Mikrofinanca zgjeron tregun me 25% më 2019

02/07/2020 12:56 PM 0 komente

Institucionet financiare jo banka zgjeruan më tej pozicionin në tregun financiar gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, totali i aktiveve për subjektet financiare jobanka (SFJB), në dhjetor 2019, arrin në nivelin 58.1 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 11.8 miliardë lekë ose 25.4%.

Kjo rritje është gjeneruar kryesisht nga Fondi Besa (41%), Iutecredit Albania (16%), Kredo Financë (11%), NOA (8%), Raiffeisen Leasing (8%).

Aktivet e subjekteve financiare jobanka zënë rreth 3.9% të totalit të aktiveve të sistemit bankar, duke u rritur me 0.8 pikë përqindje krahasuar me vitin paraardhës.

Në fund të vitit 2019, portofoli i kredive bruto të institucioneve financiare jobanka arrin në 35.5 miliardë lekë, duke njohur një rritje me rreth 6.8 miliardë lekë (ose 23.7%) krahasuar me vitin paraardhës.

Ndikimin më të madh në këtë rritje e ka dhënë veprimtaria e mikrokredisë me 2.95 miliardë lekë, ndërsa kredidhënia dhe qiraja financiare janë rritur përkatësisht me 1.97 dhe 1.93 miliardë lekë. Veprimtaria e faktoringut ka rënë me 61.3 milionë lekë

Sektorët më të financuar janë “Aktivitete të tjera shërbimi” (40%), “Tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” (23%) dhe “Bujqësia, pyjet, peshkimi”(14%).

Ndërsa për aktivitetin e qirasë financiare, renditen sektorët e “Aktiviteteve të tjera të shërbimit” (31%) “Tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” (20%), “Ndërtimit” (13%) dhe “Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme” (7%). Portofoli i SFJB-ve mbetet i orientuar drejt financimeve në monedhën vendase (64.4%) dhe me afat të mesëm maturimi (61.7%).

Gjatë vitit 2019, subjektet financiare jobanka kanë njohur një rezultat pozitiv prej 3.46 miliardë lekësh. Ky rezultat është rritur me rreth 1.76 miliardë lekë (ose 103.5%) krahasuar me vitin paraardhës. Rezultati financiar është ndikuar kryesisht nga subjektet: Fondi Besa, Tranzit, Iute Credit Albania, Unioni Financiar Tiranë dhe NOA. Rezultati i institucioneve financiare jobanka përbën rreth 15% të rezultatit të sistemit bankar.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of