Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me iniciativën e “Mini-Schengen-it” ku këtë të enjte u takuan dhe nënshkruan marrëveshje, tre liderët e Ballkanit, derisa Kosova nuk ishte e ftuar në këtë takim. Qeveria thotë se kjo iniciativë nuk e ka miratimin e Kosovës.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nënshkruar në fund të Forumit për Bashkëpunim Ekonim Rajonal, një marrëveshje e dy memorandume.
Marrëveshjet mes tre liderëve të shtetit për bashkëpunim ekonomik rajonal janë nënshkruar sot në Shkup në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal.
Marrëveshja e parë e nënshkruar ka të bëjë me rastet e katastrofave natyrore për gatishmëri për të mbështetur shtetet, për ndihmë të ndërsjellët.
Është nënshkruar memorandm mirëkuptimi për lehtësimin e importit dhe të eksportit, të eliminohen barrierat në kufij, për bashkëpunim të përmirësuar ekonomik. Memorandum për tregun e fuqisë së punës, të lehtësohet qarkullimi i njerëzve, të lehtësohet procesi i dhënies së lejeve të punës për qëndrim të përkohshëm.
Në këtë forum nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga Qeveria e Kosovës është thënë se janë kundër kësaj lëvizje.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Më tutje Qeveria u ka bërë thirrje liderëve të rajonit që t’i përkushtohen vetëm agjendës evropiane.
“Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike” është thënë më tutje nga Zyra e Kryeministrit
Përveç kryeministrit Kurti, kundër kësaj iniciative është shprehur edhe drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Ai tha se asnjë iniciativë rajonale që nuk i përfshin të gjithë, nuk mund të ketë sukses.
“Ajo që vendet e rajonit duhet të gjejnë në këtë rast, është një konsensues që brenda procesit të Berlinit apo brenda ndonjë iniciative tjetër, të arrijnë atë që po synojnë që të ketë një rajon ekonomik që është atraktiv për tregti dhe për investime. Në këtë situatë, kur janë vetëm tri vende, unë nuk besoj që kjo inciativë do të ketë sukses”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se iniciativa e “Mini-Shengenit” nuk është nismë ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Sa herë duhet ta përsërisim që kjo është një nismë e hapur për të gjithë? Sa herë duhet ta përsërisim që cilido që dëshiron të na bashkohet në këtë nismë është i mirëpritur të na bashkohet? Ne nuk mund të presim konsensus për t’u takuar nga të gjithë. Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë karikaturë ballkanike të BE-së këtu që çohet njëri dhe thotë vë veton dhe s’duhet të takoheni, ose çohet tjetri dhe thotë unë vë veton dhe ju nuk duhet ta nënshkruani atë ose këtë marrëveshje”.
Rama, në Forumin Ekonomik të Shkupit, ka thënë se kushdo që thotë se kjo është nismë për të rikompozuar Jugosllavinë jeton në botë paralele.
“Kush thotë që kjo është është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë se Serbia është më e madhe dhe do të vijë të na marrë krejt çka kemi e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu duhet të themi që edhe Bashkimi Europian është një Jugosllavi e madhe”.
Iniciativa mes tre vendeve në të ardhmen do të quhet “Open Balkan” që do të jetë ndryshim i emrit të deritanishëm “Mini-shengeni”
Sipas krerëve shtetëror të Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë, kjo nismë është për të mirën e qytetarëve, për ekonominë dhe lëvizjen e lirë të bizneseve, duke u bazuar në besimin mes vendeve dhe në mes institucioneve të këtyre vendeve.
Në këtë forum, tre shtetet kanë nënshkruar marrëveshjen për:
Fuqi të lirë punëtore, me të cilën qytetarët e tre shteteve do të mund të punojnë në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni të Veriut pa ndonjë leje pune që deri tani është dashur që ta marrin nëpër zyrat e punës nëpër institucione apo zyrat e policisë. Kjo marrëveshje do të vlejë prej 1 janarit të vitit 2022.
Bashkëpunimi për rajon të gjelbërt është marrëveshja dytë e nënshkruar mes tre vendeve për të realizuar aktivitete të përbashkëta në mbrojtjen e natyrës dhe promovimin e turizmit malor dhe mbrojtjen e parqeve nacionale. Në këtë marrëveshje hynë edhe aktiviteti i përbashkët në raste të katastrofave humanitare. Tre shtetet do të përballen me katastrofat humanitare nëse do të ndodh në të ardhmen në Shqipëri, Serbi ose Maqedoni të Veriut. Kjo marrëveshje do të vlejë prej 1 janarit të vitit 2022.
Heqja e kufijve do të jetë pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara sot nga zyrtarët e tre shteteve. Kjo marrëveshje do të vlejë prej 1 janarit të vitit 2023.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.