Grupi i shtatë ekonomive kryesore (G7) kanë rënë dakord të refuzojnë kërkesën e Moskës për të paguar importet e energjisë nga Rusia në rubla, deklaroi sot ministri gjerman i energjisë.
“Të gjithë ministrat e G-7 ranë dakord plotësisht se kjo do të ishte një shkelje e njëanshme dhe e qartë e kontratave ekzistuese. Pagesa në rubla nuk është e pranueshme dhe ne do t’u bëjmë thirrje kompanive të prekura që të mos ndjekin kërkesën e presidentit rus Putin “, tha Robert Habeck për mediat.
Putin njoftoi javën e kaluar se Rusia do t’u kërkojë vendeve “jomiqësore” që tani e tutje të paguajnë për gazin natyror vetëm në monedhën ruse. Ai udhëzoi bankën qendrore të vendit të hartojë një procedurë që blerësit e gazit natyror të blejnë rubla në Rusi.
Ekonomistët thanë se masa u krijua për të mbështetur rublën, e cila ka rënë kundrejt monedhave të tjera që kur Putin pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, ndërsa vendet perëndimore iu përgjigjën me një sërë sanksionesh Moskës.
I pyetur nga gazetarët nëse Rusia mund të shkurtojë furnizimet me gaz natyror për vendet europiane nëse ato refuzojnë kërkesën për të paguar me rubla, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “ne qartësisht nuk do të furnizojmë gaz falas”.
Pjesë e G-7 janë Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja./ Associated Press