Projekti ForestaMi parashikon mbjelljen e 3 milionë pemëve deri në vitin 2030, një nismë e ndërmarrë për të pastruar ajrin dhe për të luftuar ndryshimet klimatike.
Milano, qyteti i pemëve. Metropoli i Lombardisë, po përgatitet të shndërrohet në një “qytet pyll”, duke përdorur kështu të njëjtin term me të cilin i referohet këtij qyteti arkitekti që ka projektuar ForestaMi, Stefano Boeri. Ky është një projekt që mbi të gjitha ka marrë edhe miratimin e kryebashkiakut, Beppe Sala.
Një pemë për çdo banor
Projekti është gati dhe parashikon mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja brenda 2020 dhe më pas duke vazhduar me mbjelljen e 400 mijë të tjerave deri në 2022, dy milionë deri në 2026, për të plotësuar kështu shifrën prej 3 milionë pemësh deri në vitin 2030. Në përfundim, do të jetë mbjellë pothuasje nga një pemë për çdo banor të këtij qyteti. Mbjellja e rreth 3 milionë pemëve deri në vitin 2030 parashikon një rritje me rreth 50 për qind të bimësisë në këtë qytet. Faza fillestare e këtij projekti do të fillojë të zbatohet nga nëntori i këtij viti e deri në mars të vitit tjetër.
Një ndër objektivat kryesore të këtij projekti, shpjegon Boeri, është reduktimi i emetimeve të CO2 me 4/5, pastrimi më në fund i ajrit të Milanos, reduktimi me 2/3 gradë të temperaturës gjatë stinës së verës në këtë qytet. Mbjellja e pemëve është një ndër prioritetet e shumë bashkive në disa prej qyteteve më të mëdha të botës, duke filluar nga Nju Jorku, Melburni, Shangai, Parisi, etj, pjesë gjithashtu e fushatës për të parandaluar përkeqësimin e ndryshimeve të mëtejshme klimatike në botë.
Pemë, në vend të parkingjeve
Fytyra e re e gjelbër e Milanos përfshin mbjelljen e pemëve në zonat që sot përdoren si parkingje. Pjesa më e madhe e këtyre pemevë do të vendosen edhe në rrethinat jashtë qytetit, shpjegon Maria Chiara Pastore, studiuesja e cila po merret me koordinimin e këtij projekti. Nëse tani ky qytet është i mbuluar nga një re e madhe gri, ajo shumë shpejt do të marrë ngjyrë të gjelbër, përfundoi znj. Pastore.