Një numër rekord i farmacive false në internet që tregtonin produkte të lidhura me Covid-19 u mbyllën në maj si pjesë e një operacioni global.
Më shumë se 100 mijë tregje në internet që ofronin medikamente të paligjshme u hoqën si pjesë e Operacionit “Pangea” të Interpolit.
Vetëm në Britani barnat false të sekuestruara kapnin vlerën 13 milionë dollarëve.
Ky ishte operacioni më i madh që nga viti 2008, i cili u zhvillua midis 18 dhe 25 majit, ndërsa u arrestuan 277 persona nga 92 vende. Më shumë se 20 milionë dollarë produkte farmaceutike u sekuestruan.
Paketat e rreme ose të paautorizuara të testimit të Covid-19 përbënin më shumë se gjysmën e pajisjeve të paligjshme mjekësore të kapura në të gjithë botën.
Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar hoqën gjithashtu më shumë se 3,100 reklama për shitjen e barnave të palicencuara si pjesë e operacionit.
Rreth 43 uebfaqe me qendër në Britani u mbyllën gjithashtu.
Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Jurgen Stock, tha se shitja e barmave të paligjshme rrezikon jetën e “mijëra” viktimave.
“Shitja në internet e barnave të paligjshme vazhdon të përbëjë një kërcënim për sigurinë publike, kjo është arsyeja pse operacione të tilla si Pangea mbeten thelbësore në luftimin e kësaj sëmundje globale të shëndetit,” tha ai.
“Ndërsa pandemia detyroi më shumë njerëz ti drejtohen blerjeve në internet, kriminelët ishin të shpejtë për të synuar këta klientë të rinj.”
Industria globale farmaceutike vlen më shumë se 1 trilionë dollarë.
Zinxhirët e furnizimit shtrihen nga prodhuesit kryesorë në vende të tilla si Kina dhe India, në depot e paketimit në Europë, Amerikën e Jugut ose Azi, te shpërndarësit që dërgojnë medikamente në çdo vend të botës.
Vitin e kaluar, një hetim i BBC News zbuloi barna të rreme për shitje në Afrikë, me falsifikuesit që shfrytëzonin boshllëqet në rritje në treg.