Industria minerare po shkon në agoni, ndërsa në Ministrinë e Energjisë po përgatitet një paketë ndihme, duke hequr disa barriera. Shumë prej tyre nuk duhej të ishin. Nga ulja e rentës deri te çregjistrimi nga fondi pyjor. Pikëpyetja lind tek afati i implementimit të kësaj pakete. Fabrika e bakrit prej gjashtë muajsh ka pezulluar aktivitetin. Ministria pret të dhurojë lehtësi në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, periudhë e largët për sipërmarrjet tashmë të paralizuara prej muajsh
Një paketë mbështetjeje për industrinë minerare po përgatitet pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Paketa, e cila pritet të mbërrijë për pak javë në Këshillin e Ministrave, parashikon lehtësimin e industrisë përmes disa ndërhyrjesh.
Lehtësitë e para lidhen me përmirësimin e llogaritjes së rentës minerare. Grupi i punës pranë Ministrisë së Energjisë ka parashikuar të përjashtojë nga renta pjesën e çmimit që lidhet me koston e transportit. Pra rentën ta llogarisë mbi çmimin në falje të fabrikës, apo minierës, e jo në mbërritjen në port.
Zëvendësministri i Energjisë, Gëzim Musabelli, pranon se llogaritja e rentës minerare është shqetësimi kryesor i industrisë nxjerrëse. Për një përllogaritje më të saktë parashikohet të përjashtohet lagështia, e cila në dimër arrin deri në 10% të sasisë së materialit.
Por, grupi i punës vlerësohet t’i propozojë qeverisë një ulje të mirëfilltë të rentës.
Sipas zëvendësministrit të Energjisë, “përqindja e taksës kombëtare parashikohet të ndryshojë, pasi kemi parë edhe rentën në vendet e rajonit”.
Për metale të ndryshme, renta ndryshon: aktualisht ajo është 10% për argjendin, 6% për bakrin e kromin, 5% për hekurin. “Ne parashikojmë ta ulim por jo më pak se 2%. Fakt që sigurisht do të shikohet”, thekson z. Musabelli.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që parashikohet është “korrigjimi” i vendimit që u ndërmor me paketën e fundit ligjore dhe që ka hyrë në fuqi prej më pak se dy muajsh. Flitet për llogaritjen e rentës në bazë të sasisë. Niveli i rentës kaloi me ligj. “Mendojmë të ndërhyjmë bashkë me Ministrinë e Financave. Ta rishikojmë e të mos ketë vlerë fikse mbi njësi. Pasi çmimi i mineraleve faktikisht po ndryshon”, thekson zëvendësministri. Renta deri në dhjetor llogaritej mbi përqindjen. Por, është ndryshuar për mineralet e grupit të materialeve të ndërtimit, siç është për argjilën, rërën bituminoze, etj. Për këto minerale, prej janarit, renta është përqindje fikse mbi sasi, e jo mbi vlerën e çmimit. Grupi i punës pranë kësaj ministrie ka propozuar të llogaritet në përqindje.
Efekti në buxhet, deri në 4 milionë euro
Një studim i bërë nga grupi i punës parashikon se lehtësitë tarifore për sipërmarrjet minerare do të kenë një kosto 3 deri në 4 milionë euro në buxhetin e këtij viti. Ekspertët e grupit të punës mendojnë se kjo nuk është një vlerë e lartë, nëse merren parasysh efektet negative që do të sillte dëmtimi i industrisë. Ata i druhen një dëmi edhe më të madh që mund të shkaktojë mbyllja e minierave. “Në rast se ato nuk do të punojnë, kjo do të shoqërohej me efekte domethënëse negative si sociale (me të punësuarit në zonë) edhe teknike. Ministria pranon se ka raste të minierave që aktualisht vetëm po mirëmbahen, pasi kanë pezulluar aktivitetin.
Nismë për më pak burokraci
Nuk mungojnë rastet kur edhe një leje minerare e dhënë i është revokuar subjektit, pasi nuk ka arritur të marrë të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës nga pushteti lokal. Ndër nismat kryesore të paketës është parashikuar të shmangen burokracitë me pushtetin lokal, apo edhe Ministrinë e Kulturës.
“Përveç rentës, mendojmë të ndërhyjmë në garancitë e mjedisit”. Përmes një VKM-je mund të bëhet i mundur lehtësimi i garancisë për rehabilitimin e zonave. Z. Musabelli thotë se “parashikojmë që për vitin e dytë e në vazhdim të aktivitetit të subjekteve minerare, AKBN të bëjë një rivlerësim të zonës së prekur”.
Në lidhje me garancinë e investimit, është propozuar vendosja e garancisë sa 10% e vlerës së vitit të investimit maksimal. Fakt që zakonisht ndodh në 2-3 vitet e para. Aktualisht subjektet paguajnë garanci investimi çdo vit.
