Ministri Vitia: S’ka koronavirus në Kosovë

28/02/2020 12:56 PM 0 komente

Ministri i shëndetësisë Arben Vitia, se bashku me drejtorët e SHSKUK, IKSHP dhe Klinikës Infektive para komisionit për shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kanë raportuar për masat e marra nga institucionet për përballimin e koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia ka deklaruar se në Kosovë akoma nuk është identifikuar dhe diagnostikuar asnjë rast me koronavirusi.

“Prishtina fatmirësisht nuk ka linjë ajrore drejtpërdrejtë me Kinën dhe personat që vijnë nga Kina e që janë një numër modest, shfrytëzojnë aeroportin e Stambollit fillimisht ku edhe ju nënshtrohen kontrolleve e pastaj arrijnë në Kosovë. Në Aeroportin e Prishtinës dhe pikat kufitare janë shpërndarë fletë udhëzime për qytetarët që hyjnë në ato pika në Kosovë, për tu informuar se si duhet raportuar për koronavirus nëse veç kanë ndonjë simptomë”, ka thënë Vitia.

I pari i shëndetësisë në raportimin që po bën sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, theksoi se gjitha institucionet relevante shëndetësore janë mobilizuar me kapacitetet profesionale dhe teknike.

Derisa tregoi se janë përgatitur edhe reparte të veçanta në Klinikën Infektive në rast se paraqitet ndonjë rast, kurse karantina sipas tij ende nuk është e nevojshme.

Në rastin e kundërt, tha si mundësi është Parku Inovativ në Prizren.

Ministri Vitia tha se në të gjitha pikat kufitare dhe aeroport tashmë gjenden ekipet shëndetësore.

Në këtë raportim, ministri ka marrë me veti edhe drejtorët e SHSKUK, IKSHP dhe Klinikës Infektive.

Ndërsa, kryesuesja e komisionit, Albena Rashitaj, tha se është përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve për të parandaluar këtë virus.

“Nuk është koha për panik, por është koha për veprime. Vendi ynë duhet të marrë masa të jashtëzakonshme për të parandaluar”.

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka filluar përgatitjet për mbrojtje nga koronavirusi. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse tashmë ka bërë gati listën për furnizim me produkte që parandalojnë përhapjen e koronavirusit.

Pjesë e këtij komitetit janë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Kosovës, Klinika Infektive dhe zyrtarët e Doganës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of