Kandidatët që kërkojnë të punësohen në personelin e dedikuar për sigurinë e aeroportit apo për pozicione që nga operator i skanerit të bagazheve, kargos deri te ata që merren me shërbimet ushqimore dhe pastrimin duhet të plotësojnë kriteret e reja të rekrutimit të miratuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikes.
Në fletoren zyrtare është miratuar urdhri i kësaj ministrie për miratimin e “Programit kombëtar të trajnimit për sigurinë e aviacionit civil” në mbështetje të ligjit të ri të Kodit Ajror.
Programi kombëtar i trajnimit për sigurinë e Aviacionit Civil unifikon procedurat për certifikimin e auditorëve, inspektorëve kombëtarë, instruktorëve të sigurisë dhe të agjentëve të sigurisë, që operojnë në operatorët aeroportualë, operatorët ajrorë dhe subjektet e tjera që kanë aktivitet në fushën e sigurisë.
Në program përcaktohet se përpara se të vendoset që një punonjës kandidat ka aftësitë e nevojshme dhe integritetin e duhur për të qenë i besueshëm për të kryer detyrat e sigurisë së aviacionit duhet të plotësojnë një formular aplikimi ku të japin të gjitha informacionet e detajuara rreth tyre, për një periudhë kohore minimalisht prej 5 vjetësh nga dita e aplikimit.
Këto detaje duhet të përfshijnë edukimin, trajnimet, punësimet e mëparshme, informacione të tjera të nevojshme për të verifikuar mungesën e dënimeve, të shkuarën e aplikantit, si dhe eksperiencat e mëparshme të punës.
Të gjitha vendimet për përshtatshmërinë e kandidatëve për t’u punësuar në detyrat e sigurisë së aviacionit duhet të konfirmohen nga drejtuesi i sigurisë.
Autoriteti i Aviacionit Civil mund të vendosë të miratojë ose jo pranimin e kandidatëve në disa pozicione specifike të konsideruara të një rëndësie të veçantë.
Kandidatët do t’i nënshtrohen edhe kontrollin për pastërtinë e figurës nëpërmjet rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare. Kontrollet e rrepta të pastërtisë së figurës do të përsëriten në intervale të rregullta jo më të gjata se 12 muaj, ndërsa kontrollet standarde të pastërtisë së figurës do të përsëriten në interval të rregullta jo më tepër se tre vjet
Kandidatët më pas do ti nënshtrohen provimit teorik me shkrim dhe praktik.
Punonjësit e sigurisë gjithashtu duhet të jenë të certifikuar, që është një vlerësim dhe një konfirmim në emër të AAC-së/departamenti i sigurisë, që personi ka aftësitë dhe kualifikimet e nevojshme për të ushtruar detyrat që i janë ngarkuar. Testet certifikuese duhet të bëhen ose nën mbikëqyrjen e AAC-së, ose nga persona të autorizuar nga AAC-ja. Nota minimale kaluese është 80%.
Programi përcakton gjithashtu se është detyrim që të gjitha kategoritë e personelit të sigurisë, skanimit, instruktorët, inspektorët, auditorët dhe menaxherët duhet, t’u nënshtrohen trajnimeve specifike, sipas detyrave që duhen kryer.
Rregullat e reja për rekrutimet do të zbatohen edhe për personelin që nuk merret me sigurinë, por që kanë të drejtë hyrjeje të pashoqëruar në zonat e kufizuara të sigurisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.