Problem shqetësues i parashtruar nga sipërmarrjet është shpyllëzimi i fondit pyjor. Pas marrjes së licencës, heqja nga fondi pyjor merr shumë kohë, ka raste edhe vite. Në këtë drejtim duket se Ministria e Energjisë e ka marrë përsipër të thjeshtojë mundësinë e shfrytëzimit, si përmes komunikimit me Ministrinë e Mjedisit, e përfaqësues të pushtetit lokal. Nisma synon që të gjitha këto të zgjidhen në fazën e marrjes së lejes, dhe me t’u pajisur me të, subjekti të mund të fillojë aktivitetin. Musabelli pranon se “kemi raste ankimesh të subjektit që merr lejen minerare dhe mes paqartësive me bashkinë ka kaluar një vit kohë. Përfaqësuesit e AKBN-së i kanë kërkuar llogari pse nuk kanë filluar punimet dhe kemi arritur deri aty kur subjektit i është hequr leja.
Moratoriumi i pyjeve, një tjetër surprizë
Sikur të mos mjaftojnë problemet me tregun, minierat pritet të përballen me një tjetër pengesë, e vogël në dukje, por jetike për këtë lloj biznesi. Lënda drusore është “shtylla kurrizore” e minierave dhe moratoriumi i miratuar këto ditë e që pritet të zgjasë dhjetë vjet, mund të jetë fatal për industrinë. Përfaqësues të ministrisë e pranojnë këtë problem, madje theksojnë se pa lëndë drusore nuk ka zhvillim të minierës. Mund t’i drejtohemi importit, por do të përballemi me një pengesë të madhe. Lënda drusore duhet të jetë e njomë, çka detyron prerjen në vend të drurit dhe jo import të tij. Drejtuesit e Ministrisë së Energjisë thonë se do të shikojnë mundësinë e zgjidhjes së kësaj mungese të lindur vetëm së fundi. Një variant është ai i angazhimit të dy-tre kompanive, të cilat nën kontroll të rreptë furnizojnë me dru minierat.
Kur mund t’i shohin lehtësitë
Rreth një muaj më parë, sipërmarrësit e kromit dhe minierave të tjera të ngurta parashtruan disa kërkesa para ministrit të Energjisë. Sot drejtuesit e kësaj ministrie thonë se kanë objektiv që industria të mos ndalojë. “Ministria jonë do që kjo industri në asnjë moment të mos e ndërpresë punën”, vëren zëvendësministri. Ndërsa vetëm pas pak javësh pritet të mbërrijë paketa në kryeministri, sipërmarrjeve u duhet minimalisht gjashtë muaj t’u gëzohen fryteve (të mundshme) të kësaj pakete.
Kur pyeten për afatin, drejtuesit e ministrisë thonë se, nëse në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti do të shkojmë aty ku duam, do të jetë sukses për ne dhe për subjektet që punojnë në këtë fushë në mënyrë që të mos lënë aktivitetin. Koha nevojitet edhe për faktin se nuk kemi të bëjmë me një vendim të thjeshtë të Këshillit të Ministrave, por edhe me ndryshime ligjore që duhet të diskutohen me grupet e interesit e të diskutohen në komisionet parlamentare para miratimit në Kuvend.
Mbyllja e minierave të kromit, që në janar
Vetën pak kohë më parë, “Monitor” njoftoi mbylljen e dhjetëra minierave të kromit në zonën e Martaneshit. Atje numërohen rreth 150 miniera që nxjerrin e tregtojnë krom. Për shkak të uljes së çmimeve dhe barrës së rëndë të taksave, mbi 10% e tyre vlerësohet të kenë mbyllur aktivitetin këtë dimër. Kushtet e vështira të motit janë një prej arsyeve, të vëna në dukje nga çmimet e ulëta dhe tarifat aspak “tolerante”.
Rakip Koka, një prej sipërmarrësve kryesorë në këtë zonë, tregon se të tjera kompani po ulin investimet e nivelin e nxjerrjes së kromit.
Ulja e çmimeve, më shumë se përgjysmë, ka nxjerrë në pah problemet me taksat. Sipërmarrësit kanë kërkuar së fundi të rishikohet përllogaritja e rentës minerare. Aktualisht, ajo llogaritet mbi një çmim reference më të lartë se çmimi i tregut mbi çmimin përfundimtar, ku përfshihet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Në sasitë e tregtuara nuk hiqet as niveli i lagështisë, i cili në dimër arrin në 10% të sasisë që tregtohet (fakt që po merret parasysh në paketë). Për të gjitha këto arsye, sipas tregtarëve, renta kalon nga 6% e çmimit në 9%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.