese mbetet një shqetësim. Duke qenë se jemi një sektor që punësojmë shtresat më vulnerabël të shoqërisë, politika fiskale duhet të jetë më e ndjeshme. Në rajon, bizneseve fason u krijohen mjaft lehtësi, ndaj kjo na bën ne më pak konkurrues.

Së treti, trendi i rritjes se pagave si rezultat i ofertë-kërkesës është një shqetësim, çka e ka bërë Shqipërinë më pak konkurruese në rang rajonal.

Ju prej vitesh realizoni ciklin e mbyllur të prodhimit. A janë zhvilluar biznese të tjera në vend që ju mbështesin ju me furnizime për prodhimin e këpucës Doniana?

Po. Me krenari mund të them se jemi bërë shkak për zhvillimin e disa bizneseve të tjera që furnizojnë fabrikat tona me lëndë të parë. Rreth 30% të lëndës së parë e marrin në vend. Ka nisur përpunimi në vend i lëkurës. Gjithashtu furnizohemi me kartonë, etiketa dhe kryejmë disa procese të qëndisjes këtu. Mund të themi se është krijuar një miniklastër.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of