Një bllokim i dytë në Gjermani mund dhe do të shmanget, tha sot ministri për Çështjet Ekonomike dhe Energjisë, Peter Altmaier. Gjendja më e keqe e pandemisë është lënë mbrapa, ndërsa ekonomia e vendit është përmirësuar që nga maji.
Por pavarësisht kësaj, PBB-ja gjermane pritet të bjerë me 5.8 për qind gjatë këtij viti, një recesion më i vogël sesa rënia prej 6.3 për qind e parashikuar më parë, tha Altmaier, një sinjal ky që vendi po del nga kriza më e keqe.
Ministri tha se ekonomia më e madhe e Europës po sheh “fatkeqësisht një rënie të fortë dhe më pas pritet një rikuperim i shpejt i papritur”.
Ekonomia gjermane ra me 9.7 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2020, rënia më e madhe tremujore që nga viti 1970, sipas agjensisë federale të statistikave.
Altmaier tha se Gjermania nuk do të ketë një bllokim të dytë, si atë që gjermanët kaluan në mars dhe prill.
“Shkalla e rritjes së infeksionit do të kundërvihet me masa të kufizuara rajonalisht, në mënyrë që rimëkëmbja ekonomike të vazhdojë të zhvillohet gradualisht në muajt e ardhshëm”.
Ekonomia gjermane pritet të rritet me 4.4 për qind në vitin 2021, megjithëse nivelet e PBB-së para krizës nuk do të shihen më deri në vitin 2022./AFP