Ministria e Infrastrukturës sqaroi fazat se si do të ndërtohet dhe menaxhohet porti i ri në Porto Romano në disa përgjigje të posaçme
Si është konceptuar procesi i transferimit të shërbimeve të përpunimit të Mallrave nga Porti i Durrësit në Porto Romano dhe si do të zgjidhet logjistika në Porto Romano (hekurudha, rruga)?
Këshilli Kombëtar i Territorit, me Vendimin nr.1, datë 14.10.2020, “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe infrastrukturës portuale” ngarkoi Autoritetet Portuale, që të marrin masat e nevojshme për sigurimin e ekspertizës më të mirë kombëtare apo ndërkombëtare, lidhur me hartimin e planeve të përdorimit dhe administrimit të hapësirave portuale.
Më konkretisht, vendimi e ngarkoi Autoritetin Portual Durrës që të merrte masat për hartimin e dokumenteve tekniko-ligjore që do ta orientojnë Autoritetin Portual për zhvillimin e operacioneve portuale, shërbimeve dhe investimeve në infrastrukturën detare dhe tokësore të terminaleve përkatëse, në përputhje me zonat e përcaktuara në Planin Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale (Porto Romano dhe Durrës).
Në përputhje me vendimin e KKT-së dhe me parashikimet e “Planit Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale”, për zhvillimin e infrastrukturave portuale në Durrës dhe Porto Romano, Autoriteti Portual Durrës (APD), siguroi konsulencën e nevojshme kombëtare dhe ndërkombëtare për hartimin e “Masterplanit strategjik Durrës – Porto Romano 2030”, në bashkëpunim me Forcën Detare (Shërbimi Hidrografik Kombëtar), Institutin e Transportit, Administratën Detare (në cilësinë e organit epror të Kapitenerisë së Porteve dhe Autoritetit Shtetëror të Sigurisë Portuale), si dhe me agjencitë ligjzbatuese që ushtrojnë funksione në facilitetet portuale (Polici Kufitare dhe Dogana).
Masterplani Strategjik, bazuar dhe në eksperiencat e ngjashme në disa vende të Bashkimit Europian, në zonën e Mesdheut Perëndimor, Europës Hanseatike dhe Detit Baltik, ka parashikuar një plan zhvillimor të dyfishtë:
– Nga njëra anë, ndërtimin, përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës portuale të Autoritetit Portual Durrës në Porto Romano, ku do të transferohen progresivisht aktivitetet e transportit detar të mallrave,
– Dhe nga ana tjetër, ridimensionimin progresiv të facilitetit aktual të Portit të Durrësit, në funksionet e një marine turistike dhe hapësire urbane me shërbime elitare për turizmin dhe pasagjerët.
Etapa e parë e parashikuar nga Masterplani Strategjik, më konkretisht “Studimi i Fizibilitetit për Ndërtimin, Përmirësimin dhe Zgjerimin e Infrastrukturës Portuale në Porto Romano” është miratuar me vendim nr.1, datë 26.02.2021 të Këshillit Drejtues të APD-së, vendim me të cilin është njohur Bashkia e Durrësit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Në zbatim të këtij studimi fizibiliteti, dhe në ndjekje të detyrave të ngarkuara në Vendimin nr.1, të KKT, datë 14.10.2020, Autoriteti Portual Durrës ka hapur garën për shërbimin e konsulencës “Hartimi i Projektit të detajuar teknik (Detailed Design) të Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano”, në përfundim të së cilës ka nënshkruar Kontratën Nr.4314 Prot., datë 24.12.2021 me bashkimin e operatorëve ekonomikë të drejtuar nga kompania holandeze HASKONINGDHV NEDERLAND, një kompani lider në nivel europian dhe ndërkombëtar në fushën e projektimit të infrastrukturave portuale.
Sa është kosto e përllogaritur për ndërtimin e Portit në Porto Romano?
Në përgjigje të pyetjeve tuaja, është pikërisht Projekti i detajuar teknik (Detailed Design) i Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano, i cili do të përftohet brenda 6 muajve, që do të përcaktojë saktë kostot e ndërtimit të infrastrukturës portuale, afatet e ndërtimit dhe transferimit progresiv të aktiviteteve, ndërlidhjen me infrastrukturën rrugore e hekurudhore, shfrytëzimin e hapësirave në hinterland për transportin dhe përpunimin e mallrave, sipas konceptit të një kompleksi Portual logjistik në shërbim të tregut vendas dhe rajonal.
Paralelisht, zhvillimi i Marinës turistike dhe ballinës ujore të Durrësit është identifikuar si investim i rëndësishëm në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në fund të vitit 2020 mes Qeverisë shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, Komiteti i investimeve Strategjike ka marrë Vendimin nr. 14/6 datë 02.12.2021 “Për miratimin e statusit “Investim/ investitor Strategjik procedure e veçantë” për projektin e investimit “Marina & Jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina).
Zbatimi i këtij vendimi po ndiqet aktualisht nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të investimeve (AIDA) në cilësinë e sekretariatit të Komitetit të investimeve Strategjike.
Cila do të jetë forma e menaxhimit të Portit në Porto Romano dhe sa do të jetë vlera e investimit për të zëvendësuar funksionet që sot kryhen nga Porti i Durrësit?
Për sa i përket pyetjes suaj, lidhur me modalitetet e transferimit të operacioneve të përpunimit të mallrave në facilitetet e reja që do të ndërtohen në Porto Romano, më lejoni të sqaroj se:
Në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi, si dhe praktikat europiane në fushën e administrimit të porteve, Autoriteti Portual Durrës ushtron sot kompetencat e tij, si autoritet pronar toke (Land Lord Port) në Portin e Durrësit, ku shërbimi i operimit të terminaleve ofrohet nga kompani të specializuara private, në formën e marrëveshjeve koncesionare, ose të operimit/mirëmbajtjes.
Këto kompetenca do të vijojnë të ushtrohen edhe në Porto Romano, ku Masterplani Strategjik parashikon si parim vijimësinë e operimit në facilitetet e reja dhe zbatimin e detyrimeve kontraktore të ndërsjella.
Theksoj gjithashtu se, zbatimi i dy projekteve të sipërpërmendura, do të realizohet me faza, paralele dhe të shtrira në kohë, duke siguruar vijimësinë e pandërprerë të transportit dhe përpunimit të mallrave dhe pasagjerëve.
Në këtë kontekst, Autoriteti Portual Durrës i ka kushtuar vëmendje të veçantë bashkëpunimit me të gjithë aktorët institucionalë dhe privatë, duke siguruar angazhimin e tyre për të ndihmuar në jetësimin e Masterplanit Strategjik në Durrës dhe Porto Romano.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.