Rreth 22 mijë persona kanë dalë nga Kosova përmes pikave kufitare dhe kanë hyrë në Shqipëri gjatë kësaj fundjave.
Derisa që nga e premtja e deri në paraditen e së dielës, në Kosovë kanë hyrë rreth 17 mijë persona, e të cilët u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore.
Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, por edhe vendet e rajonit, ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të të infektuarave me koronavirus.
Por tashmë lehtësimi i masave po vazhdon dhe qarkullimi e kalimet kufitare mes shteteve nuk po ndalet. Vetëm gjatë vikendit në pikat kufitare Kosovë-Shqipëri, kanë kaluar me dhjetëra mijëra persona.
Kthimi i aktiviteteve në normalitet po rezulton me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus gjithandej.
Numër i lartë i rasteve po regjistrohet edhe në Kosovë. Vetëm në ditët e vikendit janë regjistruar 96 raste me koronavirus dhe për to është raportuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.
Mirëpo këto shifra alarmuese nuk i kanë ndalur kosovarët që të vizitojnë gjatë vikendit bregdetin në Shqipëri. Madje fundjava ka qenë e mbingarkuar tej mase për pikat kufitare Kosovë-Shqipëri.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, dita kur numri më i madh i personave që kanë shkuar në drejtim të Shqipërisë ka qenë e shtuna, ku nga Kosova kanë dalë 8 mijë e 462 persona.
Kurse, në përgjithësi janë 22 mijë persona që kanë dalë nga Kosova përmes pikave kufitare dhe ia kanë mësyrë Shqipërisë gjatë vikendit.
Derisa që nga e premtja e deri në paraditen e së dielës, në Kosovë kanë hyrë rreth 17 mijë persona, e të cilët u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore.
Edhe në një javë në parë, gjatë vikendit në Shqipëri kanë dalë mijëra qytetarë të Kosovës.
Sipas të dhënave të policisë për këto dy ditë vetëm në pikat kufitare në perëndim, kanë hyrë në Kosovë mbi 10 mijë persona, si dhe kanë dalë rreth 10 mijë.
Po nga ana perëndimore kanë hyrë e dalë edhe mijëra mjete transportuese.
Sipas të dhënëve zyrtare gjatë vikendit kanë hyrë 4 mijë e 111 vetura dhe 114 kamionë, si dhe kanë dalë 3 mijë e 24 vetura dhe 60 kamionë.
Sipas këtyre të dhënave në krejt vendin për dy ditë, në javën e shkuar, kanë hyrë 16 mijë e 481 persona dhe kanë dalë 15 mijë e 267 persona.
Vlen të theksojmë se pika kufitare më e ngarkuar gjatë sezonit të verës është ajo e Merdares, pasi aty kalojnë shumica e mërgimtarëve që vijnë për të kaluar pushimet në Kosovë. E të ngarkuara janë edhe pikat kufitare me Shqipërinë, pasi shumë qytetarë shkojnë për pushimet e verës atje.
Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Avdullah Hotit disa ditë më parë ka miratuar masat lehtësuese. Pas lehtësimit në Kosovë është hequr orari i kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Pra tani lëvizja është e lirë dhe 24 orë.
Po ashtu qytetarët që hyjnë në Kosovë, përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por ata do të kontrollohen në kufi nga ekipet mjekësore.
Qysh nga nisja e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë respektimin e masave mbrojtëse, si ruajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave si dhe higjienën personale.
Në Shqipëri të dielën janë konfirmuar edhe 71 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në afër 2 mijë.
Kurse në Kosovë të dielën janë regjistruar 96 raste të reja m koronavirus. Sipas të dhënave të fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2,169 raste me Covid-19. Prej tyre, 36 pacientë kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.