Ministrat e Financave të G20 mblidhen në Venecia, reforma tatimore 15% mbi korporatat kryeson axhendën

09/07/2021 1:57 PM 0 komente

Ministrat e Financave dhe kryebankierët nga grupi i 20 vendeve të pasura (G20) kanë nisur sot takimin dy -ditor në Venecia, të parin që nga fillimi i pandemisë, ku në fokusin kryesor të axhendës do të jetë reforma e taksave të korporatave.

G20 pritet të japë miratimin e saj politik për taksën minimale prej 15% për korporatat, e cila u mbështet javën e kaluar edhe nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik,  pjesë e së cilës janë 130 vende.

Një taksë minimale globale mbi të ardhurat prej 15% vlerësohet nga OECD se mund të japë rreth 150 miliardë dollarë të ardhura shtesë në arkën globale.

Zyrtarët thonë se mbledhja dy-ditore në qytetin historik të Italisë do të hapë një diskutim se si të zbatohen propozimet e OECD në praktikë, me synimin për të arritur një marrëveshje përfundimtare në një samit të G20, i cili parashikohet të mbahet në Romë në muajin Tetor.

Anëtarët e G20 përbëjnë më shumë se 80% të prodhimit të brendshëm bruto botëror, 75% të tregtisë globale dhe 60% të popullsisë së planetit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Indinë.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, rregullat e reja tatimore duhet të përkthehen në legjislacion detyrues në të gjithë botën para fundit të vitit 2023.

Përveç taksave, ministrat do të diskutojnë  edhe rimëkëmbjen globale ekonomike, të cilën zyrtarët nga presidenca e G20, Italia kanë deklaruar se është jashtëzakonisht e pabarabartë mes vendeve të pasura perëndimore dhe vendeve në zhvillim.

G20 gjithashtu do t’i kërkojë FMN-së të ndajë 650 miliardë dollarë të pasurisë së saj rezervë deri në fund të gushtit, me një rekomandim që të gjenden mënyra për të siguruar që një pjesë e konsiderueshme e parave të shkojnë në vendet në nevojë.

Disa delegacione në takim mund të shprehin shqetësime se inflacioni në rritje dhe normat e interesit në Shtetet e Bashkuara mund të zhbalancojnë ekonominë globale, thanë zyrtarët e G20/Reuters

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of