Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se fondet e ndara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjecarit (MCC) nuk kanë qenë specifikisht për gazin. Rizvanolli duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është shprehur se gazsjellësi Shkup-Prishtinë do të ndërtohet me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Sipas saj, projekti i gazsjellësit nuk ka pasur të vij përmes projektit të MCC-së.
Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli ka dhënë informacione për tërheqjen e vendit nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ajo ka thënë se disa investitorë nuk kanë shprehur interesim për investim, derisa disa të tjerë kanë vënë kushte të pafavorshme për vendin.
Po ashtu, ajo ka thënë se e kanë pasur të paqartë se çfarë efekti do të kishte kjo në çmimet për konsumatorët.
Sipas saj, në disa parallogaritje që kanë bërë ka dalë se 40 euro është çmimi vetëm për një megawat, që i bie 30 për qind më shtrenjtë se kostoja aktuale.
“Së pari kosto totale prej 379 milionë dollarë e cila është paraparë nga investim i Kosovës, grand nga MCC-ja 100 milionë dollarë, ndërsa 279 milionë dollarë apo 75 për qind në pronësi të një investitori të huaj. Kjo kosto kontigjencën e ka pasur 20 për qind që do të thotë ka mundur të shkojë deri në 455 milionë dollarë. Nuk ka qenë i qartë efekti në çmimet për konsumatorët. Sipas disa përllogaritjeve, 40 euro për një megawat ka qenë vetëm kosto e paraparë e gazit që është më e shtrenjtë 30 për qind se kosto aktuale. Është pritur që së paku dy herë të rritet çmimi i kostos. Ndërsa, investitorët që janë intervistuar, disa prej tyre nuk kanë shprehur interesim për investim. Invensistorët që kanë treguar interesim kanë treguar interesim me kushte të pafavorshme. Kanë kërkuar kthim të investimit për vetëm 10 vite, kanë kërkuar një marrëveshje për blerje për 10 vite”, ka deklaruar ajo.
Rizvanolli ka thënë se Fondet e MCC nuk kanë qenë të alokuara për infrastrukturë gazi specifikisht. Kanë qenë të alokuara për një program për Kosovën
Ndërsa, sipas saj kosto në këtë fazë nuk ka qenë e qartë sepse studimi i fizibilitetit ka qenë ende duke ndodhur dhe studimet e fizibilitetit janë ende duke ndodhur.
“Fondet e MCC nuk kanë qenë të alokuara për infrastrukturë gazi specifikisht. Kanë qenë të alokuara për një program për Kosovën. Energjia është përzgjedhur si sektorë për arsye se në vitin 2016 MCC ka bërë së bashku me Qeverinë e Kosovës një hulumtim i cili ka treguar se energjia është sektor problematik që përbën një pengesë për zhvillim ekonomik në Kosovë. Ka mundur të ketë edhe projekte tjera, qeveritë e kaluara e kanë përzgjedhur infrastrukturën e gazit si opsionin më të mirë sipas tyre. Projekti i dizajnuar nga qeveritë e kaluara dhe MCC ka paraparë që gazsjellësi Shkup-Prishtinë, një gyp transminsioni me kosto 104 milionë dollarë të ndërtohet me kredi nga BERZH’i dhe Grand WBIF. 80 për qind kredi nga BERZH’i që do ta merrte Qeveria e Kosovës dhe 20 për qind nga Grand WBIF”.
Rizvanolli ka deklaruar se si rezultat kosto e gazsjellësit nuk është e qartë pasi parashihet me një kontigjencë 40 për qind, që do të thotë kjo kosto 104 milionë dollarë mund të ngritët deri 145.6 milionë dollarë.
