Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se ka hapur thirrjen për aplikime për grante dhe subvencione për periudhën 2020/2021. Sipas ministrit të Bujqësisë, Besian Mustafa, shuma e tërësishme e programeve do të jetë 53 milionë euro.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se ka hapur thirrjen për aplikime për grante dhe subvencione për periudhën 2020/2021.
Sipas ministrit të Bujqësisë, Besian Mustafa, shuma e tërësishme e programeve do të jetë 53 milionë euro.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural sot ka hapur thirrjen për aplikime për fermerët, agropërpunuesit dhe bizneset rurale për disa nga masat e Zhvillimit Rural për vitin 2020/2021 dhe për të gjitha masat e Programit për Pagesa Direkte për vitin 2020, me një buxhet gjithsej prej 53 milionë euro”, tha Mustafa në një konferencë për medie.
Ai tha se aplikuesit do të përfitojnë 50 për qind paradhënie.
“Duke marr parasysh situatën e pandemisë COVID-19, e cila ka vështirësuar gjendjen e fermerëve dhe bizneseve agro-rurale kemi marr disa hapa që lehtësojnë procesin e aplikimit. Te Programi i Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Bankën Botërore, kemi zhvilluar aplikimin online për grante. Të gjithë përfituesit do të përfitojnë 50 për qind paradhënie me garancion bankar, duke e rritur kështu likuiditetin”.
Tek Programi i Zhvillimit Rural:
• Në bashkëpunim më Bankën Botërore dhe duke përfituar nga përvojat e tyre globale, kemi zhvilluar aplikimin tërësisht online për grante, gjë që rritë transparencën dhe barazinë në miratim të aplikacioneve, përmirëson menaxhimin e granteve dhe ndihmon në menaxhimin e pandemisë COVID-19;
• Të gjithë përfituesit e të gjitha granteve për periudhën 2020-21 do të përfitojnë 50% paradhënie, me garancion bankar, duke rritur kështu likuiditetin dhe mundësinë për të investuar në biznese agro-rurale;
• Për të ju përshtatur kalendarit sezonal në bujqësi, Programi i Zhvillimit Rural 2020-21 do të këtë më shumë se një thirrje, duke filluar sot me këta sektorë:
o MASA 101: investimet në pasuritë fizike në ekonomitë bujqësore – sektori i prodhimit të pemëve drufrutore dhe pemëve arrore si dhe serrave;
o MASA 103: investimet në pasuritë fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore – përpunimi i qumështit, përpunimi i mishit, përpunimi i pemëve dhe perimeve dhe prodhimi i verës;
o MASA 302: diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve – bletaria, prodhimi dhe promovimi i mjaltit, përpunimi i prodhimeve në fermë, zhvillimi i aktiviteteve artizanale, rritja e shpezëve për vezë dhe për mish; dhe
o MASA e ujitjes së tokave bujqësore;
• Në muajt në vijim, do të shpallim thirrje tjera për grante deri sa të përfundon buxheti i planifikuar për periudhën 2020-2021.
Tek Programi i Pagesave Direkte:
Kemi reduktuar një numër të konsiderueshëm të dokumentacionit që kërkohet për aplikim, duke lehtësuar kështu në masë të konsiderueshme kompletimin e dosjes për aplikim e po ashtu edhe procedurat e pranimit te aplikacioneve në drejtoritë komunale përgjegjëse për bujqësi.
Risitë e Programit për Pagesat Direkte, pra subvencionet, për vitin 2020 janë:
• Subvencioni për lopët dhe buallicat qumështore është rritur nga 70 në 85 euro për krerë;
• Subvencioni për delet dhe dhitë është rritur nga 15 në 20 euro për krerë;
• Subvencioni për frutat e mjedrës të dorëzuar apo shitur është rritur nga 8 në 12 cent për kilogram;
• Subvencioni për perimet që kultivohen në ambiente të mbrojtura, pra serra, është rritur nga 300 në 450 euro për hektar për të përkrahur bujqësinë intensive;
• Subvencioni për therjet e raportuara të gjedhit në thertore të licensuara me standarde është rritur nga 50 në 75 euro për krerë;
• Subvencionimi për herë të parë për bimët mjekësore dhe aromatike (BMA), në vlerë prej 450 euro për hektar. Ky sektor ka treguar potencial të shkëlqyeshëm për eksport duke ndihmuar në zbutjen e bilancit negativ tregtar të vendit tonë.
Bazuar në trendët e viteve të kaluara, presim që me këto 53 milion euro të financojmë rreth 865 projekte të granteve dhe rreth 47.000 subvencionime.
Kjo thirrje për aplikim për Programin e Zhvillimit Rural, pra për grante, do të jetë e hapur nga sot më 20 korrik deri më 20 gusht 2020 me rikujtimin që do të ketë edhe thirrje tjera për grante deri në shfrytëzimin e buxhetit deri në dhjetor të vitit 2021.
Thirrja për aplikim për Programin e Pagesave Direkte, pra për subvencione, do të jetë e hapur nga sot më 20 korrik deri më 14 gusht 2020. Ftojmë të gjitha komunat që gjatë kësaj periudhe të ju ofrojnë përkrahje maksimale drejtorive të tyre të bujqësisë në menaxhimin e procesit të pranimit të aplikimit nën protokollin e menaxhimit të COVID-19.
Të gjitha informatat e nevojshme për aplikuesit mund të gjinden në faqen e internetit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (mbpzhr-ks.net) si dhe në faqen e internetit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (azhb-ks.net).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.