Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Arlinda Gjokuta, zhvilluan një inspektim në magazinat fiskale të disa subjekteve që tregojnë produkte të akcizës, nën juridiksionin e Degës Doganore të Tiranës.
Nga kontrolli i ushtruar në një magazinë fiskale të një subjekti që tregon kafe është konstatuar një mungesë gjendjeje në magazinë prej rreth 76 ton. Detyrimi i munguar i akcizës është rreth 4.6 milionë lekë dhe penaliteti i aplikuar për këtë detyrim të munguar është 13.8 milionë lekë, duke e çuar në total detyrimin që duhet të paguajë subjekti në vlerën e 18.4 milionë euro.
Ministrja Denaj tha se nga analiza që bëhet çdo javë në kuadër të zbatimit të Planit Operacional kundër informalitetit rezulton se në produktet e akcizës, si karburanti, pijet alkoolike, kafja apo cigarja, ka shkelje nga ana e subjekteve dhe ndaj i bëri thirrje biznesit që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Administratën Doganore dhe Tatimore në kontrollet që ushtrohen nga ana e tyre, në mënyrë që të sigurohet një konkurrencë e ndershme në treg.
Ministrja pohoi se Ligji i Akcizës i vitit 2012 ofron lehtësi për bizneset që tregtojnë produkte të akcizës, pasi nuk detyron më subjektet për pagesë para kohe, por iu jep atyre mundësinë e vetëdeklarimit, çka është në ndihmë të tyre.
Ministrja sqaroi se kontrollet dhe inspektimet aktuale janë duke u zhvilluar mbi një analizë që nga fillimi i vitit 2018 e deri më sot dhe në një fazë të dytë të zbatmit të Planit Operacional kontrollet do të zhvillohen mbi një analizë që do të shtrihet edhe disa vite më përpara.
“Ky Plan Operacional, i cili do të shtrihet gjatë gjithë muajit gusht për të gjithë produktet e akcizës, do të vazhdojë edhe në muajt e tjerë. Synon të evidentojë paligjshmërinë dhe në ato subjekte ku paligjshmëria është evidentonte, kuptohet që gjobat janë shumëfish dhe kjo gjobë nuk vlen për asnjë biznes, i cili vendos të punojë brenda rregullave të caktuara brenda Kodit Doganor. Është shumë e rëndësishme që biznesi të kuptojë që ky nuk është një aksion. Ky është një Plan, i cili do të vijojë përgjatë gjithë kohës dhe gjatë gjithë muajve, dhe nuk do të kufizohet vetëm në një analizë të disa muajve. Është në ndihmë të një konkurrence të ndershme për biznesin në Shqipëri, i cili përfaqësohet si nga investitorë vendas, ashtu edhe të huaj, dhe të gjithë kanë të drejta të barabarta para ligjit”, u shpreh Ministrja Denaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Arlind Gjokuta, informoi se Plani Operacional po zbatohet nga të gjitha degët doganore në vend dhe se kontrollet bazohen në bazë të informacioneve të sistemit të vlerësimit të riskut, me fokus të veçantë në subjektet e mëdha.
“Në vijim të zbatimit të planit operacional të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nisur qe prej datës 1 korrik, ka vijuar kontrolli i të gjithë subjekteve që tregtojnë produktet e akcizës. Fokusi kryesor ka qenë te produktet e karburantit, por nuk janë lënë pas dore edhe produktet e tjera siç janë pijet alkoolike, kafja apo duhani. Plani është i ndarë sipas produkteve dhe përsa i perket pijeve alkoolike, fokusi kryesor gjatë këtij muaji ka qenë te produkti i birrës dhe do të vazhdojë të jetë aty. Të gjithë strukturat tona janë fokusuar si në fabrikat e prodhimit të birrës, ashtu edhe te magazinat fiskale të stokimit”, u shpreh Gjokuta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.