Kuvendi i Shqipërisë miratoi në korrik 2019 kontratën koncesionare të formës së Partneritetit Publik Privat (PPP) për rrugën Milot-Balldren. Kjo kontratë u iniciua pas një oferte të pakërkuar nga kompania ANK, e cila u shpall fituese e tenderit në tetor 2018.
Sipas kontratës së miratuar tashmë në Kuvend, kostot e projektit të rrugës Milot – Balldren, me një gjatësi totale prej 17.2 km, është 213.6 milionë euro, plus TVSH-në, ose 256 milionë euro përfshirë TVSH-në. Kontrata është e miratuar në euro, dhe pagesat koncesionari do t’i marrë në euro, ndonëse qeveria shqiptare i merr të ardhurat dhe kryen pagesat në lekë. Me kursin aktual të këmbimit, ku një euro është rreth 122 lekë, kostoja në lekë e kësaj kontrate në total është 31.2 miliardë lekë.
Por, qeveria në kuadrin e saj afatmesëm është e përgatitur të paguajë deri në 36.5 miliardë lekë për këtë koncesion, sipas tabelave të brendshme të hartuara nga Ministria e Financave për llogari të institucioneve ndërkombëtare dhe të siguruara nga “Monitor” (shiko tabelën).
Pra shuma maksimale që qeveria parashikon të paguajë nga buxheti i saj është dhe 5.3 miliardë lekë, ose gati 44 milionë euro më shumë (e llogaritur me kursin aktual 1 euro=122 lekë), sesa ajo e miratuar në kontratën nga Kuvendi, duke e çuar koston në total në 17 milionë euro për kilometër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.