Pas vitesh bllokimi, shteteve anëtare u jepet më shumë fuqi për të dërguar azilkërkuesit në vendet e treta
Vendet e BE-së kanë rënë dakord për reformat e sistemit të azilit dhe emigracionit të bllokut që, pas shtatë vitesh bisedimesh të bllokuara, do të lejojnë që disa aplikimet të përpunoheshin më shpejt në objektet kufitare.
Në një takim në Luksemburg, ministrat e punëve të brendshme përpunuan detaje teknike, që potencialisht mund të ndikojnë në të drejtat e njerëzve, që kërkojnë azil. Italia dhe Gjermania luajtën role kryesore në orët e fundit.
Ministrat më në fund ranë dakord, për të bërë të mundur dërgimin në vendet e treta, të konsideruara të sigurta, të atyre personave të cilëve u ishte refuzuar kërkesa për azil. Gjermania kishte kërkuar masa mbrojtëse, për të parandaluar dërgimin e tyre në vende, me të cilat ata nuk kishin lidhje, ndërsa Roma argumentoi për kritere më të lira për të lehtësuar dëbimet.
Kompromisi përfundimtar përmend masa mbrojtëse për të drejtat e njeriut, por u jep shteteve anëtare më shumë liri veprimi, për të vendosur nëse një vend i tretë kualifikohet si i sigurt.
Negociatat për të reformuar rregullat e BE-së për azilin dhe emigracionin, kishin ngecur që kur Komisioni Europian propozoi për herë të parë një rregullore në vitin 2016, ndërsa rritja e numrit të emigrantëve rriste presionin.
Problemet kryesore shkonin në vendet jugore si Italia dhe Greqia, të cilat sipas rregullave aktuale, janë përgjegjëse për regjistrimin e shumë prej azilkërkuesve, si dhe vendeve veriore si Gjermania ose Holanda, në të cilat shumë prej tyre udhëtojnë.
“Sot, shumë emigrantë hyjnë në territorin europian pa asnjë kontroll dhe ata udhëtojnë nga një shtet në tjetrin”, tha Nicole De Moor, sekretarja shtetërore e Belgjikës për emigracionin.
“Dhe kjo e bën sistemin tonë shumë të vështirë për t’u trajtuar. Ne kemi nevojë për më shumë solidaritet midis vendeve anëtare europiane, si dhe kemi nevojë për një sistem, që kontrollohet më mirë.”
Kompromisi tani parashikon procedura, që zgjasin deri në gjashtë muaj në objektet kufitare për personat, kërkesat për azil të të cilëve shihen se kanë një shans më të ulët për t’u miratuar. Personat që kërkojnë azil duhet të verifikohen dhe nëse nuk kanë argumente bindëse për aplikimin e tyre, sepse vijnë nga një vend i sigurt do të kthehen menjëherë. Kjo procedurë prek kryesisht personat që vijnë nga vende ku kuota e pranimit në nivel të Bashkimit Europian është nën 12 për qind. Konkretisht kjo ka të bëjë me azilkëkrues që vijnë nga Pakistani, Shqipëria dhe nga disa vende të tjera afrikane.
Të miturit e pashoqëruar do të përjashtohen nga ky proces, por kërkesat për azil nga familjet me fëmijë, mund të trajtohen në kufirin e jashtëm të bllokut dhe të qëndrojnë në ambiente të posaçme në kufi.
Rreth 30,000 hapësira të detyrueshme do të përdoren për këtë në të gjithë BE-në. Shtetet jugore, duke përfshirë Italinë, u munduan që të miratohej një kufi vjetor se sa “procedura kufitare” do të duhej të kryenin.
Ministrat mbështetën gjithashtu një mekanizëm solidariteti, për të ndarë barrën midis vendeve. Kombet mund të zgjedhin ose të pranojnë njerëz, që kanë nevojë për mbrojtje, të cilët janë zhvendosur, ose të paguajnë para në një fond të përbashkët. Një minimum prej 30,000 njerëz, ose 600 milionë euro, duhet të shpërndahen në vit.
U diskutua edhe për marrëdhëniet me Tunizinë, nga ku muajt e fundit janë rritur largimet drejt Europës. Një paketë ndihme financiare për atë vend është në diskutim, si dhe një marrëveshje e mundshme për të kufizuar numrat.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe Mark Rutte, udhëheqësi i Holandës, do të udhëtojnë në Tunizi ditën e dielën.
Organizatat e të drejtave të njeriut, thonë se reformat mund të çojnë në rritje të ndalimeve në kufij dhe të kufizojnë aksesin ndaj të drejtave të emigrantëve.
Imogen Sudbery, nga Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit tha: “Askush nuk duhet të kthehet në një vend potencialisht të pasigurt, derisa të ketë pasur një shqyrtim shumë të plotë të kërkesës së tyre dhe t’i jepen të drejta të plota apelimi.”
BE ka financuar qendrat e pritjes në ishujt grekë, ku tashmë po zbatohet procedurat kufitare. Avokati i Popullit Europian vitin e kaluar, nisi një hetim në këto qendra, për shkak të dyshimeve për abuzime të të drejtave themelore.
Sudbery tha se zbatimi i përgjithshëm i procedurës së përshpejtuar, veçanërisht në rastet e fëmijëve, mund të “zvogëlojë të drejtat për të cilat ata kanë të drejtë”.
Marrëveshja e arritur nga shtetet anëtare ende duhet të negociohet me Parlamentin Europian gjatë muajve të ardhshëm, që do të thotë se shumë nga dispozitat e hartuara nga ministrat mund të rihapen. / The Financial Times