Ministria e Punëve të Brendshme, ka njoftuar qytetarët e Kosovës se pronarët e mjeteve të cilët nuk i kanë vazhduar regjistrimet e mjeteve, duhet ta përmbushin detyrimin e tyre deri më datën 17.08.2020.
Pronarët e mjeteve të cilët nuk i kanë vazhduar regjistrimet e mjeteve apo nuk i kanë regjistruar mjetet e tyre për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, do të duhet ta bëjnë këtë deri më datën 17 gusht të këtij viti.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka bërë me dije se vetëm deri me këtë datë vlen polica e sigurimit dhe certifikata mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të mjetit, pavarësisht afatit kohor.
“Pas kësaj date, detyrohen ta dorëzojnë policen e re të sigurimit, që nuk duhet të jetë më e vjetër se pesë (5) ditë nga data e lëshimit dhe certifikatën e re mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të mjetit, që nuk duhet të jetë më e vjetër se tridhjetë (30) ditë nga data e lëshimit. Për zbatimin e këtij afati do të kujdeset Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.
MPB-ja njofton se të gjitha llojet e regjistrimit të mjeteve mund të behën në secilën Qendër për Regjistrimin e Mjeteve të rajonit përkatës, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të pronarit të mjetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.