Intervistë me Brunilda Isaj, sekretare e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare
Mikrofinanca ishte ndoshta segmenti më i goditur nga kriza brenda sektorit financiar. Boshllëku i likuiditetit nga shtyrja e kredive i vuri shumë institucione në vështirësi për të vijuar normalisht aktivitetin dhe kredidhënien e re. Ndryshe nga bankat, institucionet e mikrofinancës nuk pranojnë depozita dhe nuk kanë akses në instrumentet e financimit me likuiditet nga Banka e Shqipërisë.
Brunilda Isaj, sekretare e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, thotë për revistën “Monitor” se, tregu e kaloi pa pasoja momentin më të vështirë dhe pas tremujorit të tretë, gjendja e tregut ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm. Ajo thotë se viti 2021 pritet t’i japë vijimësi kësaj tendence përmirësuese, por, sipas saj, edhe gjysma e parë e vitit do të ndikohet shumë nga pandemia dhe nuk duhet pritur një kthim i shpejtë në nivelet e para-pandemisë.
Si do ta vlerësonit performancën e sektorit të mikrofinancës në vitin 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ishin ato më të prekshme?
Viti 2020 do të mbahet mend gjatë për vështirësitë në të cilat e vuri njerëzimin në mbarë botën. Së pari, në planin shëndetësor, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe, së dyti, në planin ekonomik dhe financiar, i lidhur ngushtësisht ky me të parin për vetë rëndësinë jetike që ka.
Sektori i mikrofinancës, siç edhe e kemi përshkruar shpesh gjatë vitit në komunikime apo publikime të shumta që kemi ofruar për publikun, ishte më i godituri nga pandemia, për shkak të ndikimit të ndjeshëm që pati në radhët e klientëve tanë, të cilat janë shtresat më të brishta të popullatës financiarisht dhe ekonomikisht.
Megjithatë, ne mendojmë se sfidat dhe vështirësitë që hasëm, i përballuam më së miri. Sektori i mikrofinancës nuk e ka ndaluar për asnjë moment kreditimin, pavarësisht mungesave në likuiditet si pasojë e shtyrjeve të kredive, vështirësive operacionale për shkak të mungesës së kontaktit me klientin, që për sektorin tonë është vitale, por edhe rënies drastike të kërkesës për financime gjatë periudhës së mbylljes.
Institucionet tona anëtare i kanë inkurajuar klientët t’u drejtohen për çdo vështirësi që kanë ndeshur, e cila do të kërkonte një riskedulim apo shtyrje të pagesave, në një kohë që ka ofruar vazhdimisht mundësi financimi për nevojat e aktivitetit ditor dhe jo vetëm, për bizneset në nevojë, me qëllim që ato të vijonin aktivitetin e tyre dhe të mos rrezikonin mbylljen.
Në këtë fundviti, institucionet tona anëtare me krenari pranojnë se me përkushtimin e jashtëzakonshëm të stafit, me punë të palodhur në distancë dhe në ambientet e degëve, dhe me një menaxhim të kujdesshëm në planin administrativ, pjesa më e keqe ka kaluar dhe është kapërcyer në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe tani përgatitemi për sfida të reja.
Cilat do të jenë sfidat kryesore për sektorin e mikrofinancës në vitin 2021?
Në këndvështrimin tonë, i gjithë sistemi financiar në vend, por edhe globalisht, ndjek me shqetësim ecurinë e pandemisë në mënyrë që të krijojë një ide për mbarëvajtjen e kthimit të kredive dhe sasinë e nevojshme të likuiditetit në treg, për të rinisur aktivitetin në kushte afër normalitetit. Theksojmë afër normalitetit, sepse përshtypja e përgjithshme është që do të jetë e vështirë të kthehemi plotësisht në kushtet e para pandemisë.
Nga informacioni që kemi nga anëtarët, ripagimet e kredive kanë rinisur sipas skeduleve të reja të rëna dakord, dhe normat e kredive të këqija janë drejt normalizimit, kundrejt një rritjeje që përjetuam në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit.
Thënë kjo, po punohet fort në drejtim të marrëdhënieve të ngushta me klientët dhe ofrimit të këshillimit dhe ekspertizës, sidomos për klientët e biznesit, të cilët kanë nevojë për konsulencë të vazhdueshme në kushtet e krizës aktuale. Megjithatë, institucionet anëtare kanë rritur kapitalet e tyre dhe janë vazhdimisht në monitorim të cilësisë, për të mos pasur goditje të forta në drejtim të shpenzimeve për provigjione.
Në këtë kuadër, është nisur edhe komunikimi me Bankën e Shqipërisë për të mos i klasifikuar klientët e prekur financiarisht nga COVID-19 si klientë joperformues, dhe për të mos llogaritur provigjione shtesë për klientët e ristrukturuar që vijojnë ripagimet, sipas planit të ri të pagesave.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2021? Çfarë faktorësh do ta ndikojnë më shumë aktivitetin e sektorit tuaj?
Në buxhetimet e vitit të ardhshëm, pritshmëritë tona janë ngushtësisht të lidhura me kohëzgjatjen e pandemisë dhe faktorët e lidhur me të. Në këndvështrimin tonë, edhe gjysma e parë e vitit 2021 do të karakterizohet nga një ngadalësim i ekonomisë, ndoshta jo në të njëjtën masë krahasuar me vitin 2020, por e shohim të vështirë trendin rritës, për shkak të një pandemie ende në shifra të larta dhe aksesit ende të parealizuar në vaksinat anti-COVID.
Megjithatë, nëse nuk do të ketë kufizime të mëtejshme të lëvizjes së qytetarëve, dhe ushtrimit të aktivitetit të bizneseve në kushtet e një kërkese në rritje për konsum dhe investime, shumë shpejt ekonomia do shfaqë elemente rikuperimi, dhe drejt fundit të vitit të ardhshëm, pritshmëritë tona janë që t’i kthehemi rritjes, sigurisht ende jo në nivelet e para-pandemisë.
Pa harruar edhe faktin që viti 2021 është një vit elektoral. Ky fakt ka ndikimin e vet, sidomos në nivelin e investimeve publike dhe sasisë së parave që injektohen në ekonomi, pritshmëritë tona janë që aktiviteti ynë të vijojë pa deviacione të forta dhe institucionet anëtare të ofrojnë maksimumin e tyre në mbështetje të ekonomisë, familjeve shqiptare, mikrondërmarrjeve, fermerëve dhe segmenteve të tjera të tregut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.