Ministria e Drejtësisë ka publikuar rezultatet e provimit me shkrim për çdo kandidat si përkthyes zyrtar për gjuhët gjermane, bullgare, greke, turke, spanjolle, frënge, italiane.
Nga 258 kandidatë vetëm 46% e tyre (118 kandidatë) kanë kaluar testimin me shkrim, për të vijuar fazën e dytë atë të testimit të njohurive me gojë.
Në listën e publikuar nga Ministria e Drejtësisë gjenden kodet e provimeve dhe pikët e fituara në kontrollin e njohurive me shkrim, nga çdo kandidat për përkthyes zyrtar. (Lista e publikuar: https://www.drejtesia.gov.al/publikim-rezultatet-e-provimit-te-gjuhes-gjermane-turke-greke-dhe-bullgare/).
Sipas urdhrit të Ministrisë së Drejtësisë “Për përcaktimin e rregullave më të hollësishme për kriteret, procedurat për përzgjedhjen e përfaqësuesve dhe funksionimin e komisioneve të posaçme, tarifat për pjesëmarrje, organizimin e zhvillimin e provimit të kualifikimit për përkthyes zyrtar dhe për interpret të gjuhës së shenjave, si dhe për procedurën e mënyrën e vlerësimit të provimeve” në nenin 31 përcakton se kandidati që vlerësohet me të paktën 50 pikë në testin me shkrim kalon në testin e kontrollit të njohurive me gojë.
Kandidatët, që kanë vërejtje për vlerësimin e përgjigjes për pyetjen me shkrim, kanë të drejtë të ankohen brenda 3 ditëve nga dita e afishimit të listës. Komisioni shqyrton ankimet jo më vonë se 5 ditë pas kalimit të këtij afati dhe vë në dijeni ankuesin mbi shqyrtimin e ankimit.
Sakaq faza e dytë e testimit që është me gojë, i cili është i hapur për publikun, do të zhvillohet jo më vonë se 10 ditë pas përfundimit të afatit të shqyrtimit të ankimeve, sipas nenit 30, të këtij urdhri.
Kandidati që ka kaluar testimin me shkrim dhe që në testimin me gojë vlerësohet me jo më pak se 30 pikë, konsiderohet fitues. Kandidatët që kalojnë me sukses provimin e kualifikimit, renditen në përputhje me rezultatet e arritura.
Lista me kodet dhe pikët e fituara për secilin kandidat publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Përshëndetje, quhem Emirjona Hatija dhe do doja te Isha pjesemarrese ne provimin e perkthyesit zyrtar ne gjuhen frenge. Cilat jane kriteret qe duhet te plotesohen per te marr pjese ne provim?
Faleminderit!