Për vite me radhë, jeta ekonomike në qytetin Breza të Bosnjës, varej shumë nga miniera e saj e qymyrit, por zhvendosja globale nga lëndët djegëse fosile në burimet e rinovueshme, po kërcënon këtë industri, që dikur ishte krenaria e Jugosllavisë komuniste.
Armel Jekalovic dhe minatorë të tjerë, të cilët dikur konsideroheshin si heronj vendas që siguronin të ardhura të mira për familjet e tyre, tani kanë frikë se brezi i tyre mund të jetë i fundit që siguron jetesën, duke punuar në minierat e qymyrit të Bosnjës.
“Kjo situatë me tranzicionin e energjisë na shqetëson”, thotë Jekaloviç, 36 vjeç, i cili mbikëqyr operacionet në minierën në veriperëndim të Sarajevës. “Prodhimi është vazhdimisht në rënie, po ashtu edhe numri i të punësuarve. Njerëzit nuk ndihen më të sigurt dhe po kërkojnë alternativa të tjera”.
Në marrëveshjen e fundit COP26 në Glasgow, vendet u zotuan “të ulnin gradualisht” përdorimin e qymyrit, një nga burimet kryesore të ndotjes në botë.
Ekspertët parashikojnë se asnjë nga 11 minierat e mbetura të qymyrit në Bosnjë, nuk do të mbetet funksionale në dekadat e ardhshme, pasi presioni për mbrojtjen e mjedisit po rritet dhe vendi po përpiqet të bëhet më ekologjik, ndërkohë që kërkon anëtarësimin në BE. Miniera në Breza punëson 1,100 persona, duke mbështetur më shumë se 70% të 14,000 banorëve që jetojnë në këtë zonë të Bosnjës Qendrore, sipas Jekalovic.
Por spektri i reformave të gjelbra nuk është sfida e vetme me të cilën përballet fuqia punëtore e industrisë. Problemet me pagesat e pensioneve janë një tjetër pengesë dhe punëdhënësit e minatorëve prej vitesh nuk kanë kontribuar në pensionet e tyre.
Vetëm kontributet e papaguara përbëjnë gjysmën e borxhit prej 500 milionë eurosh të kësaj industrie, duke çuar në protesta që duket se nuk e kanë përmirësuar situatën. “Minatori dikur ishte një njeri i respektuar, ai ishte një ikonë”, thotë Jekaloviç, babai dhe gjyshi i të cilit ishin të dy minatorë.
“Lopata më të mëdha”
Përballë minierës në Breza, është ngritur një statujë e Alija Sirotanovic, legjendë e klasës punëtore, portreti i të cilit ishte stampuar edhe në kartëmonedhat jugosllave të viteve 1980. Statuja përkujton një kohë kur minierat ndihmuan në formimin e themeleve të ekonomisë jugosllave.
Thuhet se Josip Broz Tito e kishte pyetur një herë Sirotanovic se çfarë i nevojitej atij dhe shokëve dhe ky i fundit i ishte përgjigjur: “lopata edhe më të mëdha”. Sipas ekspertëve, rreth 2.6 miliardë tonë rezerva qymyri të minueshme mund t’i japin këtij vendi të varfër ballkanik pavarësi energjetike për më shumë se një shekull.
Por Bosnja, e cila shpreson që një ditë të anëtarësohet në Bashkimin Europian, është zotuar të kalojë në burime të rinovueshme të energjisë, deri në vitin 2050. Rritja e kredencialeve të gjelbra shihet si një nga një masat kryesore që duhet të ndërmarrë qeveria për t’u bërë kandidate për anëtarësim në BE.
Bosnja ka bërë disa premtime për të reduktuar varësinë nga lëndët djegëse fosile, duke përfshirë miratimin e Deklaratës së Sofjes, e cila premtoi një përpjekje për t’u bërë “një shoqëri miqësore ndaj klimës, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit”.
“Sektori i qymyrit ndoshta do të zhduket në 10 deri në 20 vitet e ardhshme. Ky është realiteti. Nuk varet nga politika, është thjesht ekonomi”, thotë për AFP, Denis Zisko, analist në Qendrën për Ekologjinë dhe Energjinë.
Ashtu si përkrahësit e tjerë të energjisë së gjelbër, Zisko argumenton se forcat e tregut do ta eliminojnë fare industrinë e qymyrit, veçanërisht në Bosnjë, ku subvencionohet shumë për të ofruar çmime “të ulëta në nivele jorealiste” për konsumatorët.
Por Edin Delic, profesor në Fakultetin e Minierave dhe Gjeologjisë në Tuzla, beson se vendi po bën një angazhim “të nxituar” për tranzicionin, në një afat të paqëndrueshëm. Emetimet e karbonit të Bosnjës janë tepër të vogla në krahasim me vendet e tjera më të mëdha, dhe minierat e saj prodhojnë vetëm 13 milionë tonë qymyr në vit, në krahasim me 11 milionë tonë që prodhohet në Kinë çdo ditë.
Sektori është gjithashtu një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë, duke punësuar drejtpërdrejt më shumë se 17,000 njerëz dhe shumë të tjerë në industri të ngjashme. “Bosnja është një lojtar i vogël në këtë skenë, por mund të vuajë pasoja shumë të rënda ekonomike”, thotë Delic.
“Jashtë në të ftohtë”
Varësia nga qymyri mund të nxisë probleme të tjera në kombin ballkanik. Dy të tretat e energjisë elektrike në Bosnjë, prodhohet nga termocentrale kryesisht të vjetruara, të furnizuara me qymyr, dhe që janë ndërtuar në epokën komuniste.
Planet për të përmirësuar një termocentral në Bosnjën Verilindore, pothuajse u përmbysën pasi konglomerati amerikan GE u tërhoq për shkak se kompanitë po rishikojnë investimet e tyre në qymyr. Për ata që ia kanë kushtuar jetën punës në miniera, largimi nga puna nuk do të jetë i lehtë.
Minatorët janë të vetëdijshëm se “dekarbonizimi është zgjedhja globale”, thotë Sinan Huskic, presidenti i një sindikate në Bosnjë. “Ne jemi gati për një përgjigje serioze dhe të organizuar. Nuk do të lejojmë që të na lënë jashtë në të ftohtë”, shton ai.