Ministria e Financave: Në vitin 2021 ekonomia e Kosovës do të rritet për 5.2 për qind

18/11/2020 2:00 PM 0 komente

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka shqyrtuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. Gjatë raportimit në komision, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi ka thënë se gjatë vitit 2021 pritet që ekonomia të ketë një rritje prej 5.2%.

Në komisionin për Buxhet dhe Transfere është shqyrtuar në parim Projektligji për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka thënë se ky projektligj është gjithëpërfshirës dhe u përgjigjet kërkesave ndaj tyre.

Krasniqi ka deklaruar se rënia ekonomike këtë vit pritet të arrijë në 6.7 për qind.

Gjithashtu, sipas tij, shteti deri në fund te vitit do të ketë 320 milionë euro më pak të hyra.

Por, Krasniqi ka thënë se gjatë vitit 2021 pritet që ekonomia të ketë një rritje prej 5.2%

“Synimi ynë ka qenë që t’i adresojmë problemet kryesore në kohën e paqartësive të mëdha në aspektin shëndetësor dhe ekonomik. Ekonomia gjatë vitit 2020 do të tkurret për 6.7 për qind si rezultat i pandemisë. Më 2021 pritet që ekonomia të rritet në 5.2 për qind dhe të kthehet sikur para pandemisë. Mbi 320 milionë euro do të kemi rënie në të hyra deri në fund të vitit. Një pjesë e obligimeve për investime publike do të barten për vitin e ardhshëm”.

Ai tutje ka thënë se edhe në vitin 2021 të shpenzimet është programi për Rimëkëmbje ekonomike në shumë prej 182 milionë euro. Krasniqi ka sqaruar se buxheti është përgatitur në koordinim me FMN-në.

“Me rishikimin të kufijve buxhetor që kanë ndodh për vitin 2021/23, ne mendojmë qe si ministri që kemi përgatitur një projektligj që është gjithëpërfshirës dhe i përgjigjet sfidave që kemi para neve. Këtë projektligj e kemi përgatitur në koordinim me FMN-në, dhe është përgatitu brenda rregullave”.

Kurse, Mimoza Kusari Lila nga LVV ka kritikuar Qeverinë duke thënë se pavarësisht situatës me pandeminë, ka shkurtuar mjetet financiare për arsimin e shëndetësinë, por ka rritur buxhetin për asfalt.

Këto probleme, sipas saj, janë më të mëdhatë në 20 vitet e fundit.

“Duhet t’u tregojmë qytetarëve se për vitin 2021 që buxheti për rimëkëmbje ekonomike do të jetë 168 milionë euro më pak se vitin e kaluar. Kemi zvogëlim të buxhetit në disa ministri, por ka rritje në ministrinë e Infrastrukturës për 53 milionë euro. Kemi rritje të buxhetit për asfalt, kurse zvogëlim për arsim. Projektbuxheti duhet te flasë për prioritete të qeverisë, neve na vjen projektbuxheti me 54 milionë më shumë për asfalt, keni shtuar autostrada të reja, kurse kemi zvogëlim të buxhetit për ministrinë e Arsimit, Shëndetësisë”.

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se rënia ekonomike mund të jetë më e thellë. Hamza ka deklaruar se shumë projekte që parashihen në programin e Qeverisë nuk janë përfshirë në buxhet.

“Sa vende të punës do të humbin nga kjo rënie ekonomike, cili është ndikimi në humbjen e vendeve të punës. E shohim një diskrepancë të madhe ndërmjet programit të qeverisë dhe buxhetit që na është prezantuar. Aty na është përmendur investimi në shëndetësi, aty është përmendur shërbimi ushtarak. Këto nuk janë në buxhet. Është shqetësuese rritja e borxhit publik, e dimë që Kosova ka borxhin më të ulët në rajon, por kjo nuk guxon të na bëjë qe të hyjmë borxh pa kontroll”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of