Ministria e Financave, me dy zëvendësministre të reja, ja emrat

14/02/2020 11:26 AM 0 komente

Diskriminimi pozitiv për drejtueset femra në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë ka arritur maksimumin, pasi përveç ministres, do jenë dhe tre zëvendësministre, për ta çuar në 4 numrin e drejtueseve të kësaj ministrie si asnjëherë më parë.

Burimet konfidenciale konfirmuan për Monitor se Vasilika Vjero, ish-drejtoresha e tatimeve dhe Adela Xhemali, do të zënë vendet e lëna bosh pas dorëheqjeve të Erjon Luçit dhe Elton Haxhit.
Xhemali, në profilin profesional Linkedin, ajo deklaron se është drejtore financiare pranë Intesa San Paolo Bank, por ka dhe përvojë në administratë ku ka punuar për pak kohë si drejtoreshë e Fondit i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila ka nën varësi shumë institucione dhe mbulon disa fusha të rëndësishme të ekonomisë, financave dhe tregut të punës, u fuqizua shumë në mandatin e dytë të qeverisë Rama, pasi bashkoi dy-tre ministri nën drejtimin e ish-ministrit Ahmetaj.

I pari që dha dorëheqjen nga pozicioni dhe më pas u shkarkua nga qeveria ishte Erjon Luçi, një nga drejtuesit e lartë më jetëgjatë të financave, i cili e mori detyrën që në vitin 2013, kur Partia Socialiste ishte në pushtet dhe në krye të financave u vu Shkëlqim Cani.

Ditët e fundit dha dorëheqjen edhe Elton Haxhi, duke mos i bërë të ditura arsyet. Kjo tërheqje e tij lidhet me konfliktin për zonën Duty Free në doganën e Rinasit dhe ambientet e Aeroportit të Tiranës, pasi u njoftua një ditë pasi Ministria e Financave humbi gjyqin për anulimin e autorizimit që i kishte dhënë në gusht 2019 Albanian Duty Free Distribution” (ADFD).

Kishte qenë pikërisht zv.ministri Haxhi që, në mungesë të ministres, i kishte dhënë autorizimin Albanian Duty Free Distribution” (ADFD) ndërkohë që kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF) pas një tenderi të hapur nga Tirana International Airport në nëntor 2018, pasi dha ofertën më të mirë financiare, fitoi të drejtën për menaxhimin e hapësirës “Duty Free” në aeroport për 5 vitet e ardhshme.

Konflikti është zhvendosur në Gjykatën e Apelit Administrativ dhe është guri i provës për qeverinë shqiptare lidhur me përmirësimin e klimës për biznes për investitorët e huaj dhe ka marrë interesin e veçantë të ambasadës së SHBA në Tiranë dhe ambasadores së re përballë peripecive administrative të doganave, Ministrisë së Financave dhe gjykatave shqiptare që ua kalojnë përgjegjësitë njëra-tjetrës apo Kodit Doganor me shprehjen simbol të gjykatësit, “kur të lexoni vendimin do kuptoni ku fle lepuri” .

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of