Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, doli sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Arlind Gjokuta, dhe zv.Ministrin Elton Haxhi, me anë të së cilës informoi opinionin publik mbi rezultatet e zbatimit të Planit Operacional të luftës kundër informalitetit për muajin gusht.
Ministrja Denaj bëri me dije se gjatë muajit gusht ka një realizim në masën 100 % të planit të të ardhurave nga tatimet, doganat dhe kontributet, të cilat janë rritur me gati 4.7% ose rreth 1.6 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar.
Për periudhën 8 mujore të ardhurat u rritën me 3.8% ose rreth 9.7 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Kjo performancë, theksoi znj. Denaj, ka bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të vijojë me korrektesë zbatimin e kalendarit të rimbursimeve të TVSH-së, ku vetëm gjatë muajit gusht janë rimbursuar 1,68 miliardë lek, ose 42% më shumë se muaji gusht i vitit të kaluar .
“Për periudhën 8 mujore janë rimbursuar 11,8 miliardë lek TVSH biznesve nga 9.22 miliard lekë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2018, ose 2.6 miliardë lek më shumë ose 28.7% rritje”, tha Ministrja.
Rezultate mbi zbatimin e masave të Planit Operacional kundër informalitetit dhanë edhe drejtorët e Administratave Tatimore dhe Doganore.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve informoi se për periudhën 4 korrik-3 shtator janë kryer 4460 kontrolle nga Administrata Tatimore, ku janë konstatuar 1882 shkelje të legjislacionit tatimor. “Në fokus parësor të punës sonë për pjesën e mbetur të vitit do të jenë deklarimet e pagave, në bashkëpunim edhe me Inspektoriatin e Punës”, u shpreh znj. Ibrahimaj.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave informoi se që nga fillimi i zbatimit të Planit Operacional janë kryer 1454 kontrolle, nga të cilat kanë rezultuar me shkelje 90 raste.
“Në total detyrimi i subjekteve shkon 220 milionë lekë. Fokusi kryesor ka qenë sektori i karburanteve në të cilin janë kryer kontrolle të detajuara në magazinat e lira dhe rafineritë e prodhimit, si dhe në subjektet konsumatore apo përdorues të lëndëve djegëse që janë produkt i akcizës”, u shpreh z. Gjokuta.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bëri me dije se në vijim Plani Operacional do të fokusohet në kontrollin e karburanteve për anijet e peshkimit, kontrollin e lëndëve të para që do përdoren për prodhimin e pijeve alkoolike, ka nisur të kryhet iventari i fuçive të birrës dhe rakordimi i pullave fiskale, ndërkohë që në fokus të veçantë do të edhe kontrolli i tregtisë informale të duhanit të grirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Nese afati i deklarimit te librave te Shitjes dhe te blerjeve eshte dt 10 shtator, si i beri llogarite Zonja Ministre. Po ashtu Tvsh deklarohet deri ne dt 16 shtator.
Mos te flasim per sigurimet shoqerore dhe TAB.
Kjo do te thote se kane projeksjone dhe jo te dhena te sakta, ose deri tani kemi ate realizim plani, ne masen 100%. Lum ne per Administraten Tatimore qe kemi. Te rroj Partai dhe shoku Enver.
Kesaj i thone fol fol se dicka do mbetet.