37% e të rinjve e konsideron vlerën e identitetit online “të lartë”, 14% “e gjithë jeta”
Studimi
Një person, një smartphone. Telefoni inteligjent nxit kënaqësinë si te të rinjtë, edhe te të rriturit. Por si janë gjërat tek millennials, apo të lindurit dixhitalë? Acronis, kompani në fushën e mbrojtjes informatike dhe zgjidhjeve cloud hibride, kreu një studim për të kuptuar se si i konsideron kjo gjeneratë dy teknologjitë që përdor më shpesh për ndërveprimin dixhital: smartphone dhe rrjetet sociale.
Koha e përdorimit
Sot, të gjithë ose thuajse të gjithë, kanë një smartphone, por millennials janë gjithmonë të lidhur me rrjetet sociale. Ata bëjnë mesatarisht 900 foto në vit dhe i ndajnë me miqtë në Instagram (52%) dhe Snapchat (47%). Por, përtej këtyre të dhënave, për shumë prej tyre, pajisjet dhe rrjetet sociale nuk janë vetëm një mënyrë për t’u socializuar dhe për të bërë selfie, por përfaqësojnë identitetin e tyre 360 gradë. Me rrezikun për ta humbur atë…
Si e përdorin
Nga përgjigjet e dhëna në pyetësorin e Acronis del se 37% e millennials beson se vlera e identitetit të tyre online është “e lartë”, ndërsa 14% pohon që identiteti online është “e gjithë jeta e tyre”. Lidhja dixhitale qëndron në bazë të pjesëmarrjes në jetën sociale, profesionale dhe qytetare të millennials. Kjo varësi shfaqet në mënyrë dërrmuese kur 75% e atyre që kanë humbur telefonin, si dhe për shkak të të dhënave në të, pohuan se janë tronditur (19%) apo shqetësuar (56%).
Të varur nga telefoni?
Një e treta (32%) e të intervistuarve pohoi që e kontrollojnë telefonin më shumë se 30 herë në ditë. Sondazhi zbulon se në mesin e millennials, lidhja me telefonin është e shpërndarë në mënyrë të barabartë – 51% thonë se nuk ndihen në ankth nëse nuk e kanë me vete telefonin. Po të tjerët? 23% thonë se ndihen në ankth, kurse 26%, ndonjëherë në ankth. “Pas këtyre përgjigjeve – thekson studimi – fshihet me siguri besimi i brendshëm në sigurinë që ofrojnë teknologjitë, por që mund të shoqërohet me mungesën e adoptimit të masave të nevojshme në mbrojtjen e informacioneve personale”.
Si mbrohet identiteti?
Siç tregon ai 51% i të anketuarve që raportojnë se kanë humbur fotot dhe të dhënat në telefonat e tyre, humbja e informacioneve është diçka që mund të ndodhë edhe te millennials. Interesant është fakti që 18% pohon se nuk përdor as fjalëkalimin dhe as njohjen e fytyrës për të mbrojtur telefonin. Lajmi i mirë është që një përqindje e lartë e të intervistuarve, 64%, thonë se kanë një fjalëkalim për të mbrojtur të dhënat online, ndërkohë 19% ka aktivizuar si fjalëkalimin edhe njohjen e fytyrës. Duke marrë në konsideratë rëndësinë që kanë smartphone për millennials, kjo kontradiktë duket befasuese. Përtej arsyeve që millennials (dhe jo vetëm) duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi mbrojtjes informatike, përdorimi dhe lidhja emocionale me teknologjikë nuk ka asnjë dyshim.
Burimi: Corriere della Sera