Bizneset e vogla në vështrësi, Institucionet mikrofinanciare kërkojnë të përfshihen në fondin e garancisë…
Krahas ristrukturimit të kredive në sistemin bankar, ky proces ka avancuar dhe te institucionet mikrofinanciare. Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA), bëri të ditur se , Institucionet financiare anëtare të AMA kanë shqyrtuar më shumë se 31 mijë kërkesa për shtyrje. Deri në këtë moment, janë miratuar dhe procesuar 26,129 aplikime, nga të cilat rreth 18 mijë janë kredi për individë dhe 8 mijë kredi për biznese. Totali i portofolit tëkredive të riskeduluara, sipas datës 30 prill 2020 është 7.87 miliardë lek ose rreth 63.5 milionë Euro dhe përbën rreth 28% të portofolit total të kredive (Shifrat i përkasin Anëtarëve të Shoqatës, dhe jo gjithë Industrisë).
Shoqata e Mikrofinancës konfirmon vështirësitë që po hasen aktualisht nga ekonomia shqiptare, ashtu si dhe pritshmëritë jo-pozitive për periudhën që po vjen. Kjo është një situatë e vështirë dhe e paprecedentë qëkonfirmohet nga rënia e konsumit, paraliza e bizneseve, zgjerimi i vonesave në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ulja e pagave dhe të ardhurave familjare për dhjetëra mijëra biznese, fermere e familje shqiptare.
Kriza aktuale po ndikon kryesisht ato biznese të vogla e fermerë të cilët nuk kanë fonde rezerve, kapacitete stoku, apo burime të mjaftueshme menaxhimi për t’u përballur të vetëm me mungesën e të ardhurave si pasojë e kufizimit të aktivitetit ekonomik të tyre në kontekstin e pandemisë Covid19. Këto biznese e fermerë, për shkak të karakteristikave të tyre, nuk financohen në kushte normale nga sektori bankar, dhe janë aktualishttë përjashtuar nga aksesi në financë për shkak të ndrydhjes së financimit bankar.
Institucionet mikrofinanciare kërkojnë të përfshihen në fondin e garancisë
Qeveria shqiptare ka miratuar deri tani 2 fonde garancie, i pari prej 11 miliardë lekësh për pagat dhe i dyti prej 15 miliardë lekësh për kapital qarkullues e nevoja të tjera. Por në të dy këto fonde, institucionet e mikrofinancës nuk janë përfshirë.
Shoqata thotë se Mikrofinanca shqiptare, me një aktivitet mbi 25 vjeçar, mbetet e vetmja alternative financimi për këto biznese e fermerë. Mos përfshirja e këtij sektori në fondin e garancisë kushtëzon disbursimin e financimevetë reja për këto biznese e fermerë dhe rrjedhimisht dëmton në mënyrë të ndjeshme ekonominë e vendit, duke paralizuar përfituesit fundorë të zinxhirit të furnizimit, familjet, fermerët dhe sipërmarrjen e vogël, që janë shtylla kurrizore e ekonomisë së vendit tonë.
Pavarësisht kësaj situate, institucionet e mikrofinancës mbeten të angazhuar maksimalisht që të mbështesin ekonominë shqiptare, me lehtësi për biznesin dhe financime të reja, me shpresën që Qeveria Shqiptare do t’i përfshijë në skemat dhe instrumentat financiarë që deri më sot janë rënë dakord vetëm me sistemin bankar, për t’i dhënë një frymëmarrje të re mbështetjes së biznesit shqiptar dhe sfidave që ai po kalon në këto muaj të vështirë.
Dera e aksesit në financë për individët, biznesin e vogël dhe fermerin shqiptar duhet të mbetet me çdo kusht e hapur në këto kohë sfidash për ekonominë e vendit. Kushtëzimi i tyre nga fondi i garancisë duke i orientuar vetëm drejt ofertës bankare, përfaqëson një kufizim të aksesit në financë. Mos-konsiderimi i institucioneve mikrofinanciare në këtë instrument të shtetit shqiptar, përpos kufizimit të financimit për biznesin e vogël dhe fermerin shqiptar, mund të impaktojë edhe konkurrencën e drejtë në kredidhënie mes bankave dhe institucioneve të mikrofinancës, duke i vendosur të parat në një pozicion më të favorshëm dhe duke krijuar për pasojë një shtrëmbërim të pajustifikuar të tregut, përfundon shoqata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.