“Gazsjellësi nuk lidhet me projektin e MCC-së. Financimi për gazjellësin nuk ka pasur të vij nga projekti i MCC. Kjo është pjesë e cila mund të realizohet siç ka qenë e paraparë me BERZH-in dhe WBIF nëse ne vendosim. Gypat e distribucionet për Sharcem dhe Feronikel 4 milion dhe 20 milionë dollar. Kjo ka qenë e paraparë të financohet me grand të MCC-së. Në këtë pikë kemi pasur dilema për arsyeshmërinë ekonomike. Nuk ka qenë e qartë nëse këto firma kanë interesim dhe sa do të zgjidhte problemin e tyre. Javën e kaluar bashkë me ministrin Murati personalisht i kemi takuar përfaqësuesit e Feronikelit të cilët na kanë njoftuar se vetëm për ngrohje do të mund ta përdornin gazin do të thotë të mbulonin vetëm 15 për qind të kërkesës së tyre për energji elektrike. Ndërsa ne po flisnim për 20 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë për ta paguar gypin deri te Feronikeli. Pastaj është paraparë një termocentral me gaz prej 250megawat për kërkesë bazë dhe 98.5 MW rezervë terciare”.
Kurse, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Kurti. Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka deklaruar se Qeveria Kurti ka marrë dy vendime të dëmshme e të rrezikshme për Kosovën.
Ai ka thënë se kjo qeveri ka refuzuar projektin e gazit dhe u ka thënë jo 200 milionëve amerikanë të alokuara për vendin.
Haradinaj ka thënë se qeveria para dorëheqjes duhet të rikthejë vendimin për gazin.
“Qeveria Kurti ka marrë dy vendime të dëmshme pra të rrezikshme për Kosovën. Njëra njihet si marrëveshja për targat, dëmet e saj do t’i përjetojmë dhe do të përballemi me to në të ardhmen, dhe tjetri vendim është refuzimi i projektit të gazit. Duke refuzuar projektin e gazit, Qeveria Kurti përveç që i kanë thënë jo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju ka thënë jo edhe partnerëve tjerë siç është BERZH të cilët aktualisht janë duke punuar në masterplanin e gazit të Kosovës. Ky qëndrim dhe refuzim i qeverisë është shumë shqetësues dhe si kurrë më parë Kurti lëkundi miqësinë tonë me Amerikën. Lëkundje që do të ketë pasoja për vendin, prandaj thirrja për dorëheqje e kësaj dorëheqje është legjitime dhe njëkohësisht para dorëheqjes ta rikthejnë vendimin për gazin”, ka deklaruar ai.
Tutje ai ka thënë se Kurti projektin amerikan e ka quajtur projekt rus, kësisoj edhe e ka njollosur atë.
“MCC ka shpenzuar tre vjet dhe mbi 10 milionë dollarë në studime të ndryshme të fizibilitetit të gazit. Për këto studime MCC gjithashtu angazhoi inxhinierë të ushtrisë amerikane së bashku me kompanitë tjera kontraktuese dhe gjithë këtyre, ekspertët e mëdhenj të qeverisë Kurti ju thanë jo. Këta ju thanë jo edhe inxhinierëve të ushtrisë amerikane, ju thanë se studimet e juaja nuk janë bindëse. Pra Kurti po ju thotë jo 200 milionëve amerikan të alokuara nga presidenti Biden për Kosovën në maj të këtij viti, për cilin lajm Qeveria Kurti nuk e tha asnjë fjalë të vetme, as nuk u lodhën për të mirëpritur kërkesën e presidentit Biden. Kurti po i thotë jo një projekti gjeostrategjik për vendin që do të hapte rrugën për aleanca të reja dhe të rëndësishme për vendin. Kurti po i thotë projektit amerikan projekt rus, mbi të gjitha aspekti më shqetësues është njollosja e projektit nga kjo qeveri”, ka shtuar Haradinaj.
SHBA-ja në buxhetin e ri të propozuar nga presidenti Joe Biden kishte marr vendim që t’i ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të MCC-së. Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit.
“MCC dhe Qeveria e Kosovës përditësuan dhe riafirmuan qasjen në energji të sigurt dhe të përballueshme si një pengesë për rritjen ekonomike të vendit. Gjatë dy viteve të fundit, MCC ka punuar me Qeverinë dhe akterët e tjerë për të zhvilluar një program të fokusuar në sektorin e energjisë të Kosovës. MCC dhe Qeveria përfunduan studimet e fizibilitetit në vitin 2020 për të vlerësuar tre projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit energjetik dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike”, thuhet në vendimin e MCC-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.