Ministria e Bujqësisë: Fermerët fitues do pajisen me kartën e tërheqjes të naftës në agjencitë bujqësore dhe agropikat

31/03/2021 2:29 PM 0 komente

Për të gjithë fermerët e aprovuar për të marrë një sasi nafte falas, me emrin e tyre do të prodhohet një karte nafte nga operatori i shpërndarjes se naftës.

Ministria e Bujqësisë sqaron se fermerët e shpallur fitues duhet t’i drejtohen agjencive të Ekstensionit Bujqësor (AREB), ose agropikave për t’u pajisur me kartën e naftës falas. Çdo fermer fitues pasi pajiset me kartë mund të tërheqë naftën në një pikë karburanti. Fermerëve që u është pranuar aplikimi për përfitimin e naftës falas kanë të drejtë ta tërheqin atë deri në 30 nëntor 2021.

Procesi i aplikimeve për naftë pa taksë u mbyll dje.  Nga data 15 janar kur nisi procesi në total aplikuan online në portalin e-Albania 20,561 fermerë.  Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka kryer verifikimin e  përputhshmërisë së dokumentave të deklaruara nga fermeri  me ato që ka depozituar. Deri me 30 mars, janë kualifikuar/miratuar rreth 2,000 përfitues, për të cilët vazhdon pajisja me kartën e naftës, sipas sasive respektive.

Implementimi i kësaj skeme, krahas të tjerash ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e fermerëve, nëpërmjet pajisjes me NIPT. Aplikimet u kryen nga fermerë të gjitha qarqeve të vendit, por numri më i madh i tyre është në qarkun e Korçës, Fierit, Beratit, Elbasanit, Dibrës dhe Tiranës. Fermerët janë asistuar gjatë gjithë procesit të aplikimit  nga specialistët e bujqësisë pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor dhe Agropikave, por edhe nga njësitë e qeverisjes vendore.

Parimi kryesor është qe mbështetja me nafte bujqësore bëhet për bimë të kultivuara, si perimet e serës dhe dru frutorë.  Nga skema e naftës do të përjashtohen fermerët që deklarojnë tokë të kultivuar me ullishte, kullota, bimë dekorative etj. Ministria e Bujqësisë më herët ka specifikuar se nëse fermeri që aplikon sipërfaqen e tokës e ka 5 dynym dhe parcelat i ka mbi 1 dynym, por një pjesë toke (3 dynym) është e mbjelle me ullinj, kushti i pranimit prej 4 dynym (0.4 Ha) tokë bujqësore, duhet të jetë sipërfaqja me kultura të pranuara. Pra pjesa e mbjellë me ullinj përjashtohet nga llogaritja. Nëse duke hequr pjesën e mbjelle me ullinj, sipërfaqja e mbetur është me pak se 4 dynym, atëherë aplikanti nuk ka mundësi te përfitoje për mbështetje me nafte bujqësore.

Për rastet kur brenda një blloku me ullinj është mbjellë (për shembull jonxha) nuk do të pranohet për t’u përllogaritur mbjellja brenda bllokut, pasi kulturat bashkëshoqëruese nuk mund të përfitojnë nga mbështetja me naftë. “Në këtë rast jonxha është “bashkëshoqëruese” në një parcelë me ullinj. Nuk përfiton nga mbështetja me naftë”, thuhet më udhëzim.

Regjistrimin e një sere të mbjellë me vreshta, Ministria e Bujqësisë e kategorizon si rast të veçantë dhe për efekt të aplikimit, ajo do të regjistrohet në seksionin “Pemëtore me kategorinë Dru frutore te tjera/Vresht. “Nuk do te regjistrohet si sere ne parcele. Ky është edhe rasti serave me limon. Pra ne këto raste, sipërfaqja nuk do te trajtohet si Sere por si Pemëtore – vetëm për efekt te aplikimit dhe përllogaritjes se normatives.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of