Ministri i Financave, Hekuran Murati sërish ka kërcënuar BSPK-në dhe SBASHK-un me pezullim të pagave në rast se vazhdojnë grevën. Ai ka thënë se është e drejtë e secilit për të protestuar ose për të hyrë në grevë, përveç disa kategorive, e që sipas tij kushdo që hynë në grevë gjatë kohës sa vazhdon ajo, paguhen nga fondi i sindikatave e jo nga shtetit.
Punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, është deklaruar të hënën rreth grevës së punonjësve të arsimit dhe të administratës, e cila ka nisur më 25 gusht dhe po vazhdon, për çka dikasteri që ai drejton, mori vendim për ndalim të pagës së punëtorëve që marrin pjesë në grevë.
Në një konferencë për media të hënën, Murati ka thënë se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, për pesë vjet ka mbledhur fond prej 3.2 milionë eurosh në emër të anëtarësisë dhe se me këto mjete do të duhej t’i paguante punëtorët e arsimit nëse i thërret për grevë.
Por, sipas tij, nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këto mjete.
“Në pesë vjetët e fundit, SBASHK-u nga thesari, pra janë mjete që kanë dalë nga pagat e punëtorëve të arsimit me urdhër të SBASHK-ut dhe i janë transferuar SBASHK-ut në llogari, për pesë vjetët e fundit janë 3.148.721 euro, pra janë gati 3.2 milionë euro që pesë vjetët e fundit SBASHK-u i ka marrë në emër të anëtarësisë dhe pyetja që do të duhej të shtrohej është se çfarë ka ndodhur me këto mjete? Ky është fondi që do të shfrytëzohej për t’i paguar punëtorët e arsimit nëse SBASHK-u do t’i ftonte në grevë”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se sindikalistët kanë deklaruar se greva do të vazhdojë, por se ata nuk tregojnë nëse Sindikata do ta mbulojë këtë kosto.
“Përderisa e drejta e grevës është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligje në vend për kategoritë që u lejohet greva, po ashtu praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin që të paguajë punëtorët për aq sa janë në grevë. Kur punëtorët hyjnë në grevë, grevistët mbulohen nga Sindikata. Si qeveri unë nuk mendoj që do të duhej të kishte grevë, kërcënime e shantazhe të këtij lloji që ka ndodhur pothuajse çdo vit”, ka shtuar Murati.
Ai shtoi se Qeveria ka proceduar ligjin për paga dhe është në konsultime të brendshme fillimisht dhe do të dalë edhe në konsultime publike dhe se me afat do të procedohet edhe në Kuvend, kur të kthehen deputetët në punë.
“Në projektligjin për paga janë marrë parasysh vërejtjet që i kanë pasur punëtorët e arsimit, pakënaqësitë në lidhje me koeficientët dhe trajtimin e denjë të tyre, e po ashtu janë marrë parasysh edhe shumë kërkesa të tjera qoftë ndarja e buxhetit për mësuesit që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, për ruajtjen e pozitave që janë konsideruar si tepricë teknologjike, të gjitha këto Qeveria i ka bërë me vullnetin për të mbështetur sektorin e arsimit që është prioritet”.
Murati ka shtuar se Qeveria është e gatshme për bashkëpunim dhe dialog, teksa ka kërkuar nga stafi arsimor që të rikthehet në punë, pasi sipas tij, nga kjo grevë do të humbin nxënësit.
Kurse, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj ka thënë se nuk do të lëshojnë pe nga kërkesat e tyre dhe një shtatori do ta gjejë në grevë arsimin në Kosovë.
“Grevë do të ketë, derisa nuk ka marrëveshje ashtu si është shpallur para mediave. Ishte tendencë individuale për t’i frikësuar grevistët, ajo që kushdo që hynë në grevë do t’i shkurtohet paga. Mirëpo reagimet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe Juristëve të njohur dhe njerëzve të tjerë, na gëzuan. Ata thanë se do të ishte e tmerrshme që për herë të parë një Qeveri e zgjedhur nga populli, do të bëntë një presion të tillë. Kjo gjë nuk bëri fare përshtypje te anëtarësia. Me presione të tilla Qeveria nuk do të arrijë asgjë”.
Kërkesë kryesore e grevistëve është që punëtorëve të sektorit publik t’u ndahen nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, për çka deri tash nuk ka gatishmëri nga Qeveria e Kosovës.
Pas fillimit të grevës, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk është koha për greva por për punë, ndërsa ministria e Arsimit Arbërie Nagavci ka deklaruar se mësimdhënësit mos t’i nënshtrohen presionit të SBASHK-ut për grevë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.