Ministria e Financave zhvilloi të martën një ankand të blerjes mbrapsht (buyback) të obligacioneve me maturim trevjeçar.
Sipas të dhënave nga tregu, në ankand u blenë para maturimit obligacione për një vlerë totale prej dy miliardë Lekësh, ndërsa shuma e ofruar për t’u shitur nga pjesëmarrësit në ankande arriti në rreth 2.7 miliardë Lekë.
Besohet se ky operacion ka për qëllim rinovimin e stokut të obligacioneve referencë, duke shfrytëzuar edhe tepricën e likuiditetit të krijuar në buxhetin e shtetit deri tani gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në mesin e këtij viti, buxheti kishte një suficit prej pak më shumë se 16 miliardë Lekësh. Suficiti ka ardhur në pjesën më të madhe si rezultat i rritjes së ndjeshme së të ardhurave fiskale, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve.
Nga ana tjetër, ankandet e buyback kanë ngjallur interes tek investitorët, sidomos për shkak të rritjes së ndjeshme të yield-eve në muajt e fundit. Kërkesa e Ministrisë së Financave për të blerë mbrapsht një pjesë të portofolit të obligacioneve është vlerësuar si një rast i mirë për të zëvendësuar titujt që ofrojnë kthim më të ulët me instrumente të reja, me kthime më të larta.
Tregu i letrave të borxhit të qeverisë shqiptare në muajt e fundit po shënon një rritje të ndjeshme të yield-eve, për shkak të inflacionit të lartë dhe rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Obligacionet 10 vjeçare në tregun primar u emetuan këtë javë me një yield prej 6.25%, më i larti që prej vitit 2018.
Ministria e Financave ka planifikuar edhe një ankand të dytë buyback për obligacionet referencë në muajin shtator, ku synon të blejë mbrapsht dy miliardë lekë të tjera.
Projekti i obligacioneve referencë nisi në vitin 2018 dhe kishte si qëllim kryesor nxitjen e tregut dytësor të titujve qeveritarë.
Në ankandet e këtyre titujve marrin pjesë në mënyrë direkte vetëm pesë banka tregtare që kanë lidhur marrëveshje me Ministrinë e Financave për këtë qëllim. Pjesëmarrësit e tjerë të interesuar mund të marrin pjesë vetëm nëpërmjet këtyre subjekteve.
Aktualisht, lista e titujve referencë përfshin obligacionet me maturim 3-vjeçar, 4 vjeçar dhe 5-vjeçar. Titujt referencë gëzojnë likuiditet më të lartë se emetimet e zakonshme, për shkak të detyrimit që kanë Zhvilluesit e Tregut për të kuotuar çmime blerjeje dhe shitjeje në tregun sekondar, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur me Ministrinë e Financave.
Yield-et e kuotuara me bazë ditore për tregtim sekondar nga zhvilluesit e tregut kanë shënuar një tendencë të qartë në rritje gjatë muajve të fundit. Për shembull, për obligacionet 3-vjeçare yield-i në fillim të kësaj jave arriti në 3.76%, nga 2.78% që kishte në muajin mars, në momentin kur Banka e Shqipërisë rriti për herë të parë normën bazë të interesit.
Duke qenë se kuponi i obligacionit është i pandryshueshëm në 2.8% (i fiksuar në momentin e emetimit), rritja e yield-it nënkupton se obligacionet tregtohen me një vlerë më të ulët se vlera e tyre nominale./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.