Hisedarët e sektorit të energjisë së Republikës së Kosovës dhe delegacioni amerikan i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) këtë të martë mbajtën takim plenar. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, falënderoi MCC-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën me 202 milionë dollarë, që do të jetë granti më i madh në sektorin e energjisë në histori të Kosovës.
Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga programi i ri kompakt i Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Këto deklarata ajo i bëri më 5 korrik në Prishtinë në nisjen e takimit me delegacionin amerikan të MCC-së, disa ditë pasi bordi i kësaj korporate miratoi programin për Kosovën në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.
Rizvanolli tha se ky program, që përfshin 202 milionë dollarë grant direkt nga Qeveria amerikane për Kosovën, është investimi më i madh në historinë e shtetit dhe më i madhi në rajon.
“Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë rreth 347 megavat orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës në orët më të ngarkuara gjatë ditës, që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë”, tha Rizvanolli.
Ministrja shtoi se programi po ashtu do të zhvillojë shkathtësitë e fuqisë punëtore dhe tenton të përfshijë sa më shumë gra në sektorin e energjisë.
“Programi kompakt do të mundësojë një tranzicion të shpejtë dhe të drejtë energjetik në Kosovë në një të ardhme me energji të ripërtërishme. Strategjia e energjisë, siç e dini, parasheh instalimin e së paku 1,400 megavatëve kapacitete të energjisë diellore dhe të erës, të cilat do të kyçen në rezerva për t’u shfrytëzuar në kohërat kur nuk kemi erë ose diell të mjaftueshëm me anë të baterive që do t’i blejmë përmes këtij programi”, tha Rizvanolli.
Ndërkaq, drejtoresha e MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, tha se programi kompakt vjen në kohën kur bota po përballet me krizën energjetike, që po nxitet edhe më shumë nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
“Të gjithë [në bordin e MCC-së] ishin të entuziazmuar për këtë program. Kam dëgjuar nga të gjithë përfaqësuesit se sa kritike dhe sa në kohë të duhur është ky program dhe me të vërtetë e shohin këtë si fuqi për të ndihmuar Kosovën në energjinë e pastër dhe duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe sfidat e dimrit të kaluar, ndjenja ishte se Kosova nuk duhet të humbë kohë që të marrë këtë program”, tha ajo.
Olmstead tha po ashtu se është e lumtur që programi përqendrohet edhe në zhvillimin dhe përkrahjen e grave, teksa shtoi se Kosova ka një prej shkallëve më të ulëta në botë të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
Ajo tha se pret që programi kompakt të nënshkruhet gjatë këtij muaji, në mënyrë që më pas të mund të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, teksa Rizvanolli tha se po punojnë që ratifikimi i marrëveshjes me MCC-në të ndodhë sa më shpejtë.
Sipas zyrtarëve amerikanë, prokurimi i parë për këtë program pritet të lansohet pas dy vjetësh.
Në maj të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja u pajtuan për programin e ri kompakt. Përveç 202 milionë dollarëve që janë grant direkt nga Qeveria amerikane dhe mjete që nuk duhet të kthehen, Kosova do të kontribuojë në këtë program me rreth 35 milion dollarë, kurse 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim.
Programi Kompakt do të jetë investimi më i madh në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, në vlerë prej 236.7 milionë dollarëve. Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Programi do të përfshijë tri projekte: rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh); zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.
Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë-banori, dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.